Basha: Të hiqet dorë nga projektet e fasadës, çdo qindarkë për qytetarët

478
Sigal

Kreu i Bashkisë ka inauguruar sot nisjen e punimeve për rikonstruksionin e shkollës “Qemal Stafa” nga ku bëri thirrje se qeveria duhet të heqë dorë nga projektet e fasadës dhe çdo qindarkë të shkojë te qytetarët, praktikë siç shprehet ai po e zbaton te Bashkia e Tiranës.
 
“Çdo qindarke ka vlerë. Të investosh për fasada dhe palma kur nevojat e qytetarëve janë të mëdha. Të shtosh taksat dhe të mos u kthesh investime papërgjegjshmëri totale. Çdo qindarkë e Bashkisë në nevojë të qytetarëve të Tiranës.”- tha Basha .

Basha: Rikonstruksioni eliminon mësimin turnet në këtë shkollë
“Ndërhyrja do bëjë të mundur kushte evropiane për gjimnaziste, klasa të ngrohura dhe ambiente sportive shkencore. Do të eliminojmë mësimin me turne. Nga janari i viti të ardhshëm, do të mund shërbehen me kapacitete normale.”- tha Basha gjatë inaugurimit për fillimin e punimeve në gjimnazin Qemal Stafa.

Fjala e plotë e Bashës  rindërtimin e shkollës së mesme “Qemal Stafa”
”1300 gjimnazistët e “Qemal Stafës”, duke filluar nga janari i vitit të ardhshëm, pra pas një periudhe 10 mujore të rindërtimit të gjimnazit “Qemal Stafa” do të mund të shërbehen me turnin normal, një turn pra të gjithë gjimazistët, në fakt kapaciteti do të shkojë nga 1300 në 1400 gjimnazistë për këtë institucion të rëndësishëm të arsimit në Tiranë, vendosur në zemër të Tiranës por ndonëse ka pasur dy ndërhyrje gjatë 20 viteve të kaluara, në tërësi këto ndërhyrje kanë mbetur në nivelin e fasadës.

Është pritur për një kohë të gjatë nga banorët e zonës, prindërit dhe vetë gjimnazistët kjo ndërhyrje në gjimnazin “Qemal Stafa”, ndaj sot me fillimin e punimeve dhe me garancinë se punimet do të përfundojnë në kohë për të nisur semestrin e dytë të vitit të ardhshëm në gjimnazin e ri, ne plotësojmë jo vetëm një dëshirë por një nevojë akute të kësaj pjese të komunitetit kryeqytetas.

Është e jashtëzakonshme që një proces i tillë të mbetet peng i vullneteve politike. Kemi dashur ta nisim këtë projekt prej kohësh dhe ndonëse taksapaguesit e Tiranës janë taksapaguesit më të mëdhenj të buxhetit qendror të shtetit, ata janë të fundit që përfitojnë nga grantet. Mentaliteti i diskriminimit politik është një e keqe, e keqja tjetër është papërgjegjshmëria me lekët e taksapaguesve. Çdo qindarkë e taksapaguesve ka një vlerë të jashtëzakonshme, veçanërisht në kohë krize ekonomike. Si i përdorim, ku i çojmë këto lekë dhe si japim llogari para publikut për veprat që bëjmë me këto lekë tregon nëse qeverisim mirë, qeverisim me përgjegjshmëri apo qeverisim keq dhe nuk duam t’ia dimë për lekët që nuk janë kurrë të qeveritarëve qendrorë apo vendorë por janë lekët e taksapaguesve.

Të investosh për fasada, për palmat, kur nevojat e qytetarëve të Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë janë të mëdha për infrastrukturë primare, rrugë, kanalizime, ujësjellës, shkolla, spitale, të shtosh taksat mbi qytetarët e mos t’u kthesh shërbimet që meritojnë por të mbështetesh në fantazi apo vizatimet e mendjes tënde është papërgjegjshmëri totale.

Si kryetar i Bashkisë kam vendosur që çdo qindarkë të taksapaguesve të Tiranës ta vendos në investime që u shërbejnë qytetarëve të Tiranës, nga të cilat qytetarët e kryeqytetit marrin ato që kanë nevojë dhe nevojat e këtij qyteti janë të mëdha, janë shumë më të mëdha se sa mjetet që kemi në dispozicion, gjysma e së cilave janë marrë peng me ardhjen e kësaj qeverie para një viti e gjysmë

Si kryetar i opozitës, i bëj thirrje kryeministrit të heqë dorë nga projektet fasadë, nga projektet e luksit që shoqërohen me pretendime për korrupsion galopant dhe në këtë kohë krize të vendosë çdo qindarkë të taksapaguesve shqiptarë në shërbim të taksapaguesve shqiptarë e jo në shërbim të “truman show” të rrugëve nga aeroporti në zyrën e kryeministrit dhe nga zyra në shtëpinë e kryeministrit, sepse kjo është një sjellje prej diktatori afrikano-qendror të viteve ’80 dhe jo prej një qeveritari të përgjegjshëm të një Shqipërie në NATO që pretendon të bëhet anëtare e BE. Në BE na bën përgjegjshmëria e qeverisë, na bën sensi i shërbimit ndaj qytetarëve dhe jo projektet e luksit, shoqëruar me korrupsion” – deklaroi kryebashkiaku Basha.