Basha: Të hapen bisedimet BE-Shqipëri

562
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shprehu Komisionerit për Zgjerimin, Johannes Hahn mbështetjen e plotë të opozitës për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Europian. Gjatë takimit në Tiranë me Johannes Hahn, kreu i opozitës e nxiti Komisionerin për të ndikuar për një rekomandim pozitiv nga Komisioni. “Pavarësisht problemeve të keqqeverisjes në vend, shqiptarët aspirojnë për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian dhe kanë përqafuar vlerat e Bashkimit Evropian”, u shpreh Lulzim Basha. Kryetari i Partisë Demokratike theksoi se opozita beson se hapja e negociatave do të ofrojë një mekanizëm të fortë dhe të pavarur për monitorimin e nivelit të demokracisë, respektimit të të drejtave të njeriut dhe të cilësisë së qeverisjes në Shqipëri. Basha siguroi Komisionerin Hahn për vazhdimin e angazhimit pa kompromis të opozitës për luftën kundër krimit dhe korrupsionit, të zbatimit në mënyrë kushtetuese dhe të paanshme të reformës në drejtësi, si dhe plotësimin e kritereve të tjera për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Në takimin me komisionerin Hahn, kryetari i Partisë Demokratike theksoi se opozita është e vetëdijshme se vendet anëtare të Bashkimit Evropian kërkojnë prova dhe rezultate konkrete dhe se Partia Demokratike do të luajë rol te rëndësishëm për arritjen e tyre.
Sigal