Basha: Të gjithë mbështesin kauzën tonë, përveç trafikantëve

Kryeopozitari bisedon me studentë dhe të diplomuar të Fakultetit të Arteve të Bukura 

Në një bashkëbisedim që zhvilloi me artistët, Basha tha se të gjithë i japin të drejtë kauzës së opozitës përveç trafikantëve. Ai e konsideroi qëndresën e opozitës fisnike e evropiane, një qëndresë që siç tha ai, po ia zbardh faqen Shqipërisë.

Pavarësisht thirrjeve të Ministrit të Jashtëm gjerman Sigmar Gabriel, për t’u rikthyer në parlament, kreu i opozitës Lulzim Basha shprehet i palë kundër për të qëndruar në “Çadrën e Lirisë”, derisa të plotësohen kushtet e tij për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira e të ndershme.

Teksa nuk i kurseu akuzat ndaj kreut të qeverisë, kryeopozitari tha se Kryeministrit Rama i ka mbetur vetëm 6 javë mandat, por pavarësisht kësaj, ai refuzon ta lerë atë ndonëse në këtë mënyrë sipas tij, do të siguronte zgjedhje të lira e të ndershme. Për Bashën, Rama nuk e bën dot këtë sepse ka frikë nga gjykimi i popullit. Sipas tij, Rama del në garë vetëm kur është i lidhur me krimin. Lulzim Basha tha se prej dy muajsh i ofron vendit zgjidhjen për të mundësuar themelin e demokracisë, zgjedhjet e lira dhe të ndershme, jo për hir të rrotacionit politik dhe forcën politike që drejton, por për hir të demokracisë dhe vlerave evropiane.

“Gjendja e vendit është kritike. Jemi këtu tash 60 ditë duke kërkuar dhe ofruar zgjidhje. Kjo zgjidhje, është për qytetarët shqiptarë, për të sotmen dhe të nesërmen e shqiptarëve, për atë që ne e quajmë Republika e Re dhe, që është shpresa e çdo prindi, nëne, e çdo babai, e çdo të riu, e të reje, se e nesërmja do të jetë e ndryshme nga e sotmja dhe në fakt e tillë do të jetë, sepse asgjë nuk do të jetë më si më pare. Që të jetë e tillë duhet ti kthejë pushtetin qytetarëve sepse pluralizmi, ndonëse ka arritjet e veta të padiskutueshme, asnjë ditë të vetme nuk ka arritur të kthehet në demokraci të vërtetë, që do të thotë sundimi i qytetarëve. Që do të thotë, pushteti politik gjithmonë në dorë të qytetarëve, pushteti ekonomik, gjithmonë në dorë të qytetarëve. Që të vijë kjo ditë, dita e standardit evropian, nuk ka rrugë tjetër përveçse të ngremë themelin e bashkëjetesës evropiane, që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, që është kufizimi i pushtetit, që është balanca e kontrollit të pushtetit ku vendimet janë përgjegjësi e shumicës, por kontrolli është përgjegjësi e opozitës”.