Basha: Të dyshuarit për ngjarjen e Elbasanit, në një vend të BE-së

451
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh se barometri i Ballkanit konfirmon që gjysma e shqiptarëve duan të largohen nga vendi, numër i cili është dyfishuar në katër vitet e fundit. “Për numrin e banorëve të cilët duan të largohen nga shtëpitë e tyre jemi të parët në Ballkan, të parët në Evropë dhe ndër të parët në botë. Pse duan shqiptarët të ikin? Pse po bëhet i pa jetueshëm ky vend? Motivi kryesor është gjendja e rënduar ekonomike”, u shpreh Basha. Sipas tij, Barometri konfirmon se 39 për qind e bashkëqytetarëve tanë nuk paguajnë dot faturën e ujit dhe të dritave; 43 për qind, pothuajse gjysma e shqiptarëve, nuk përballojnë dot ngrohjen e shtëpive; 30 për qind e tyre nuk paguajnë dot këstet e huasë dhe 30 për qind nuk përballojnë dot blerjen e ushqimeve bazë. “Nga janari, jetesa do të jetë edhe më e vështirë, apo të themi më saktë, mbijetesa, për shkak të rritjes së pritshme të çmimeve të konsumit, sepse Edi Rama do të fusë biznesin e vogël në skemën e pagesës së TVSH-së. Përfytyroni se sa do rritet numri i të pamundurve, dhe se sa akoma më të pamundur do ta kenë ata që ta mbyllin muajin”, tha Basha. Për kreun demokrat, kryeministri nuk do t’ia dijë, sepse nuk ka asnjë raport llogaridhënie me qytetarët, sepse ka ardhur në pushtet me votë të blerë e të dhunuar, pa asnjë program, por me mashtrime të paketuara me propagandë. “Partia Demokratike do të luftojë fort kundër marrëzisë, çmendurisë të rritjes së TVSH. Ne do të paraqesim propozimet tona për të frenuar këtë çmenduri që do të çojë në rritjen e çmimeve të konsumit dhe rënien e të ardhurave buxhetore. Ne do ta vazhdojmë çdo ditë betejën kundër krimit të bërë njësh me qeverinë, kundër drogës dhe korrupsionit qeveritar. Por çdo masë, çdo lëvizje, do të jetë e pamjaftueshme nëse nuk ndërhyhet me themel. Ndërhyrje me themel, do të thotë pikë së pari garantimi i votës së lirë. Vetëm me votën e lirë e të ndershme, një qeveri është e detyruar të japë llogari para njerëzve dhe nuk lejohet ta çojë vendin në greminë”, tha Basha. Ai shtoi se Edi Rama i jep llogari vetëm bandave dhe krimit të organizuar, sepse me ata e ruajti pushtetin dhe siguroi votën. “Të dyshuarit kryesorë që ka qenë në makinën e blinduar që përplasi policinë në Elbasan, me ndihmën e Policisë së korruptuar të Edi Ramës, janë larguar dhe sot gjenden në një vend anëtar të Bashkimit Evropian”, tha Basha.
Sigal