Basha, takim me demokratët e Sarandës: Jemi për vendimmarrje të hapura, ku të përfshihet anëtarësia

469
Sigal

Kreu i PD-së Lulzim Basha është takuar me demokratët e Sarandës, fermerët e Xarës dhe operatorët turistikë të qytetit ku ka premtuar se politika do të ndryshojë, duke ndryshuar së pari Partinë Demokratike.

Ai foli për parimet që duhet të udhëheqin këtë forcë dhe anëtarët e saj, për ta kthyer politikën tek qytetarët, për tu dhënë atyre pushtetin që meritojnë. Basha theksoi se hapja, bashkimi dhe qendrimi pranë njerëzve do të kthehen në akte konkrete dhe vendimmarrja në PD nuk do të jetë e mbyllur e një grushti njerëzish, por vendimmarrje e hapur ku përfshihet anëtarësia.

“Ky është i vetmi Kryeministër në botë që e kalon kohën e tij në një zyrë i rrethuar nga skicat e veta dhe jo nga hallet e shqiptarëve që sa vijnë e shtohen. Dhe kur i duhet të dalë nga zyra e merr zyrën me vete. Dhe kur bën sikur ulet me popullin edhe vetë e keni parë merr karriget e luksit nga Kryeministria, karriget e kuqe me varak flori. Duhet që ne ti bindim shqiptarët që ky ndryshim është një ndryshim tek i cili gjithkush mund të besojë se gjithkush do të përfitojë. Detyra numër një e njerëzve të angazhuar në politikë është të jetojnë me të vërtetën e qytetarëve, është të jetojnë me të vërtetën e njerëzve, ky është misioni ynë. Si do ta bëjmë?! Duke fuqizuar qytetarin, duke kufizuar pushtetin. Bashkimi, hapja, komunikimi i përditshëm me qytetarët, njohja e halleve dhe problemeve të tyre janë tre procese që garantojnë që; refuzimi, zemërimi, depresioni të kthehen në shpresë, në besim dhe orientim për shqiptarët tek kjo forcë politike, forca e ndryshimeve të mëdha historike. Partia Demokratike edhe një herë është gati të marrë përsipër misionin e ndryshimit që po vjen”, tha Lulzim Basha.

Sipas banorëve fshati Xarrë e ka humbur shkëlqimin dhe i mungon entuziasmi i sezonit të mandarinave. Fermerët thonë se janë braktisur dhe nuk ka asnjë masë mbështetëse nga qeveria. Basha i ka pyetur nëse kanë marrë subvencione këto 3 vite.

“Jo, jo, këto tre vite s’kemi marrë asgjë. Vetëm me ndihmën tonë si për shitjen e mallit, si për të gjitha gjërat i kemi bërë vetë”, thonë banorët e Xarës.

“Subvencionet për bujqësinë nuk do ju përjashtojnë ju, ju do të merrni subvencione, do të merrni grante. Do të merrni para për të mbështetur prodhimin tuaj dhe po kështu ne do të ndërhyjmë për të ndërtuar infrastrukturën, për të mbyllur rrugët që kanë mbetur akoma pa mbyllur dhe për t’ju dhënë ju akses të plotë në treg. Kjo do të ndryshojë me qeverinë tonë, paratë janë. Në qoftë se paratë nuk shpenzohen për luks qeveritar, në qoftë se nuk ndahen me miqtë e kryeministrit ato mjaftojnë për të mbështetur bujqësinë; ato mjaftojnë për subvencione për çdo fermer në bazë të prodhimit”, siguroi Basha.

Operatoret turistikë të Sarandës ankohen se qeveria në kulmin e sezonit turistik ndryshon taksat ndërkohë që ata kanë nënshkruar kontrata me tarifa të tjera, cka dëmton turizmin dhe ekonominë e qytetit.

“Në mes të sezonit kanë ndryshuar taksat, që janë dyfishuar apo trefishuar. Eshtë në bazë të tonazhit të kroçerës”, shprehen ata, duke shpjeguar se kjo i detyron krocerët me mijëra vizitorë të mos vijnë më.

“Ndryshimi i legjislacionit në mënyrë të paparashikuar është një sëmundje e cila duhet të marrë fund. Nuk e drejtoj gishtin që të them e bëjnë vetëm këta, ka ndodhur edhe më përpara. Me qeverinë e ardhshme kjo do të marrë fund. E para ajo që ne kemi thënë për të gjithë sektorët është ulja e taksave. Në raport me TVSH-në ne do ta ulim për të gjithë Shqipërinë për të gjithë aktivitetin ekonomik nga 20% në 15%. Dhe po shqyrtojmë një shkallë të veçantë vetëm për turizmin”, tha Basha.

“Na lini të punojmë. Në qoftë se mund të na ndihmoni, na ndihmoni, ju jemi për faleminderit. Në qoftë se nuk mundeni të na ndihmoni, na lini të punojmë. Ne dimë ta menaxhojmë”, është kërkesa e opetarorëve turstikë të Sarandës.

“Do ta lëmë Sarandën të punojë dhe ne do t’ju ndihmojmë. Do ta lëmë Shqipërinë të punojë dhe do t’ju ndihmojmë”, deklaron Lulzim Basha.