Basha sulmon Tahirin: Trafikanti u bë ministër

437
Kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka sulmuar ashpër kreun e PS-së së Tiranës, Saimir Tahirin, gjatë një takimi dje me qytetarët e Kombinatit, zonë nga ku ish-ministri i Brendshëm ka dalë deputet. Basha tha se Tahiri e mbajti përdhunshëm Kombinatin, i cili sot sipas tij është i papunë dhe në gjendje të rënduar ekonomike. Kreu i PD-së e cilësoi trafikant dhe emblema e dështimit. “Jemi në Kombinat, i cili u mbajt përdhunshëm nën thundrën e një trafikanti që u bë ministër, mashë e Edi Ramës. E mbushi vendin me drogë. Saimir Tahiri është emblema e dështimit dhe kriminalizimit total të Shqipërisë. E vetmja arritje e Ramës në 4 vite. Jemi në Kombinatin e papunë, në gjendje të rënduar ekonomike, me taksa të larta, fatura të larta”, tha Basha. Sipas tij kryeministri ka frikë të shohë qytetarët në sy e të bëjë një bilanc pas 4 viteve qeverisje.

Gjithashtu, Lulzim Basha dhe ekipi i tij shpalosën para të rinjve dhe studentëve të Elbasanit programin ekonomik dhe të arsimit. Basha tha se Republika e Re do ulë tarifat e arsimit të lartë dhe çdo i ri do ketë shansin të jetë në universitet. Ligji aktual do të anulohet dhe me ligjin e ri, vendimmarrja në universitete do u takojë pedagogëve dhe studentëve. “Republika e Re dhe republika e të rinjve, do të thotë, anulim të ligjit për arsimin e lartë, ditën e parë orën e parë tek Dëshmorët e Kombit, siç e kam premtuar, ku do vendosim një tavolinë dhe do ftojmë të gjithë ata që janë viktimizuar me pa të drejtë nga ky ligj, me studentë e pedagogë. Ligji i ri po përgatitet. Së pari, nuk do të ketë asnjë bijë apo bir shqiptari që për shkak të pamundësisë ekonomike të ngelet pa shkollë të lartë”, tha Basha. Sipas tij, universitetet publike do të kenë mjaftueshëm vende për këdo që ka meritën të ndjekë shkollën e lartë. “Së dyti, tarifat universitare nuk do të trajtohen siç janë trajtuar gjithçka tjetër këtu, që nga faturat e energjisë, çmimi i naftës, taksat, si një mundësi për të vjelë Shqipërinë dhe shqiptarët për të mbushur arkën. Universitetet publike shqiptare do të kenë tarifa të mjaftueshme, tarifa të ulura, tarifa që të mos sjellin dhimbje koke apo dilema as nga prindi, as studenti, për sa i përket ecurisë së 3 viteve të Bachelorit, masterit apo studimeve të tjera. Në vitet e mia të para, në Universitetin e Utrehtit, kam parë se si menaxhohet një universitet. Organizimi i ri i universiteteve shqiptare, me ligjin e ri, do t’ia japë tërësisht vendimmarrjen në dorë dy organizmave, trupës së akademikëve dhe studentëve”, tha Basha.

Takimi me Trump
Lulzim Basha ditën e djeshme ishte në qytetin e Korçës në vazhdën e takimeve elektorale. Në bashkëbisedim me banorët e zonës është zbuluar edhe një “sekret”. Një fakt që bëri kurioz dhe vetë kreun e opozitës, i cili donte ta dinte se ku e kishte mësuar një qytetar detajin për një takim të mundshëm me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump. “Nga e more vesh? Mos na i hap sekretet kështu, se do na mërzitet Edi Rama. Megjithatë pas takimit do ma tregosh se ku e more vesh që do takoj presidentin Trump”, i tha Basha.
Sigal