Basha: Si veproi Prokuroria brenda 24 orëve nën urdhrat e Fatmir Xhafajt për të mbrojtur të vëllain

861
Sigal

Kryetari i opozitës Lulzim Basha ka zbardhur hap pas hapi nga selia e PD, veprimet e Prokurorisë së Përgjithshme për të penguar zbardhjen e së vërtetës mbi audiopërgjimin Agron Xhafaj -Dëshmitari X sipas një skenari, siç e cilësoi, “kriminal”, të hartuar nga Edi Rama, Fatmir Xhafaj dhe Arta Marku. Pas këtij denoncimi, Basha i ka bërë një paralajmërim të fortë kreut të qeverisë, Edi Ramës.

“Organi i prokurorisë veproi pa asnjë ndryshim sipas skenarit kriminal të hartuar nga Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj, – tha Basha. – Prokuroria Rama-Xhafaj-Marku:

1- Lejoi largimin nga Shqipëria të Agron Xhafajt pa guxuar ta marrë atë në pyetje si trafikant droge, pa e nxjerr me zë e figurë përpara shqiptarëve, dhe pa e ballafaquar me dëshmitarët e çështjes.

2- Pranoi në fshehtësi të plotë “mostrat” e zërit të regjistruara privatisht në mes të natës, edhe pse për t’u realizuar ekspertiza kërkohet që regjistrimi të kryhet në të njëjtat kushte dhe me të njëjtat pajisje, siç është bërë edhe përgjimi fillestar.

3- Vuri në dispozicion të trafikantit në mes të natës prokurorët e Prokurorisë së Tiranës, të cilët nuk guxuan të kërkonin asnjë provë që zëri i regjistruar si kampion eksperimental është apo jo i Agron Xhafajt.

4- Brenda natës (15 Maj 2018) Prokuroria e Tiranës me urdhër të treshes Rama-Xhafa-Marku:

– regjistroi kallëzimin penal të Agron Xhafajt për “kallëzim të rremë”;

– hodhi shortin për caktimin e prokurorit;

– prokurori i caktuar mori në dorëzim dosjen dhe shqyrtoi materialet fillestare;

– prokurori vendosi të regjistrojë procedim penal;

– prokurori vendosi të kryejë veprime hetimore siç ishte administrimi i dëshmisë së Agron Xhafajt;

– prokurori vendosi të marrë në pyetje dëshmitarin Albert Veliu, ende pa u bërë publik identiteti i tij;

– prokurori vendosi të kryejë një tjetër veprim hetimor siç ishte vendimi për ekspertim;

– prokurori vendosi të caktojë ekspertin;

– prokurori vendosi të pranojë mostrat e zërit;

– prokurori vendosi transferimin e çështjes pas kësaj për në Prokurorinë e Krimeve të Rënda.

Të gjitha këto u kryen brenda 24 orëve, sepse skenari kriminal i Edi Ramës parashikonte fshehjen të nesërmen (16 Maj 2018) jashtë Shqipërisë të Agron Xhafajt.

Si po e mbron Prokuroria Fatmir dhe Agron Xhafaj?!

  1. Prokuroria nisi çështjen per trafik droge ndaj Agron Xhafës vetëm pasi ai u largua nga Shqipëria.
  2. Dërgoi për ekspertim materialet që i caktoi Edi Rama dhe ia dorëzoi të gatshme nëpërmjet Agron Xhafajt.

3- Dërgoi për ekspertizë materialet e çështjes atje ku urdhëroi Edi Rama, duke mos guxuar që të zgjidhte ajo vetë Laboratorin se ku duhet të kryhet ekspertiza, dhe duke mos përdorur edhe precedentët e mëparshëm të bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë (FBI).

4- Nuk guxoi kurrë të verifikonte tabulatet telefonike të Agron Xhafajt apo qelizat telefonike të tij për të përcaktuar, nëse Albert Veliu (dëshmitari X) dhe Agron Xhafaj, kanë komunikuar apo jo së bashku, dhe nëse kanë qenë apo jo në të njëjtën vendndodhje ditën dhe orën e realizimit të përgjimit ambiental. Do të mjaftonte kjo për të qartësuar se audio-përgjimi ka dy protagonistë, Albert Veliun që e pranon me zë e figurë dhe Agron Xhafajn të fshehur me urgjencë me urdhër qeveritar.