Basha: Si u dakordësuam me Ramën për takimin

441
Kryetari demokrat shpjegon negociatat mes palëve dhe këmbëngul te qeveria teknike: Nuk do të ketë pazare
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, shpjegoi dje negociatat politike mes palëve për të mbërritur në një takim PS-PD për zgjidhjen e krizës në vend. Basha tha se mosregjistrimi në KQZ është “hapi i parë drejt shkallmimit të fasadave që mbajnë peng përditshmërinë e shqiptarëve”. “Kjo fasadë është shkatërruar dhe rrëzuar nga fuqia e madhe e bashkimit popullor, nga një bashkim i paqtë dhe demokratik, por i vendosur për të mos jetuar më në këtë makth, por për të ndërtuar së bashku një realitet të ri me mundësi të vërteta, me parlament të vërtetë, me qeverisje të vërtetë dhe demokraci të vërtetë për çdo shqiptare dhe çdo shqiptar”, tha Basha.

Për liderin demokrat, duhet me durim dhe vendosmëri të çmontohen të gjitha gënjeshtrat dhe mashtrimet që dalin “nga goja e njeriut të papërgjegjshëm që sot vendos pushtetin dhe pasurinë e tij para fatit të Shqipërisë dhe që shumëfishohet nga media të papërgjegjshme, të kapura, të blera të cilat në vend që t’i shërbejnë interesit publik, vazhdojnë t’i shërbejnë xhepave dhe pasurimit të një grushti pronarësh të bërë njësh me korporatën qeveritare, krimin dhe oligarkinë”.

“I tillë është fabrikimi, që gjoja ne paskemi rënë dakord për vendin dhe orën e dialogut, por opozita është tërhequr. Është tërhequr opozita? Pa kujtojeni se çfarë ka thënë pesë ditë me radhë: më jep vendin, më jep orën, më jep vendin, më jep orën. E ja pra, që vend dhe orë nuk ka pasur dhe nuk mund të kishte. Sepse zgjidhjet e vërteta, jo zgjidhjet fasadë, dialogu i vërtetë dhe jo dialogu fasadë, nuk ka nevojë vetëm për vendin dhe orën, siç takohen të dashurit, por ka nevojë për një program dhe një përkushtim serioz për zgjidhur krizën politike ku e ka futur vendin një qeveri dhe një kryeministër që pasi ka vjedhur dhe shkatërruar gjithçka, do të shkatërrojë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, mundësinë e vetme për popullin që të vendosë”, tha Basha. Ai tha se Rama mund të shkonte në çadër me dorëheqje. “Shprehu dëshirën për të ardhur në këtë çadër, dhe në këtë çadër të lirisë ku shumica prej jush thatë që nuk mund të vinte, po, unë me përgjegjësinë që më keni ngarkuar, me zemërgjerësinë që duhet të kemi dhe duhet të na karakterizojë sot në opozitë dhe nesër në qeverisje, ju kërkova ta mirëpresim me dorëheqjen e firmosur për ta bërë pjesë të zgjidhjes, atë që është sot i vetmi problem dhe e vetmja pengesë: kryeministrin që refuzon t’i japë sot garancitë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes një qeverie teknike”, nënvizoi Basha.

Gjithashtu, kryetari demokrat tha se për dialogun palët dakortësuan ditën e mërkurë, gjashtë ditë më përpara. “U ra dakord se do të flitej për formimin e qeverisë teknike dhe për mandatin e qeverisë teknike. Dy tema që kërkojnë përgatitje serioze, aq më shumë po të merret parasysh se çfarë dredharaku fjalëngrenë e fjalëpambajtur kemi përpara. Ndaj, të nesërmen e deri më sot, plot gjashtë ditë e kemi negociuesin e opozitës, ka qenë në gatishmëri për të përgatitur një dialog të vërtetë në funksion të zgjidhjes, dhe jo monologë shterpë që bëhen për të ushqyer emisionet e lajmeve”, tha Basha. Megjithatë, tha Basha, Rama do të hyjë si kryeministër në dialog, por do të dalë nga dialogu si kryeministër i dorëhequr, “që i hap rrugën qeverisë teknike me mbështetje të gjerë politike, për të zgjidhur problemin e madh të krimit dhe të drogës dhe shkatërrimit të zgjedhjeve për hesap të krimit dhe drogës”.

Basha tha se është koha për vendosmëri, jo vetëm për t’i shkuar në fund mandatit të qeverisë teknike, si e vetmja zgjidhje, por po kështu për t’i shkuar në fund çdo standardi evropian që garanton njëherë e mirë, jo vetëm lirinë e votës, por që garanton lirinë e vullnetin e qytetarëve, përmes zgjedhjeve parlamentare, përmes zgjedhjeve lokale, përmes zgjedhjeve të përgjithshme, përmes zgjedhjeve të pjesshme dhe përmes referendumeve për çështje që kanë të bëjnë me qytetarët. “Duam dhe kërkojmë votimin biometrik, elektronik dhe numërimin elektronik, si garanci totale për zgjedhje të lira dhe të ndershme, si detyrë kryesore të qeverisë teknike për qytetarët që jetojnë në Republikën e Shqipërisë, por po kështu, për të garantuar të drejtën e votës për emigrantët shqiptarë kudo ku jetojnë, e drejtë që do të garantohet vetëm përmes një sistemi transparent, siç është sistemi i votimit biometrik elektronik dhe i numërimit elektronik”, nënvizoi Basha. Sipas tij, koha për dialog është gjithnjë. Koha për pazare ka mbaruar një herë e mirë. “Nuk ka më pazare. Nuk do të ketë më pazare. Republikë e Re do të thotë, fund i pazareve politike në kurriz të qytetarëve shqiptarë”, tha Basha.
Sigal