Basha: Shqiptarët nuk kërkojnë lëmoshë por zgjidhje dhe punë

441
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar turin elektoral në Cërrik dhe Peqin. Zoti Basha tha se ka ndodhur, që një qeveri apo një i votuar të mos arrijë të mbajë dot të gjithë premtimet por nuk ka ndodhur kurrë në një vend demokratik, që një qeveri të shkojë në drejtimin e kundërt të premtimeve të saj, siç ka ndodhur me dyshen Rama – Meta. Ata premtuan uljen e çmimit të dritave por e rritën atë, siç rritën çmimin e naftës, taksat, papunësinë dhe varfërinë. Qytetaret varfërohen çdo ditë, ndërsa qeveritarët pasurohen me paratë e qytetarëve.
“U gënjen mendja se ku me presione, ku me shantazhe, ku me sondazhe, ku me thesin e miellit e ku me paratë do të arrijnë të blejnë varfërinë që mbollën në këto dy vite Drama e çdo nëne, e çdo gruaje, shumë prej të cilave janë marrë e çuar në biruca, sepse lidhnin energjinë për fëmijët e sëmurë, të tjera që dhuronin gjakun sepse nuk kishin me çfarë të paguanin faturat e energjisë e mijëra të tjera që janë pa punë, enden pa shpresë në kërkim të një kothere bukë për fëmijët e tyre. Ky është realiteti, këto janë hallet, problemet, papunësia, varfëria, kriza ekonomike. Kjo është gjëma e dyshes Rama-Meta që erdhi me premtime të mëdha para dy vitesh. Dinjiteti i nëpërkëmbur i kryefamiljarëve nuk është në shitje në 21 qershor por do të ndëshkojë me votë ata që e shkelën, ata që e nëpërkëmbën”.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shprehur vendosmërinë tij dhe të Partisë Demokratike për të luftuar deri në realizimin e plotë të ofertës së demokratëve për ulje taksash, çmimesh dhe rritjen e punësimit.
“Do të luftoj deri në fund, deri në fitore për të ulur çmimin e energjisë me 25%, për të falur kamatë-vonesat, për të rritur rrogat e pensionet, për të rritur ndihmën ekonomike dhe për të shtuar në listën e ndihmës ekonomike të gjithë ata që u hoqën me të padrejtë, për të qëndruar në krah të më të pamundurve, duke ulur me 20% çmimin e miellit, orizit, sheqerit, vajit, vezës, qumështit dhe mishit përmes heqjes së TVSH”.
Fatin e betejës, në 21 qershor nuk e vendosin as kërcënimet e Edi Ramës, as paratë e pista të krimit, por e vendos rruga e zgjidhjes për të dalë nga varfëria e ulur këmbëkryq, që nuk kërkon lëmoshë, por kërkon zgjidhje, kërkon punë, kërkon dinjitet, kërkon respekt, – theksoi zoti Basha, duke shpalosur ofertën e Partisë Demokratike.
”Ne e kemi rrugën e daljes nga kjo krizë, ne kemi vizionin, ne kemi vendosmërinë dhe ne do ta ofrojmë atë e me votën tuaj do të hapim një rrugë tjetër. Kjo është rruga e uljes së taksave, kjo është rruga e uljes së çmimit të energjisë e cila është dyfish më e lartë se në çdo vend tjetër në Ballkan, kjo është rruga e një fondi të trefishuar për bujqësinë por që vjen drejtpërdrejt tek fermerët e nuk shkon në një grusht njerëzish që abuzojnë paratë e taksave tuaja, kjo është rruga e punës, punësimit për të gjithë të papunët e Peqinit e në veçanti për rininë punëtore e fisnike të Peqinit” – theksoi zoti Basha.
Sigal