Basha: Shqipëria po ecën drejt humnerës ekonomike si pasojë e keqqeverisjes

411
Mazhoranca harxhon çdo ditë 6 mijë euro për propagandë televizive, shumë e barabartë me asistence sociale për 400 familje në muaj
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha prezantoi kandidatët për kryetarë bashkie në Malësi të Madhe z. Anton Koka, në Pukë z. Rrok Doda dhe në Fushë-Arrëz z. Gëzim Vata.
Qytetarët po bashkohen çdo ditë e më shumë, tha zoti Basha, duke tejkaluar si asnjëherë më parë barrierat politike, për të shprehur me votën, gjykimin e tyre, për keqqeverisjen dhe për t’i dhënë mësimin e merituar qeverisë që i mashtroi, i gënjeu, e braktisi, i poshtëroi, i la në mes të katër rrugëve. Sot qytetarët shohin si të vetmen shpresë eksodin, numri i qytetarëve që kanë kërkuar azil në muajin prill në Gjermani ka kaluar edhe ata sirian.
“Shqipëria po ecën drejt humnerës ekonomike. Rritja e taksave, mosmbajtja e premtimeve për vende të reja pune, shkatërrimi i perspektivës së rinisë, gjobat, rritja e çmimit të energjisë, por mbi të gjitha arroganca, mashtrimi, shpërfillja dhe poshtërimi që dyshja Rama-Meta dhe bandat që i rrethojnë i bëjnë popullit të tyre, janë rrënjët e së keqes, janë shkaqet e vërteta të eksodit, shkaqet e vërteta të krizës ekonomike dhe gjithanshme”,- theksoi kreu i demokratëve Basha.
Qeveritarët, theksoi zoti Basha, i shmangen llogaridhënies para qytetarëve dhe me paratë e taksave te shqiptarëve bëjnë propagandë televizive. 6 mijë euro në ditë, theksoi kryetari i Partisë Demokratike, shpenzojnë qeveritarët për daljet e tyre live ne tv. Me paratë që shpenzojnë çdo ditë qeveritarët do të mundësohej asistencë vjetore për 35 familje, të cilat sot nuk sigurojnë dot as buken e gojës.
“8 milionë e 400 mijë lek të taksapaguesve shqiptarë i kushton shfaqja televizive e Edi Ramës shqiptarëve. E barabartë, me asistencën mujore të mbi 400 familjeve. E barabartë me asistencën vjetore të 35 familjeve ne vit. Çdo ditë në televizor i heq bukën e gojës 35 familjeve që nuk e marrin asistencën më, sepse paratë e taksave tuaja, shpenzohen që Edi Rama të dalë 4 herë në ditë në televizor”,- u shpreh kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Kryetari Basha tha se, ndërsa gjendja ekonomike për shqiptarët po përkeqësohet, çdo ditë të vetmit që po ecin në “drejtimin e duhur” janë qeveritarët që po pasurohen me shpejtësi dhe kriminelët që kanë rilindur, duke u futur në parlament të cilët kanë zënë postet më të larta në administratë.
“Me siguri ata janë në drejtimin e duhur, se ata janë të vetmit që po ja shohin hajrin pushtetit. Sarajet e tyre po lartësohen, kontot e tyre bankare po majmen ditë përditë. Klientela e pushtetit pasurohet ditë përditë. Kryeministri bredh si turist, ndërkohë që popullin e vet e ka çuar refugjat me teshat në shpinë dhe fëmijët dorë për dore”,- theksoi Basha.
Sigal