Basha: Shkodra bashkon votat kundër papunësisë dhe varfërisë

529
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha vijoi turin e bashkëbisedimit me banorë dhe tregtarë në Malësi të Madhe, Shkodër dhe Bushat. Taksat e larta, mungesa e subvencioneve, rritja e çmimit të energjisë, papunësia dhe rënia e fuqisë blerëse kanë qenë shqetësimet që banorët, fermerët dhe tregtarët i kanë shprehur zotit Basha.
“Rama dhe Meta po bëjnë çdo gjë për t’i ikur ballafaqimit, se ata e dinë që ju a kanë rritur taksën. Më 21 qershor, me votën e shqiptarëve, të ulim taksat, të ulim çmimin e energjisë, të ulim çmimin e naftës dhe t’i japim mundësi biznesit të hapë vende pune, të shtojë të ardhurat. Vetëm këto mund ta hapin prapë këtë qepen, vetëm këto mund ta hapin perspektivën, me punë dhe dinjitet”, tha Basha.
Tregtarët thonë se qytetarët marrin me listë që nga ushqimet e deri tek veshëmbathjet. Kjo gjë ka vënë në vështirësi shumë tregtarë të cilët kanë vendosur të mos japin më me listë. Shumë biznese kanë shkuar drejt falimentimit dhe qindra qytetarë kanë marrë rrugët e emigrimit. Shqetësim për banorët ishin dhe faturat abuzive të energjisë elektrike.
“Këtu, rrogat janë më të ulëtat në Ballkan, mjerimi është më i larti, taksat janë më të larta. Në platformën tonë kombëtare kemi heqjen e TVSH-së për mallrat e shportës, duke përfshirë edhe miellin. Oferta e Partisë Demokratike propozon 25% ulje çmimin e energjisë dhe faljen e kamatë-vonesave për të gjithë shqiptarët”, u shpreh Basha.
Përballë tentativave për blerje votash, një shkodran ka dhënë një mesazh për të gjithë qytetarët: “I bëj thirrje gjithë popullit të Shkodrës e popullit shqiptar, s’ka të majtë e të djathtë, fukarallëku është i njëjtë për të gjithë. Nuk duhet me e shit votën, se e pamë 20 mijë lekëshin a 30 mijë lekëshin ku na çoi.
Sigal