Basha: Sherr brenda klaneve të drogës në qeveri

642
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, nënvizoi se kapja e 613 kilogramëve kokainë është një kronikë e paralajmëruar nga opozita. “Në mënyrë të përsëritur kemi denoncuar në Kuvend dhe në media se krimi i organizuar me mbështetje qeveritare, ka marrë nën kontroll trafikun e drogave të forta, kokainë dhe heroinë. Kjo ngarkesë rekord e kokainës nuk mund të kalonte nga Shqipëria pa garanci politike. Këtë paralajmëroi edhe Kryeprokurori i Antimafias de Raho të hënën në Tiranë, kur deklaroi se mafia ka lidhje me politikën shqiptare dhe ka pushtuar policinë. Me këtë rast dua t’i shpreh mirënjohjen partnerëve të huaj që drejtuan operacionin me sukses dhe e vunë para faktit të kryer narkoshtetin dhe levat e tij në Shqipëri”, u shpreh Basha. Sipas kreut të opozitës, rrokada nga klani Tahiri-Habilaj i kanabisit tek klanet e heroinës dhe kokainës të Xhafajve me kompani, kanë si pikë të përbashkët mbrojtëse, kryeministrin Edi Rama. “613 kilogramët e kokainës, të kapura për shkak të partnerëve tanë, janë tregues se Shqipërinë sot e drejton banda e kokainës, dhe se largimi i saj dhe krijimi i një qeverie anti-mafia është emergjencë kombëtare”, tha Basha. Ai shtoi se kokaina futi në sherr klanet e drogës në qeveri. “Edi Rama dhe Fatmir Xhafaj janë aq të pabesueshëm, saqë i pari i bandës thotë se operacioni për kokainën ishte rezultat vetëm i agjencive shqiptare, ndërsa i dyti thotë se kapja u krye në bashkëpunim me agjencitë e huaja. Cilin nga klanet e drogës duhet të besojmë? Atë të Edi Ramës, pra klanin e kokainës së Xibrakës, apo klanin e Bolonjës së Agron Xhafajt, i cili ka përvojë më të gjatë me trafikun e drogës nga Amerika Latine, për të cilin është dënuar në Itali. Ndërkohë ky që i kapën 613 kg kokainë sot, dhe që është larguar në drejtim të paditur, paska bërë 97 rrugë Kolumbie nën hundën e Edi Ramës dhe Tahir-Xhafajve të tij”, nënvizoi Basha.
Sigal