Basha: Seiti do të pendohej, Rama mbrojti Tahirin

645
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, e cilësoi si skandalin më të madh në 27 vjet histori atë e përmblodhi si “rrëmbimi i Nezar Seitit, financieri i bandës së Habilajve”. “Njeriut që ka mbajtur shënim se sa para i janë dhënë Saimir Tahirit, sa për veten e tij, sa për Edi Ramën, sa për zyrtarët e tjerë të lartë të kësaj mafia, të kësaj bando-qeverie. Dhe i cili sipas vetë pohimeve të familjarëve të tij ishte bërë gati të kthehej në bashkëpunëtor të drejtësisë, duke i dhënë kështu çështjes “Tahiri -Habilaj” një zgjidhje vendimtare, duke rrëzuar çdo alibi të Ramës për mosarrestimin dhe mosvënien para drejtësisë dhe prapa hekurave të ministrit të tij shembull, duke i dhënë Shqipërisë peshkun e parë të madh, i cili do të hapë rrugën për peshqit e tjerë të mëdhenj autorët e inkriminimit të Shqipërisë, autorët e aleancës me krimin, autorët e mbytjes së Shqipërisë në drogë si pasojë e së cilës shqiptarët sot janë më të varfër, më të papunë, më të pashpresë dhe me emigracionin më të lartë sesa në 15 vitet e fundit”, tha Basha. Kreu demokrat shtoi se “mafia në pushtet e ekstradoi duke shkelur të gjitha ligjet me një qëllim, që t’i mbyllë gojën dhe të zvarrisë dhe të mbrojë Saimir Tahirin, për të mbrojtur Edi Ramën, për të mbrojtur kupolën mafioze në pushtet”. Ai shpjegoi se opozita në Parlament kërkoi fjalën në përputhje me rregulloren për të kërkuar praninë e Edi Ramës i cili u fsheh, siç u fsheh para bashkimit të shqiptarëve më 27 janar. “Kërkoi vrimën e miut për t’u fsheh opozitës siç u fsheh zërit të qytetarëve më 27 janar”, tha Basha. Sipas tij, opozita, kërkoi praninë e Edi Ramës për ta përballur pikërisht me këtë skandal më të madhin në 27 vite. “I rëndë është bashkëpunimi i ish-ministrit të Brendshëm me bandat e drogës dhe përfitimi i milionave të drogës. Por shumëfish më i rëndë është ky skandal i cili vërteton se Kryeministri, Ministri i Brendshëm, Ministri i Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Drejtoria e Ekstradimeve në Prokurori, Drejtoria e Ekstradimeve në Ministrinë e Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, Interpoli, Policia e Shtetit janë bërë të gjithë bashkë në këtë komplot, në këtë konspiracion për t’i mbyllur gojën dëshmitarit kyç në momentin që ky pranoi të bëhej bashkëpunëtor i drejtësisë. Vendi është në kthetrat e mafias. Opozita nuk do të pranojë kurrë t’i mbyllet goja. Ky nuk është më një Parlament”, u shpreh Lulzim Basha. Ai shtoi se më 27 janar shqiptarët treguan se e kanë vrarë frikën dhe se e kanë vendosur të marrin fatin e tyre në duart e tyre. “Opozita do të jetë në krah dhe në ballë të kësaj përpjekje jetike për të marrë në dorë fatin tonë. I cili sot është në duart e një bande kriminale, siç e provon qartësisht super-skandali i rrëmbimit nga shteti të dëshmitarit kyç Nezar Seitaj”, tha Basha.
Sigal