Basha rrit tonet dhe paralajmëron Ramën: Populli del në rrugë, gati bashkimi i armatave…

164
Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka paralajmëruar sot që prej javës tjetër nis mosbindja civile e lëvizjes popullore të drejtuar nga opozita në të gjithë vendin. Me tone të forta, Basha bëri thirrje për protesta duke theksuar se zgjedhje pa opozitën nuk do ketë.
Pas dështimit të negociatave për zgjidhjen e krizës politike, Basha foli për një bashkim armatash paqësore të republikës së re nga jugu në veri e nga lindja në perëndim.

Ai tha se fushëbeteja e parë do të jetë Kavaja, ku më 7 maj, ditën e zgjedhjeve për kreun e ri të bashkisë, opozita ka paralajmëruar një protestë të madhe.

“Duke nisur nga sot kjo lëvizje e madhe popullore bëhet gati të shtrihet dhe çlirojë sheshet e republikës së vjetër përmes një aksioni të përshkallëzuar politik, përmes akteve të mosbindjes civile që do shpalose njëri pas tjetrit. Votime pa opozitën nuk do ketë, zgjedhje të diktuara nga krimi nuk do ketë. Nga java tjetër nis bashkimi i armatave paqësore të republikës së re nga jugu në veri nga lindja në perëndim. Fushëbeteja jonë e parë dhe fitorja jonë e parë kundër zgjedhjeve fasadë është Kavaja e lirisë dhe demokracisë”, deklaroi Basha.