Basha: Reformë për forcimin e drejtësisë, jo kapjen e saj nga dyshja Rama-Meta

67

Mesazhi i Kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha në mbledhjen e Grupit Parlamentar, mbi nismën e mazhorancës për futjen nën kontroll të sistemit, dhe propozimet e opozitës për forcimin e drejtësisë.

Të nderuar deputetë,

 Dua ta nis duke shprehur në emrin tim, në emrin tuaj shqetësimin tonë të thellë për tragjëdinë e sotme në Fier ku humbën jetën 5 bashkështetas, bashkëqytetarë tanë në mënyrë tragjike. Shpreh ngushëllimet të gjithë të afërmve, komunitetit. Ti biem edhe njëherë këmbanës së alarmit për këtë situatë të rënduar që sa vjen e rëndohet nga njëra anë, alarm që bëhet edhe më i madh dhe i thëllë. Nga ana tjetër sheh një kryeministër bufatorik, një qeveri bufatorike që ka mbetur në ekranët e televizioneve të verës, ku mbahen fjalime të gjata që mërzisin edhe Fidel Kastron, për suksese imagjinare, e ngaqë nuk binden as vetë nga këto diare verbale të verës tashmë kanë futur duart në xhepat e taksapaguesve shqiptarë me paratë e të cilëve nuk hapin vende pune, nuk sigurojnë shërbim shëndetësor, nuk sigurojnë asnjë lehtësi për shtresat në nevojë që po zhyten ditë e për ditë në batakun e mjerimit, por paguajnë reklama në billbordet e Koço Kokëdhimës për suksest e tyre imagjinare. Në ditë më të zezë zor se është katandisur dikush që nga koha e propagandës së shfrenuar  të regjimit diktarorial të Enver Hoxhës.

 Javën e kaluar, bashkë me një pjesë të deputetëve tanë, patëm një takim me përfaqësuesit diplomatikë të komunitetit europian dhe euro-amerikan, dhe organizatave ndërkombëtare, në vazhdën e takimeve e komunikimeve periodike me ta për t’i mbajtur të informuar rreth zhvillimeve në vend  dhe qëndrimeve  të opozitës.

 Një nga temat kyçe të bashkëbisedimit në takimin e mësipërm ishte ajo e Drejtësisë, parë në dy këndvështrime:

 Në një anë nevoja për të forcuar pavarësinë dhe profesionalzimin e gjykatave dhe gjyqtarëve, si dhe për të luftuar korrupsionin  dhe abuzimet në sistem për të cilat Partia Demokratike ka qenë dhe është e gatshme të japë kontributin dhe alternativën e saj.

 Nga ana tjetër transmetimi i shqetësimit, më saktë alarmit tonë të mbështetur në fakte dhe argumente të pakundërshtueshme në lidhje me  sulmin e pashembullt verbal dhe nismat antidemokratike dhe antikushtetuese të Edi Ramës dhe Ilir Metës për të pushtuar dhe kapur drejtësinë, për ta aneksuar atë pushtetit të tyre oligarkik me bazë mafioze dhe banditeske.

 Dallimi mes nesh si opozitë dhe qeverisë Rama-Meta përballë problematikës apo edhe sëmundjeve që mbart sistemi i Drejtësisë është i madh, është thelbësor, dhe mbi të gjitha është parimor;

 Ne nisemi nga  vlerësime dhe konsiderata,  të cilat i  ndajmë me të gjithë partnerët dhe miqtë tanë perëndimore se drejtësia e re shqiptare në sistemin e ri demokratik ka akumuluar arritje por probleme dhe defekte  të ndryshme gjatë këtyre 23 viteve të hapjes, se arrritjet duhen njohur e konsoliduar, ndërsa problemet dhe defektet duhen trajtuar e zgjidhur me vendosmëri, por në mënyrë ligjore.

 Ndërkohë, Rama dhe Meta me të tyrët edhe në këtë fushë niset nga sindroma e vitit zero dhe stigmatizimi përmes shembujsh të veçantë, që i qëmtojnë me tendencë përmes levave të pushtetit të kapura në mënyrë arbitrare, për të njollosur e damkosur gjithë sistemin dhe për derivuar në këtë mënyrë “lejen” për të shkelur me këmbë gjoja si çlirimtar të sistemit të drejtësisë.

 Ne mbrojmë me vendosmëri të palëkundur bindjen se problemet e drejtësisë duhet dhe mund të rregullohen në bashkëpunim, gjithpërfshirje dhe dialog mes palëve, sistemit të Drejtësisë dhe me asistencën dhe faktorin ndërkombëtar. Përmes mekanizmave ligjorë që burojnë dhe respektojnë Kushtetutën dhe standardet  perëndimore,  pa  prekur  parimin e ndarjes, pavarësisë dhe balancës demokratike  të pushteteve.

 Rama dhe Meta kërkojnë të imponohen me arrogancë dhe pa asnjë konsultim, me ligje të improvizuara jashtë kuadrit kushtetetues, pa asnjë mbështetje  në praktikat e mira europiane, që cënojnë në themel parimet e drejtësisë, siç janë edhe amendamentet e fundit në Ligjin e KLD-së, ku dyshimi barazohet me ndëshkimin paradhënie, pa pritur  zbardhjen e së vërtetës në rrugë ligjore. Nuk  mund të reformohet drejtësia duke goditur demokracinë, nuk ka drejtësi pa demokraci.

 Ne jemi për konsultimin dhe gjithëpërfshirjen e gjithë aktorëve dhe faktorëve institucionalë të sistemit të Drejtësisë, siç janë Presidenti i Republikës,  KLD-ja, Konferenca e Gjyqësorit, e tjerë. Ne kemi qenë dhe jemi për marrjen e domosdoshme të asistencës europiane dhe amerikane për  reformën në drejtësi, për konsultimin me Komisonin e Venecias, misionin EURALIUS dhe institucione  të tjera të specializuara të BE-së.

 Rama me të tijtë e kanë nisur vetëm, po e vazhdojnë vetëm dhe duan ta bitisin vetëm pa pyetur as faktorët vendas, as ndërkombëtarët, duke demaskuar në këtë mënyrë synimin e tyre të vetëm dhe të vërtetë për ta kapur dhe nënshtruar politikisht drejtësinë, për tu mbrojtur politikisht për vete dhe për ta ndërsyer politikisht kundër opozitës apo çdo zëri kundër.  

 Këto çështje janë në fokus të referimeve dhe komunikimeve tona intensive me miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë, duke qenë se drejtësia nuk është paketë fiskale ku çdo qeveri ka të drejtë ta bëjë siç e  mendon vetë, por është një aset i përbashkët i demokracicë, të cilën e ndajmë me gjithë vendet e Aleancës së Atlantikut dhe Këshillit të Europës ku bëjmë pjesë dhe të BE-së ku jemi kandidatë.

 Në këto ditë shumë kritike për drejtësinë shqiptare, sot kemi kënaqësinë të mbajnë shënim dhe të përshendesim qëndrimin e fundit të pranisë së OSBE-së në Tiranë, e cila e konsideron amendamentin e shumicës për pezullimin automatik të gjyqtarëve vetëm për shkak të regjistrimit të një procesi penal, një masë dispropocionalisht të ashpër që  kërcënon funksionimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë  në veçanti, por edhe të gjyqësorit në përgjithësi.

 Shënojmë me kënaqësi qendrimin e Bashkimit Europian i cili në mënyrë të përsëritur kërkon gjithëpërfshirje, transparencë dhe dialog dhe jo nxitje prapa kulisave për të kapur çfarë mund të kapim.

 Këto janë reagimet e para ndërkombëtare. Reagime të tjera do të pasojnë. Asnjë vend demokratik, asnjë organizatë apo institucion demokratik europian dhe euroatlantik nuk mund të pajtohen me sjelljen, qasjen, aktet dhe objektivat e dyshes Rama-Meta për të  suprimuar pavarësinë e pushtetit gjyqësor në Republikën e  Shqipërisë.

 Sistemi ynë demokratik, institucionet e pavarura që janë të gjitha të kërcënuara, Partia Demokratike, mediat e lira, opinioni i shëndoshë publik, nuk mund ta pranojnë dhe nuk mund ta lejojnë këtë.

 Nisma ligjore e javës së kaluar për të kurdisur mekanizmin e  nënshtrimit të  KLD-së dhe gjithë trupës se gjyqtarëve në vend duket në pamje të parë dhe për vëzhguesit e pakujdesshëm si një reagim i shkëputur shkëputur, thuajse emocional ku Edi Rama hedh gurin e fsheh dorën siç e ka zakon në një lojë qesharake kungulleshkash, ku askush nuk merr publikisht autorësinë e  nismës antidemokratike dhe antikushtetuese.

 Në fakt nuk është kështu. Në fakt është akti i radhës i një platforme politike të qartë e të plotë që ka në shenjeshtër jo elementë të veçantë e të shkëputur të  piramidës së institucioneve dhe korpusit ligjor të vendit, por vetë themelet mbi të cilat ngrihet dhe qëndron sistemi demokratik, bashkëjetesa demokratike në shoqërinë  e hapur.

 Edi Rama, me miratimin  dhe bekimin e ortakut të tij politik Ilir Meta, ka vënë në shenjestër qysh prej fillimi këto themele.

 E nisën me goditjen e konsensusit për ligjin e nëpunësit Civil, siç nuk kishte bërë asnjë tjetër para tyre. Marreveshja është një vlerë e veçantë  për normalitetin dhe qëndrueshmërinë e sistemit demokratik. Kush e prek apo e mohon atë në mënyrë të njëanshme del jashtë këtij sistemi.

 Këtë bëri dyshja Rama-Meta.

 E vazhduan me shitblerjen e votave në zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë e Korçës, si pjesë e ekspertimentit të nisur që në zgjedhjet e vitit 2013, që mendojnë ta zbatojnë akoma më gjërësisht në zgjedhjet e ardhshme duke goditur kollonën vertebrale të sistemit, që janë zgjedhjet e lira dhe vota e lirë.

 Ka vijuar me kapjen arbitrare të institucioneve të pavarura, me shantazhimin dhe intimidimin e tyre.

 Goditja dhe kapja e drejtësisë përfaqëson etapën e radhës të platformës oligarke Rama-Meta për goditjen e vlerave themelore, platfomë tipike e regjimeve kleptokratike dhe oligarkike që kanë si parim kapjen e shtetit, sundimin, jo qeverisjen.

 Goditja e Drejtësisë u parapri me një sulm verbal të  pashembullt të Edi Ramës ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve duke i fyer, duke i krahasuar  në grup, si kategori, me “Gaten” e Lazaratit, duke u përbetuar me terma të tillë si “zhdukim”, “shporrim”, “burgosim” e tjerë, edhe pse Kryeministri aktualisht nuk ka asnjë mekanizëm në dorë për ta realizuar këtë. Edhe pse në fakt narkotrafikantët dhe banditët e dënuar për trafiqe e prostitucion ai i ka bërë drejtorë, kryetarë këshillash qarku dhe deputetë.

 E kemi thënë dhe dua të përsëris se ne kemi qenë dhe jemi për  forcimin dhe intensifikimin e luftës kundër korrupsionit në sistemin edhe në sistemin drejtësisë, se nuk e personalizojmë me emra këtë përpjekje, se nuk mbrojmë apriori asnjë gjykatës, asnjë prokuror  përsa kohë besojmë se është sistemi dhe ligji që siguron e duhet të sigurojë si promovimin, ashtu edhe  ndëshkueshmërinë  e gjyqtarëve  apo prokurorëve.

 Por fakti që ka korrupsion, nuk mund të  përdoret për të  marrë nën kontroll politikisht sistemin. Korrupsioni duhet të luftohet në ruajtje dhe në forcim të pavarësisë së gjyqësorit.

 Gjatë qeverisjes tonë ka vepruar Strategjia Ndërsektoriale e Drejtësisë, për periudhën 2011 – 2013, e hartuar nën asistencën e ekspertëve të Bashkimit Europian. Masat kryesore dhe emergjente të parashikuara në Planin e Veprimit të kësaj Strategjie janë përmbushur, mirëpo pjesa tjetër mbeti e parealizuar për shkak se miratimi kërkonte shumicë të cilësuar në Kuvend.

 Deri më tani dyshja Rama-meta nuk ka ofruar ndonjë alternativë apo vizion për reformimin e sistemit të Drejtësisë. Ndonëse kanë pohuar në çdo komunikim me Komision Europian se janë në pritje të sugjerimeve të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi, rezulton se pranë këtij Komisioni kanë dërguar vetëm disa ndryshime sporadike në Kodin e Procedurës Civile dhe Kodin e Procedurës Penale, të cilat kanë qenë pjesë e Strategjisë së Drejtësisë të hartuara nga qeverisja jonë dhe që është vijuar prej qeverisë aktuale.

 Në opinionin e lëshuar nga Komisioni i Venecias për këto ndryshime, përmendet shkurtimisht edhe fakti se qeveria në Janar ka identifikuar gjashtë pika kyçe të Reformës në Drejtësisë. Mirëpo nuk ka asnjë dokument strategjik që të detajojë vizionin e Qeverisë për secilën nga këto pika. Mungesa e një dokumenti strategjik ku të pasqyrohet vizioni i saj për përmirësimin e sistemit të drejtësisë është një tjetër tregues për ne dhe faktorin ndërkombëtar se nevoja e vetme e dyshes Rama-Meta është që nëpërmjet “reformës në drejtësi” të arrijë të sigurojë kontrollin, kapjen dhe nënshtrimin e sistemit të drejtësisë.

 Shembulli më i qartë e më i freskët janë ndryshimet e fundit në ligjin e KLD-së, që kanë alarmuar e madje skandalizuar opinionin publik dhe partnerët tanë. Përballë këtij vizioni okult dhe oligarkik ne nuk kemi vetëm denoncimin, kemi edhe propozimet tona, alternativën tonë. Ne  do të shpallin së shpejti dokumentin strategjik të PD-së dhe opozitës për Reformën në Drejtësi.

 Bazuar në Raportet e Progresit të Komisionit Europian, si dhe në Raportin më të fundit të GRECO-s, qëndrimi ynë parimor bazohet në parimin e konsolidimit të pavarësisë, eficencës dhe efikasitetit të sistemit të drejtësisë. Reforma në Drejtësi, sipas nesh, duhet të bazohet në dy shtylla kryesore:

 1-    Reformimi i sistemit për të luftuar korrupsionin, i cili duhet të bëhet përmes një procesi gjithëpërfshirës, në dialog transparent dhe me konsultim të të gjitha palëve dhe me asistencën e institucioneve të specializuara europiane dhe euroatlantike.

2-    Konsolidimi i pavarësisë së gjyqësorit nga politika dhe pushteti ekzekutiv, nëpërmjet forcimit të organeve vetqeverisëse të gjyqsorit, si dhe rritjes së rolit të tyre në përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien e gjyqësorit.

 Në hartimin e këtij Dokumenti Strategjik nga ana jonë kemi mbajtur në konsideratë konstatimet e partnerëve ndërkombëtarë, si dhe modelet e vendeve të Bashkimit Europian, me synim mbajtjen larg të pushtetit ekzekutiv nga sistemi i drejtësisë, mbajtje larg të politikës nga drejtësia. Kjo do të bëjë që gjyqtarët të shohin një alternativë që u mbron pavarësinë nga pushteti ekzekutiv, por jo pavarësinë nga ligji, duke krijuar kështu edhe besimin tek publiku se korrupsioni në sistem mund dhe po luftohet.

 Disa nga pikat ku mendojmë të përqëndrohet reforma në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, por që do të diskutohen e konsultohen nga ne me grupet e interesit në kuadrin e transparencës dhe gjithëpërfshirjes janë:

 1-    Bashkimi i inspektoriateve në një të vetëm, duke shkrirë  Inspektoratin  pranë Ministrisë së Drejtësisë, sipas përvojës në të gjitha vendet e BE-së që kanë vetëm një Inspektorat pranë KLD (ky është edhe konstatim i Progres-Raporteve të KE, si dhe Rekomandim i GRECO-s në raportin e fundit), dy-trefishim të burimeve njerëzore të numrit të inspektorëve të KLD, përmirësim të trajtimit financiar dhe fuqizim të statusit të tyre profesional. Aktualisht, pas dixhitalizimit të sistemit,  monitorimi është bërë lehtësisht i realizueshëm dhe është metoda më efikase për të luftuar korrupsionin. Identifikimi i shpeshtë dhe i menjëhershëm i rasteve të korrupsionit dhe gjyqtarëve devijante dhe procedimi me shpejtësi do të sillte besimin e publikut, por do mbante larg qeverisë dhe politikë nga gjyqtarët.

  2-    Heqja e monopolit të Ministrit të Drejtësisë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve. Mund të përfshihet që kjo e drejtë t’i njihet edhe vetë Inspektoratit të KLD, Prokurorit të Përgjithshëm apo Kryetarëve të gjykatave. (ky është edhe sugjerim i Progres-Raporteve të KE, si dhe Rekomandim i GRECO-s në raportin e fundit). Kjo do të rriste numrin e gjyqtarëve të proceduar, por do i mbronte ata nga sulmi politik i qeverisë.

 3-    Përshpejtimi i procedurave sipas rekomandimeve të EURALIOS, GRECO-s, do të sillte një progres të dukshëm e do të bënte që anëtarët e KLD-së të mos ndodheshin në kushtet e konfliktit të interesit dhe të përkushtuar ndaj punës së tyre për evidentimin dhe sipas ligjit ndërshikimin e devijantëve në sistem dhe vlerësimit profesional të gjyqtarëve, të ndodhte në një kohë më të shpejtë. Vlerësimi i shpejtë dhe nga vetë KLD, do rriste besimin tek sistemi i promovimit, ndërsa ndëshkimi i shpejtë i rasteve korruptive do rriste besimin kundër korrupsionit, por duke mbajtur larg ekzekutivin, qeverinë dhe politikën.

 Reforma duhet të përfshijë në pikëpamjen tonë edhe rregullat që lidhen me promovimin apo transferimin e gjyqtarëve të shkallës së parë, duke vënë edhe më shumë theksin tek parimi i meritokracisë.

 Nga ana tjetër, përsa i përket Gjykatës së Lartë, reforma sipas nesh  mund të përqendrohet në këto pika kryesore:

1-    Garantimi i pavarësisë së Gjykatës së Lartë, duke e shndërruar atë në gjykatë karriere 100%. Kjo do të linte jashtë ndikimin e politikës dhe presionin e pushtetit ekzekutiv ndaj Gjykatës së Lartë.

2-    Parashikimin e pamundësisë së Kuvendit për të refuzuar pa shkak dhe pa gjetur vese tek kandidatët, i cili do të mundësonte vlerësimin objektiv dhe punën e papenguar të këtij organi suprem të drejtësisë në Shqipëri.

3-    Parashikimi i rregullave të tjera shtesë që garantojnë pavarësinë dhe llogaridhënien e saj.

 Këto dhe të tjera çështje janë në themel të alternativës tonë për Reformën në Drejtësi, për të cilën, siç e theksova, duam dhe do të konsultohemi edhe me aktorët e sistemit, si KLD, Presidenti, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese, Prokuroria e Përgjithshme, Konferenca Gjyqsore, shoqëria civile, etj.

 Ne  po bëjmë e do të vazhdojmë të bëjmë detyrën tonë si opozitë, por imperativi i ditës është ndalimi dhe tërheqja e ndryshimeve antikushtetuese  të qeverisë, ndalimi dhe tërheqja e saj nga projekti oligarkik për të marrë nën kontroll politik sistemin e Drejtësisë me lloj lloj mënyrash e artificash që nuk kanë asgjë të përbashkët as me sugjerimet e BE-së, as me standardet bazë të një Drejtësie  funksionale e të pavarur.

 Reagimi i Pranisë së OSBE-së është një kambanë alarmi dhe një thirrje që duhet të dëgjohet. Kemi bindjen se vendet anëtarë te BE-së dhe organizata të tjera ndërkombëtare do të ngrenë zërin e tyre kundër rrezikut që kërcënon drejtësinë shqiptare nga  dyshja oligarkike Rama-Meta.

 Një reagim i fuqishëm po vjen e duhet të vijë nga faktori vendas; opozita inkurajon reagimin ligjor dhe institucional të mbarë sistemit dhe institucioneve të drejtësisë, mbështet qëndrimet parimore dhe ligjore të Presidentit të Republikës në mbrojtje të Kushtetutës, ligjeve të shtetit dhe vlerave themelore të sistemit demokratik, ku pavarësia dhe balanca e pushteteve është vlerë e vlerave.

 e besojmë se sistemi që kemi ndërtuar nuk do ta lejojë kasaphanën që  ka në plan dyshja Rama-Meta, sikurse jemi plot besim dhe po japim e  do të japim gjithë kontributin tonë për reformimin demokratik të drejtësisë, për luftën kundër korrupsionin dhe abuzimeve, për rritjen e  profesionalzimit dhe besimit të publikut në një drejtësi të  drejtë që siguron barazi para ligjit për të gjithë.