Basha: Rama shiti Tahirin për interesa të veta, sot mbledhim frontin opozitar

573
“Me Ramën në qeveri dhe jo para drejtësisë, qeveria shqiptare do vazhdojë të jetë karteli i krimit të organizuar dhe drogës”
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha thotë se provat e hetimit tregojnë se narkotrafikantët kanë kontribuar miliona euro në fushatën elektorale të Edi Ramës. Në një konferencë për mediat pasditen e sotme ai deklaroi se 1400 herë PD e ka denoncuar Saimir Tahirin për lidhje me organizatat kriminale dhe trafikun e drogës. Basha tha se Edi Rama burgosi dhe sulmoi oficerin e antidrogës Dritan Zagani, kur ai denoncoi me emra, lidhjet e Saimir Tahirit me të Habilajve. “Rama e ka mbrojtur dhe e kas quajtur bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë Saimir Tahirin si dhe ministrin më të suksesshëm. Sot nuk ka shqiptar të mendojë se Tahiri ka bërë me kokë të tij. Sot Rama e shiti Tahirin për të shpëtuar lëkurën e tij”, u shpreh Basha. Ai shtoi se Tahiri ka qenë ndërmjetësi i Edi Ramës me Habilajt e Shullazët. Basha paralajmëroi se fakte tronditëse do të dalin në ditët dhe javët në vazhdim për të tjerë ministra të Ramës, duke nënvizuar se gjithçka është bërë me bekimin e Edi Ramës, për të cilin tha se është përfituesi kryesor i parave. “Kriminelët pohojnë se për të fituar zgjedhjet janë përdorur miliona euro. Këto janë prova që tregojë edhe skemën se si Rama ka blerë edhe votat”, tha Lulzim Basha. Ai deklaroi se me Ramën në qeveri dhe jo para drejtësisë, qeveria shqiptare do vazhdojë të jetë karteli i krimit të organizuar dhe drogës. Kryedemokrati bëri me dije se ditën e nesërme Partia Demokratike do të thërrasë një tryezë me gjithë spektrin opozitar.“Po troket ora e ballafaqimit me të vërtetën, po troket ora e ballafaqimeve të mëdha”, tha në mbyllje kreu i opozitës.
Tahiri në trafikun e drogës, Kryemadhi: Bashkë me PD kundër krimit
Dalja e përgjimeve nga hetuesit italian pas shkatërrimit të një bande që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike, ku përmendej emri i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ka afruar Partinë Demokratike dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim. Pak minuta pasi Lulzim Basha, deklaroi se Edi Rama shiti Tahirin për të shpëtuar veten dhe paralajmëroi se sot do të thërrasë në tryezë një front të gjerë opozitar, reagon kryetarja e LSI. Monika Kryemadhi në një deklaratë për mediat tha se krimi është ulur këmbëkryq dhe se kjo është një prej situatave nga më të rëndat që ka përjetuar Shqipëria. Ajo deklaroi se çdo shqiptar ndihet më i rrezikuar se kurrë në vendin e tij dhe se shteti i kriminalizuar nga Edi Rama ka kompromentuar rolin e policisë dhe politikës shqiptare. “Sot të gjithë shqiptarët janë bashkë pasi të gjithë janë të rrezikuar. LSI është forcë e qytetarëve kundër bandave dhe krimit, do i shërbejë vendit kundër bandave në rrugë dhe pushtet”, u shpreh Kryemadhi. Sipas saj, Tahiri është një nga hallkat që lidh Ramën me krimin, por tha se ka shumë hallka të tjera që nën drejtimin e Ramës pastrojnë paratë e krimit të organizuar. Kryemadhi deklaroi se mund të ketë shumë pika që ndajnë LSI me PD dhe partitë e tjera, por deklaroi se “çështja që na bashkon është vullneti kundër krimit të organizuar dhe bandave dhe që do e çojmë deri në fund”. Ajo tha se atdheu ndihet në një moment të rrezikuar, ndaj deklaroi se duhet të mblidhemi të gjithë së bashku për ti dalë përpara të keqes që rrezikon Shqipërinë.“Mbështes qëndrimin e zotit Bash për një tryezë politike për luftën ndaj bandave”, tha Monika Kryemadhi.
Sigal