Basha: Rama, shfaqje me qytetarët, masakrën me tatimet e doganat ia tregoi KLSH

441
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i ka kujtuar kryeministrit Edi Rama se dëgjesat publike me qytetarët nuk janë të vërteta. Sipas tij, qeveria nuk është e nevojshme të dalë derë më derë dhe të kërkojë se cilët janë fajtorët për moszgjidhjen e problemeve dhe halleve të mëdha të qytetarëve. Ajo i kujton raportin e fundit të KLSH (duhet thënë një prej tyre se me dhjetëra të tjerë ndodhen në prokurori pa asnjë reagim), ku vetëm nga doganat e tatimet shtetit i është shkaktuar një dëm shumë i madh financiar. Përmes një statusi në facebook, Basha e akuzon Ramën si abuzuesin më të madh me detyrën. “Raporti i sapo bërë publik i Kontrollit të Lartë të Shtetit shpjegon në detaje se dëmi ekonomik i shkaktuar nga keqqeverisja dhe abuzimi vetëm në dogana, tatime dhe tenderë është afro 600 milionë euro. Është tjetër tregues skandaloz i një qeverisje qëllimi i vetëm i së cilës është grabitja e parave dhe pasurive të vendit. Në shfaqjen e tij tragji-komike Edi Rama është duke bredhur në Shqipëri për t’ju kërkuar njerëzve të denoncojnë ata që abuzojnë me detyrën. Nëse e ka seriozisht le të marrë raportin e KLSH-së dhe të pushojë dhe ndjekë penalisht drejtuesit e doganave, tatimeve dhe prokurimeve, dhe ministrat e funksionarët e tjerë publikë që kanë shkaktuar këto dëme. Por kjo nuk ka për të ndodhur, sepse në fakt Edi Rama është vetë shembulli dhe kampioni i abuzimit me detyrën dhe pasuritë publike për interesat e tij dhe klientëve të tij”, shkruan Lulzim Basha në statusin e tij.
Sigal