Basha: Rama-Meta një aksident në rrugën e fatit tonë, t’a lëmë pas me votë

113
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka kërkuar votën e banorëve të Vaut të Dejës për t’ju hequr qytetarëve lakun që ju kanë hedhur në grykë qeveria e pashpirtësive, për të çelur me votë një prespektivë të re ekonomike të dinjitetit, të punës, të respektit, të zhvillimit e të mirëqenies.
“Po vidhen paratë e shqiptarëve me tendera korruptivë, pa minimunin e transparencës. Po vidhen paratë e shqiptarëve në projekte luksi, shumë të shtrenjta, totalisht të panevojshme për të përballuar hallet tuaja të përditshme. Po vidhen paratë e shqiptarëve në Dogana e në Tatime. Kontrabanda lulëzon si në periudhat më të errëta. Pushteti është në ortakëri me krimin, ortakëri të hapur dhe ortakëri të fshehur. 130 milionë dollarë në më pak se 5 muaj i mungojnë arkës së shtetit. Po të shohësh rënien në pikiatë të të ardhurave në Dogana, të shkon mendja se në Shqipëri po e lënë duhanin të gjithë dhe ky do të ishte lajm i mirë. Por në fakt nuk është kështu, lajmi është i zi, lajmi është i keq, lajmi është kontrabanda, lajmi është korrupsioni, lajmi është vjedhja e dyshes Rama-Meta. Të gjithë këto kanë dhënë e s’kanë si të mos japin vetëm një përfundim, shtrëngim të lakut për qytetarët ku nuk mban më, tkurrje, ikje, falimentin të kapitalit dhe të sipërmarrjes, rritjes së papunësisë, rënie të ekonomisë kombëtare, familjare dhe individuale”- theksoi Basha.
Më tej Basha u shpreh se Partia Demokratike dhe kandidatët e saj kanë ofertën e daljes nga kriza, e kthimit te shpreses dhe dinjitetit. Kryefjala e ofertës së demokratëve është punësimi, lehtësimi i jetës së qytetarëve dhe kujdesi ndaj të pamundurve dhe atyre që janë në vështirësi ekonomike. “Kërkojmë votën tuaj sepse alternativën më të mirë e kemi ne. Ofertën e plotë për këto zgjedhje në shkallë kombëtare dhe bashki për bashki. Në boshtin e ofertës tonë siç e kemi shpalosur gjatë gjithë kësaj kohe është lehtësimi i qytetarëve, heqja e lakut, puna dhe punësimi. Ne ftojmë shqipëtarët, unë ju ftoj ju banorë të Vaut të Dejës dhe gjithë bashkisë së re të votoni për uljen e çmimit të energjisë me 25%, për faljen e kamatë-vonesave, për uljen e taksave në nivelin më të ulët në Ballkan, për rritjen e rrogave dhe pensioneve, për futjen në listën e ndihmës ekonomike të gjithë atyre të hequrve me të padrejtë dhe çdo kujt që e meriton”, tha Basha.
Kryetari i PD theksoi në fjalën e tij se dyshja Rama-Meta nuk kanë ofertë, nuk përballen dot me qytetarët prandaj kanë zgjedhur rrugën e kërcënimit, të shpifjes dhe kanë nisur të ndërtojnë skemat e manipulimit dhe shit-blerjes së votës. Zoti Basha theksoi se keto zgjedhje po vëzhgohen nga partnerë europianë dhe amerikan dhe se nuk do të njihet asnjë rezultat i manipuluar. “Dyshja Rama-Meta nuk ka ofertë në këto zgjedhje, as këta të tjerët që kanë dalë këtu si hije, ata janë dështimi, ata janë zhgënjimi popullor, ata janë një aksident në rrugën e fatit tonë që duhet t’a lëmë pas me votë dhe duhet t’a lëmë pas me votë. Oferta e tyre është kërcënimi, janë sulmet dhe shpifjet ndaj opozitës, ndaj kandidatëve tanë, janë skemat e manipulimit dhe blerjes së votës. I kam paralajmëruar dhe po i paralajmëroj sërish: Nuk do të gëzoni asnjë votë të manipuluar, asnjë votë të blerë, nuk njohim asnjë rezultat që nuk del nga vullneti i lirë i zgjedhësve shqiptarë! Opozita është në këmbë, bashkë me miqtë tanë perëndimor kemi vendosur për tolerancë zero ndaj manipulimit dhe blerjes së votës. Tolerancë zero dhe drejtësi deri në fund për autorët e tyre”.