Basha: Rama i asgjësoi të drejtat themelore me blerjen e votës

474
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, akuzoi kryeministrin Rama për asgjësim të të drejtave të njeriut. “Më 10 dhjetor 2017, Ditën Ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, duhej të debatonim si shoqëri për të drejtat e grave, të fëmijëve, për të drejtat e të rinjve, për përmirësimin e kushteve, ku secili të ushtronte dhe të gëzonte të drejtat që i takojnë”, u shpreh Basha në një deklaratë. Sipas tij, fatkeqësisht 27 vite pas ardhjes së demokracisë, ne shqiptarët ende nuk zgjedhim dot të lirë, nuk gëzojmë dot lirinë e plotë të fjalës nga censura e qeverisë mbi median, nuk përfitojmë dot nga liria e vërtetë e tregut prej monopoleve të pushtetit. “Edi Rama i ka asgjësuar këto të drejta me shitblerjen e votës, me shantazhe dhe me kërcënime. Qeveria e tij e shkel përditë dinjitetin e qytetarëve me makutërinë e tenderëve e koncesioneve, me shpërdorimin që ju bën fondeve publike, me arrogancën ndaj njerëzve. Kjo qeveri njeh vetëm privilegjet e saj dhe shkel me këmbë të drejtat e liritë e njerëzve të thjeshtë”, tha Basha. Sipas tij, bashkimi i të gjithë shqiptarëve është garancia e fitores në betejën për liri dhe të drejtat njerëzore.
Sigal