Basha: “Rama e do taksën e ndershme, për të favorizuar miqtë e tij”

389
Sigal

Kryeministri dhe Kryebashkiaku i Tiranës inaugurojnë rikonstruksionin e bulevardit “Petro Nini Luarasi”

Në një takim me banorë të Kamzës, Kryebashkiaku Basha ka bërë të ditur se, Edi Rama e kërkon taksën progresive vetëm për të mbështetur miqtë e tij, siç bëri në krye të Bashkisë së Tiranës, duke e lënë me 50 milionë dollarë borxhe. Nga ana e tij, kandidati për deputet Asllan Dogjani i ka cilësuar mashtrime deklaratat e Ramës për legalizimin, pasi sipas tij nëse ka një person që nuk e do legalizimin ai është Edi Rama. “50 milionë dollarë detyrime të papaguara në Bashkinë e Tiranës, 2 milionë vetëm nga një mik i tij i ngushtë. Atëherë, përse duhet taksa e ndershme!? Duhet pikërisht për këtë, që të gjithë shqiptarët të paguajnë taksë, pa e ditur se sa e lartë do jetë ajo taksë, me përjashtim të miqve të tij” – deklaroi z. Basha. “I vetmi njeri që nuk e do legalizimin ky është, sepse kam qenë aty, e di se sa e do legalizimin e banesave!” – u shpreh kandidati për deputet Asllan Dogjani. Kryebashkiaku Basha, në një takim me të rinj votues për herë të parë, i ka cilësuar ata si pararojë të fitores së PD në gjithë Shqipërinë. “Me punën tuaj, ia kemi dalë në këto javë të fushatës, që Tiranën ta vëmë në ballë të fitores sonë të 23 Qershorit”, – u shpreh z. Basha.

Basha: “Do të nisim rikualifikimin urban të gjithë këtij blloku, me vlerë 4.2 milionë dollarë”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha dhe Kryeministri Sali Berisha kanë qenë të pranishëm në përfundimin e punimeve për rikonstruksionin e bulevardit “Petro Nini Luarasi”, në Njësinë Bashkiake nr.2, një investim prej 63,7 milionë lekësh, i financuar nga Bashkia e Tiranës. Rruga ka sot të gjithë shtresat e nevojshme të inxhinierisë nëntokësore, ujësjellës-kanalizimeve, me riparimet e nevojshme në rrjetin ekzistues dhe shtrimin e rrjetit tjetër, kabllot e telefonisë dhe internetit, ndriçimin me mbi 50 shtylla të reja dhe riparimin e ndriçimit aktual. Po ashtu, janë mbjellë mbi 150 fidanë të rinj pemësh. Kryebashkiaku Basha u ka bërë me dije qytetarëve se me mbështetjen e qeverisë së Kryeministrit Berisha, shumë shpejt nis rikualifikimi urban i gjithë bllokut. Lulzim Basha, në fjalën e mbajtur, ndër të tjera tha: “Për mua është një kënaqësi e veçantë, të rikthehem këtu në këtë rrugë, pas një investimi të premtuar, të buxhetuar, të konsultuar me ju, banorë të kësaj zone, për bulevardin “Petro Nini Luarasi”, i cili prej dhjetëra vitesh dergjej në kushte të papranueshme, si për zonën ku shtrihet ashtu edhe për shërbimin që u bën mbi 15 mijë banorëve të kësaj zone dhe mbi 45 mijë qytetarëve të tjerë që e përshkojnë atë në mënyrë të përditshme, si një arterie kryesore e kryeqytetit dhe një ndër rrugët kryesore për një nga tregjet e qytetit. Sot, me përfundimin e punimeve, dua t’u siguroj edhe njëherë se besimi që ju keni si qytetarë të Tiranës, tek Bashkia e Tiranës, për t’u përkushtuar ndaj shërbimit dhe punës për qytetarët, larg frymës së konfliktit politik, larg luftës politike që i kushtoi banorëve të kësaj zone plot 11 vite rrugë të pashtruara, kushte të papërmirësuara, do të jetë një besim që do të shpërblehet, pasi rruga, bulevardi “Petro Nini Luarasi” është vetëm fillimi i punës sonë. Në partneritet me qeverinë e Kryeministrit Berisha, ne do të bëjmë të mundur shumë shpejt nisjen e rikualifikimit urban të gjithë këtij blloku, me një vlerë prej 4.2 milionë dollarësh, gjysma e fondit e parashikuar si mbështetje nga qeveria e Kryeministrit Berisha. Duke falënderuar të gjithë ata që mundësuan përfundimin e investimit në një kohë kaq të shkurtër, duke u uruar banorëve të kësaj zone dhe gjithë atyre që e përdorin këtë rrugë në mënyrë të përditshme, që të gëzojnë kushtet e reja në të cilat ndodhet kjo arterie e rëndësishme e kryeqytetit, ju kërkoj që përsëri me besimin tuaj, me vendimin tuaj të zgjuar si qytetarë, t’i jepni vetes suaj, t’i jepni bashkisë suaj mundësinë, për të vijuar me projektet e tjera të mëdha që e presin këtë zonë dhe mbarë Tiranën”.

OLLDASHI: “QYTETARËT ME VOTËN E TYRE TË NDËSHKOJNË POLITIKAT E BLLOKIMIT”

Kryesuesi i listës së PD-së në Qarkun e Fierit, ministri i Transporteve, Sokol Olldashi dje është  takuar me banorët e qytetit të Fierit, dhe konkretisht me banorët e lagjeve “Kadri Qystri” dhe “Karbunar”. Në bashkëbisedimin e banorët e qytetit të Fierit, kandidati i PD-së, Sokol Olldashi, theksoi rëndësinë që ka kësaj here, vota e 23 Qershorit përcakton edhe drejtimin që do të marrë  e ardhmja e Shqipërisë. “Rama bllokoi integrimin e Shqipërisë, për t’u shërbyer interesave të veta, egos së tij, ndaj qytetarët me votën e tyre, duhet të ndëshkojnë politikat e bllokimit”, theksoi ndër të tjera, ministri Olldashi. Qytetarët i shprehën ministrit Olldashi edhe shqetësimet e tyre për çoroditjen që është mbjellë lidhur me taksën progresive. “Taksa progresive që kërkon të zbatojë shoferi Rama, kërkon që të kthejë taksën e Marksit e të dënojë biznesmenët,  të cilët përpiqen që të hapin vende të reja pune. Rama, kërkon, që të marrë taksa nga 5 % i popullsisë, që të ushqejë 95 % e popullsisë. Kjo është në thelb taksa mavi”, shpjegoi Olldashi. Olldashi u përgjigj edhe problemit të legalizimit. ” PD-ja bëri gjithçka që legalizimi i pronës dhe i shtëpive të futet në rrugën e zgjidhjes. Tashmë, në të gjithë vendin, po ecet me ritme të shpejta, sepse kemi bërë të thjeshtë dhe transparente gjithë procedurën e legalizimit”.