Basha: Rama bllokon veprat publike jo nga pamundësia, por nga mllefi

415
Sigal

TIRANE – Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha ka zgjedhur rikonstruktimin e shkollës 9-vjeçare “Ahmet Gashi” për të përcjellë akuza politike ndaj kryeministrit Edi Rama sa i përket bllokimit që sipas tij, qeveria i ka bërë veprave publike të kryeqytetit. “Në këtë vepër publike sikundër çdo vepër publike të Tiranës, Edi Rama ka vendosur një bllokadë të papare dhe të padëgjuar ndonjëherë, atë që s’e ka bërë asnjë kryeministër, as Fatos Nano, as Berisha, as Majko, madje as Meta, ja ka dalë ta bëjë Rama që ka bllokuar në mënyrë të paprecedentë çdo vepër publike në Tiranë. Ka pasur mosmarrëveshje mes pushteteve, por kurrë më parë një kryeministër s’ka ndëshkuar një milet të tërë për shkak të opsesioneve të tij politike”, tha Basha. Kryebashkiaku tha se bllokimi që i bëhet këtyre investimeve nuk është për shkak të pamundësisë së qeverisë, por për shkak të mllefit të vetë kryeministrit Rama, të cilin e quajti një njeri hakmarrës ndaj qytetarëve të Tiranës. “Nuk kishte nevojë të jepte asnjë lekë, por në bazë të ligjeve duhet të bashkëfirmoste me Bashkinë e Tiranës për ti hapur rrugë koncensionit. S’ka firmosur jo prej pamundësisë, por prej dufit dhe mllefit. Kur ka qenë kryebashkiak ka marrë fonde nga qeveria, i ka marrë per qytetarët, sepse kështu funksionojnë gjërat. Sot nisim sezonin e përfundimit të disa veprave publike. Shumë prej investorëve nuk i kanë marrë akoma paratë për shkak të këtij bllokimi paradoksal, por puna do të vazhdojë”, u shpreh kreu i Bashkisë së Tiranës, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Basha radhiti ndër veprat publike të bllokuara sipas tij nga qeveria, Bulevardin e Tiranës, terminalin e pasagjerëve si dhe  projektin e dhënies me koncesion të mbledhjes dhe përpunimit të mbetjeve. Investimi për rikonstruktimin e shkollës “Ahmet Gashi” është afro 3 milionë dollar dhe i përgjigjet nevojave të 1 mijë fëmijëve.