Basha: Rama, Al Capone në karrigen e kryeministrit

469
I sapokthyer nga Uashingtoni, Lulzim Basha përforcoi qëndrimin e opozitës sa i takon dialogut për reformën në drejtësi dhe paralajmëroi se demokratët nuk do të kthehen në tryezën e bisedimeve pa u plotësuar më parë kushti i tyre për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të kërkesës për shqyrtimin e mandateve të dy deputetëve socialistë. “A mund të ketë dialog kur njëra palë në tavolinë nxjerr armën? Sigurisht që jo. Edi Rama në fakt nuk vë armën në tavolinë, por bombën atomike kushtetuese. Po diskutojmë që të bëjmë disa ndryshime në Kushtetutë për drejtësi më të pavarur, për rregulla kushtetuese dhe ligjore, ndërkohë që Rama thotë që nuk dua të zbatoj rregullin aktual, që thotë se nëse një deputet kapet me fondet publike shkon në Gjykatën Kushtetuese”, tha Basha.
Kreu i demokratëve përmendi për këtë vendimin e Kushtetueses në rastin e shqyrtimit të mandatit të deputetit Koço Kokëdhima. “Nuk negociohet as Kushtetuta dhe as vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Pa zbatuar vendimin, dialogu me Edi Ramën është baraz me dialog me terroristët dhe Partia Demokratike nuk dialogon me terroristët”, u shpreh Basha. Kokëdhima nuk ishte i vetmi. Demokratët kanë depozituar në Kuvend kërkesën për dërgimin për shqyrtim në Kushtetuese edhe mandatet e Rakip Sulit dhe Valentina Leskajt.
Sigal