Basha qytetar nderi në Mitrovicë: Titulli, jo vetëm vlerësim, por dhe përgjegjësi

489
Nga sot, kryetari i Partisë Demokratike dhe kryebashkiak i Tiranës Lulzim Basha është qytetar nderi i Mitrovicës. Titulli i votuar unanimisht nga këshilli komunal i Mitrovicës iu dorëzua zotit Basha në një ceremoni solemne nga kryetari i Bashkisë së Mitrovicës, Agim Bahtiri. Zoti Bahtiri ka vlerësuar kontributin që zoti Basha ka dhënë për Mitrovicën e Kosovën, për shpalljen e pavarësisë dhe njohjen e saj ndërkombëtare, për ndërtimin e rrugës së Kombit e deri tek ndihma financiare që i dha Mitrovicës për riparimin e shtëpive të dëmtuara nga lufta dhe rikthimin e të shpërngulurve. Zoti Basha e ka konsideruar këtë titull një nder dhe vlerësim për të, ndërsa theksoi se nuk ka bërë asgjë më shumë se detyrën për Kosovën, si shqiptar dhe nip i saj.

 “E quaj veten me fat e i falem Zotit për mundësinë që më ka dhënë për të bërë edhe unë atë që më takonte si shqiptar dhe nip i Kosovës. Ka qenë dhe është detyra ime, është privilegji, të cilin vazhdoj ta kem edhe sot për të ndihmuar sa të kem mundësi për Kosovën. Ndihem fatlum për këtë respekt të rrallë, në këtë ditë të bekuar dhe të shumëpritur nga të gjithë ju qytetarë të Mitrovicës, të Kosovës e mbarë shqiptarët, rikthimin për tu prehur në gjirin e tokës që e lindi kreshnikun e kombit, Isa Boletinin. Nesër dhe dy ditët e ardhshme janë ditët të bekuara, Lidhja e Prizrenit, 137 vjetori i festës së madhe, vjen nesër bashkë me heroin e kombit Isa Boletinit. 11 dhe 12 qershori janë ditët e bekuara dhe të shumëpritura të çlirimit të Kosovës. Dua me këtë rast të përulem me nderim dhe respekt të thellë para atyre paraardhësve tanë, para Syl Vokshit e bashkëluftëtarëve të tij, para Isa Boletinit dhe bashkëluftëtarëve të tij, para arkitektit të pavarësisë së Kosovës Ibrahim Rugova, para komandantit legjendar Adem Jashari, para heroit, luftëtarëve, komandantëve të tyre dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës”, tha Basha

Shpalljen e pavarësisë së Kosovës, zoti Basha e ka konsideruar si një nga momentet më të lumtura të jetës së tij, ndërsa theksoi se ndihej me fat që Zoti i dha mundësi të kontribuonte për të bërë detyrën e tij në këtë proces dhe me pas në lidhjen e shqiptarëve mes tyre, përmes rrugës së Kombit. “Humbëm shumë në këto dekada, por jam i bindur se ne kemi ditur dhe do të dimë ta fitojmë kohën e humbur, që breza të tërë shqiptarësh e mbrujtën me sakrifica, me ëndrra dhe me shpresa. Kur mora përsipër misionin plot me sfida të ndërtimit të Rrugës së Kombit, ndjeva dhe mendova pikërisht se ishte një mision që kishte të bënte me fitimin e kohës së humbur dhunshëm nëpër shekuj. Kishte nevojë për një rrugë, jo në kuptimin letrar, por në kuptimin konkret të fjalës, një rruge mes malesh të ashpra e luginash të thella, një rrugë jo më virtuale. Këtej dhe andej e bëmë punën tonë, e lidhëm Rrugën e Kombit në respekt të një bese të lidhur nga stërgjyshërit tanë, që dikur ishin gati të fluturonin si shqipe maje malesh e të kalëronin shtigjet më të ngushta për të qenë krah njëri-tjetrit, që nga koha e Gjergj Kastriot Skënderbeut, Lidhjes së Prizrenit, Pavarësinë e Shqipërisë së Isa Boletinit, krah për krah me Ismail Qemalin, luftës Çlirimtare të Kosovës, e çdo moment tjetër që lindte nevoja, e çdo moment tjetër që do ta lindë nevoja. 

Sot, këto hapa, këto ngjarje të shënuara duken si diçka e natyrshme por të gjithë e dimë dje ishte vetëm diçka që ëndërronin. Jemi mësuar shpejt me këtë realitet dhe mirë bëjmë se punë të mëdha na presin. Një hov i fuqishëm zhvillimi, për të vënë maksimalisht në punë dhe në punë të frytshme burimet tona njerëzore, natyrore dhe nëntokësore. Koha e kombit tonë për tu ulur institucionalisht në tryezën e Europës si vende anëtare po afrohet me shpejtësi dhe për këtë ne të gjithë duhet të punojmë sa më shumë së bashku”. Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha tha se zotimi më i madh i këtij nderi, shpalljen qytetar nderi të Mitrovicës është ajo çfarë do të bëjë në të ardhmen për Kosovën. “Duke përmbyllur fjalën time, ju jap fjalën dhe zotohem sot përpara jush, anëtarë të nderuar të kësaj asambleje dinjitoze, që më vlerësoi dhe me bekoi duke më bërë edhe formalisht pjesë të qytetit të Mitrovicës se për mua Lulzim Bashën, zotimi më i madh i këtij nderi që më bëtë sot nuk është ajo çfarë kam pasur mundësi të bëj por ajo çfarë më pret e kam për detyrë të bëj për gjithsecilin prej jush ndaj Mitrovicës, Kosovës dhe kombit shqiptar”
Sigal