Basha: Qeveria teknike, formula e vetme për t’i shpëtuar kokën Ramës dhe bandës që rrethon

575
Kreu i Partisë Demokratike, Lulzil Basha, ka mbledhur pasditen e sotme në çadrën e protestës familjarët e dëshmorëve të 2 prillit të vitit 1991, ku u vranë 4 të rinj shkodranë.
Duke vlerësuar sakrificën sublime që Shkodra ka bërë ndër vite, si qyteti që e ka paguar me çmimin më të lartë demokracinë, Basha tha se edhe sot vendi ndodhet në momente të vështira. Ai ritheksoi qëndrimin dhe vendosmërinë e demokrateve se deri në fitoren për zgjedhje të lira e republikë të re nuk ka tërheqje.
“Sot është dita e përkujtimit e nderimit për sakrificën më sublime. Shkodra përherë ka paguar çmim të lartë për demokracinë. Jemi krenar për çmimin e lartë që keni vendosur në altarin e demokracisë. Sot aleanca e krimit me pushtetin me aktuale se kurrë. Aleanca e krimit thotë se mund ketë zgjedhje pa opozitën. Përsëris sot se deri në fitore zotimi ynë mbetet zgjedhje të lira e republike e re. Sakrifica e 2 prillit sot më aktuale se kurrë, marrëzia do të marrë fund”, deklaroi Kreu i PD-së.
Basha tha se qeveria teknike është “formula e vetme për të shpëtuar kokën e Ramës”.
“Rama e di se nuk ka asnjë shans t’i shpëtojë gjykimit popullor me votë, përveçse aleancës së tij me krimin. Tani po vjen ora e shpëtimit. Ne do të shpartallojmë lidhjet e qeverisë me krimin, dhe kushti i patejkalueshëm për zgjedhje të lira e të ndershme është një qeveri e palidhur me krimin, një kryeministër i palidhur me krimin. Rama duhet të largohet si kusht për zgjedhje të lira e të ndershme. Aleanca e tij me krimin e fundosi Shqipërinë, e ktheu në vendin më problematik për drogën, për larjen parave, për vendin me emigracionin më të lartë në botë, duke konkurruar edhe Sirinë që është në luftë civile. Qeveria teknike është formula e vetme për t’i shpëtuar kokën atij dhe bandës që rrethon. Është formula e vetme që garanton një zgjidhje të krizës dhe hap rrugën e integrimin. Por rri e krekoset më keq se mbeturinat e diktaturës që i dhamë fund 27 vite më parë”, tha Basha.
Paraditen e sotme, Basha ndodhej në Shkodër ky u përkujtuan dhe nderuan në 26-vjetorin e vrasjes, martirët e demokracisë, Arben Broci, Bujar Bishanaku, Besnik Ceka dhe Nazmi Kryeziu.
Basha kërkoi që misioni i 2 Prillit të shkojë deri në fund, pasi edhe sot demokracia është e kërcënuar.
“Ndaj më duket e përshtatshme dhe e domosdoshme, te përsëris përpara këtij altari frymëzues që përkujton sakrificën sublime të katër dëshmorëve tanë dhe që kujton sakrificën shekullore të shkodranëve dhe të shqiptarëve për liri dhe demokraci, se sot e deri në fitoren e betejës që kemi vendosur më 18 shkurt, zotimi ynë është dhe mbetet: zgjedhje të lira dhe të ndershme të standardit europian dhe Republikë e Re e demokracisë, lirisë dhe drejtësisë së vërtetë”, theksoi ai
Sigal