Basha prezanton planin e PD-së para Dhomës Amerikane të Tregtisë

461
Kryetari demokrat premton ulje taksash, nxitje të investimeve dhe mbështetje për industrinë e bujqësinë

Kryetari demokrat, Lulzim Basha, paraqiti programin e tij ekonomik në një takim me bordin e Dhomës Amerikane të Tregtisë. Basha shpjegoi planin e tij të integruar ekonomik dhe foli për uljen e taksave, nxitjen e investimeve, mbështetjen e zhvillimit të industrisë prodhuese dhe të bujqësisë. “Qeveria ime do t’i japë fund terrorit të gjobvënies, trysninë dhe arbitraritetit shtetëror ndaj sipërmarrjes dhe do të jetë garantues i konkurrencës së ndershme dhe mundësive për të gjithë”, u shpreh Basha. Kreu demokrat Basha tha se plani i tij është i harmonizuar dhe tërësor dhe të gjithë elementët e tij janë të domosdoshëm për sukses.

Kreu i opozitës u shpreh se për katër vjet qeveria ka patur prioritetet e gabuara, duke i angazhuar burimet financiare dhe njerëzore të vendit në përdorime sipërfaqësore që nuk krijojnë vlerë të shtuar, punësim dhe prodhim. Vendosja e prioriteteve të duhura qeveritare sidomos në ekonomi, është thelbi i gjithë planit të PD-së. Sipas njoftimit zyrtar, ky plan ngjalli interes dhe investitorët e mirëpritën politikën e taksave të ulura për biznesin dhe riorientimin e burimeve publike në shërbim të zhvillimit ekonomik.

Për planin e tij ekonomik, Basha foli edhe në një takim me qytetarët e Kavajës, të cilëve u kërkoi të bashkohen për të pasur një ekonomi të fortë e të nesërme të sigurt. Basha theksoi se në këto zgjedhje ka vetëm një plan ekonomik para qytetarëve, të tjerat janë llafe e premtime boshe. “Edi Rama e di fare mirë se këto zgjedhje shqiptarët do ta marrin vendimin për veten e tyre. Ai e ndien se ky bashkim i madh është i pathyeshëm, është i pamposhtur, është bashkimi fitimtar me datë 25 Qershor. Ndaj po bën çdo përpjekje të ngjitet si vagoni i fundit trenit të fitores së Republikës së Re. Por nuk ka dhe nuk mund të ketë vend në këtë tren për krimin, për korrupsionin, për taksat e larta, për shtypjen, haraçin dhe kërbaçin mbi qytetarët. Në trenin e Republikës së Re, ka vend vetëm për shqiptarët e ndershëm të djathtë e të majtë, pavarësisht bindjeve të tyre politike që duan një ekonomi të fortë. Por nuk mund të ketë një ekonomi të fortë me taksa të larta. Nuk mund të ketë një ekonomi të fortë me çmimin më të lartë të energjisë në Ballkan”, tha Basha. Sipas tij, nuk mund të ketë një ekonomi të fortë me naftën më të shtrenjtë në Evropë në vendin me rrogat dhe pensionet më të ulëta. “Nuk mund të ketë një ekonomi të fortë kur ulen subvencionet për fermerët dhe rriten tarifat për studentët. Të gjitha këto janë vendimet dhe prioritetet e gabuara të Edi Ramës sepse Edi Rama kurrë nuk pati një plan për ju kavajasit. Kurrë nuk pati një plan për Kavajën, kurrë nuk pati plan për Shqipërinë por vetëm për veten e tij, për pushtetin e tij, për timonin që do të thotë pushteti në duart e tij”, tha Basha.

Për pushtetin e tij, theksoi Basha, Rama i solli kriminelët në zyra, për pushtetin e tij rriti taksat dhe me paratë e taksave në Edvin që të rriste rrogat dhe pensionet ndërroi fasada, mbolli palma që sot janë tharë e vyshkur si vetë premtimet e rreme të Edi Ramës. “Edi Rama nuk kishte prioritet hallet tuaja por qejfet dhe teka e veta. Edi Rama dështoi sepse nuk kishte plan për të zgjidhur problemet e mëdha të Kavajës e gjithë Shqipërisë”, tha Basha.
Sigal