Basha prezanton Mziun në Kamëz: Vullneti i zgjedhësve‏ nuk devijohet

63
TIRANË – Kryetari i partisë demokratike Lulzim Basha i ka cilësuar procesin gjyqësor ndaj Xhelal Mziut si sulme politike të kryeministrit Rama. Gjatë prezantimit të kandidatit për banorët e Kamzës, Basha ftoi qytetarët të ndëshkojnë me votë këtë qeveri, ndërsa kandidati Xhelal Mziu tha se kryeministri është treguar hakmarrës ndaj tij.
Basha theksoi se 21 qershori do të jetë festë e demokracisë dhe askush nuk do të mund të devijojë vullnetin e zgjedhësve. Basha bëri të ditur se këtë e ka diskutuar edhe me ambasadorët e SHBA-së, BE-së dhe OSBE-së me të cilët zhvilloi një takim para prezantimit të kandidatit në Kamëz.
“Me përfaqësuesit më të rëndësishëm të institucioneve ndërkombëtare në Shqipëri, ndava bindjen time të thellë se procesi i zgjedhjeve të 21 qershorit, me mbështetjen e institucioneve ndërkombëtare dhe Partinë Demokratike nuk do të mund të devijohet dot nga vota dhe vullneti i lirë i qytetarëve shqiptarë. I sigurova se së bashku me Partinë Demokratike dhe opozitën shqiptare, shumica dërrmuese e shqiptarëve, të djathtë e të majtë janë vendosur ta kthejnë 21 qershorin në festën e demokracisë, në triumfin e votës së lirë, në verdiktin e pashmangshëm të qytetarëve për qeverisjen dhe për pushtetin” theksoi Basha.
Ndërsa mbrojti kandidatin Mziu se nuk ka shpenzuar asnjë qindarkë për tendera që nuk janë bërë, Basha akuzoi kryeministrin se këtë e ka bërë vetë me arkitektin belg.
Sipas Bashës, ata do t’i japin përgjigjen e merituar kryeministrit Rama, i cili mashtroi shqiptarët me premtimet për uljen e taksave, të çmimit të energjisë dhe për shëndetësinë falas. “E keqja është shtrirë nga jugu në veri dhe po u merr jetën familjarëve, sepse nuk kanë me çfarë t’ia dalin”-ka thënë Basha, duke shtuar se pikërisht kjo situatë ka shkaktuar dhe eksodin e shqiptarëve.
“Ne nuk e pranojmë ikjen nga shtëpitë tona për shkak se nuk ka alternativë. Shqiptarët e kanë në dorë, sepse më 21 Qershor ata e kanë një zgjedhje, kanë mundësi të hedhin votën e tyre. Më 21 Qershor, me votën tuaj ne do të ndahemi nga eksodi i shqiptarëve dhe keq-qeverisja e dyshes Rama-Meta”- tha Basha.