Basha prezanton Hilën për Vaun e Dejës: Oferta jonë ulje e taksave

519
VAU I DEJËS – Ulje të taksave! Kjo është oferta më të cilën kandidati demokrat për kryetar Bashkie në Vaun e Dejës Zef Hila u prezantua para elektoratit. Hila tha se nëse arrin të marrë votat e mjaftueshme në zgjedhjet lokale, pas 21 Qershorit qytetarëve do t’i shtrohet rruga e shpresës dhe e ringritjes.
“Bashkia e Vaut të Dejës do të jetë një model, do të marrë një fytyrë të re, për një zhvillim, punësim, dinjitet” – theksoi Hila.
Prezantimin e tij para qytetarëve eu angazhua ta bëjë vetë lideri i opozitës Lulzim Basha, iniciativë të cilën e ka ndërmarrë me kandidatët e bashkive më të mëdha. Kryetari i Partisë Demokratike akuzoi kryeministrin Edi Rama dhe aleatin e tij në qeverisje se janë rreshtuar në radhët e kriminelëve dhe nga ana tjetër godasin qytetarët. 21 Qershori, sipas Bashës, do të jetë dita kur kjo mazhorancë të marrë përgjigjen me votë.
“Më 21 qershor do të votojmë të gjithë bashkë, për t’i treguar Ilir Metës dhe Edi Ramës se banorët e kësaj zone nuk e ulin kokën para poshtërimit, nuk mund ta pranojnë politikën e lakut në fyt që i lë pa bukë në tryezat e tyre, ndërkohë që mbush kontot dhe valixhet e qeveritarëve të korruptuar Ilir Meta dhe Edi Rama. I godasin qytetarët e pafajshëm e të pamundur, po i mbrojnë mafiozët e kriminelët Ilir Meta dhe Edi Rama që ulen e hanë në sofrën e tyre”- theksoi kryetari i PD, Lulzim Basha.
Kreu i demokratëve tha se oferta e PD-së është ulja e taksave, e çmimit të naftës dhe hapja e vendeve të reja të punës.
“Pas 21 qershorit na pret një rrugë tjetër, e shpresës, e ringritjes, e mirësisë, e përpjekjeve tona për të ulur çdo taksë, për t’i çuar të gjithë paratë në zhvillimin e ekonomisë që hap vende të reja pune për ju, për të detyruar këta që të ulin çmimin e energjisë dhe naftës. Për këtë nuk mjafton fitorja, për këtë duhet një fitore plebishitare e thellë që i ka rrënjët në zemërimin tuaj dhe i ka frytet në shpresën tuaj për një të ardhme më të mirë që do ta bëjmë së bashku”, tha Basha.
Dje në Shkodër, lideri i opozitës Basha prezantoi kandidaten e demokratëve për këtë Bashki, deputeten Voltana Ademi, e cila është në garën elektorale të 21 Qershorit përballë një tjetër gruaje, kandidates të koalicionit të majtës Keti Bazhdari. 
Sigal