Basha: Peshqit e mëdhenj i mbron Rama, mbeten cironkat

422
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh se Edi Rama ka propozuar një ligj të posaçëm, i prezantuar gjoja si ndryshim i rregullores së Kuvendit. “Edi Rama ka propozuar një ligj të posaçëm për të mbrojtur “peshqit e mëdhenj”. Të gjithë ata që prisnin arrestimin dhe vënien para drejtësisë të “peshqve të mëdhenj”, tani duhet të kënaqen me cironka”, tha Basha. Sipas tij, ligji propozon që gjykata të jetë Kuvendi, që prokuroria t’i paraqesë provat në Kuvend dhe gjyqtari të jetë Edi Rama. “Kjo praktikisht do ta kthejë SPAK-un dhe Byronë e Hetimit në një organizatë joqeveritare. Sepse i gjithë pushteti për të vendosur nëse politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin do të paraqiten para drejtësisë apo jo, do të jetë i mazhorancës, do të jetë i Edi Ramës”, nënvizoi Basha. Për kreun demokrat, me këtë akt Edi Rama po kthen në ligj modelin me të cilin mbrojti Saimir Tahirin. “Të gjithë shqiptarët që presin rezultate nga Reforma në Drejtësi, e panë sesi Edi Rama shndërroi Kuvendin në Gjykatë dhe nuk lejoi që Saimir Tahiri të përgjigjej para gjykatës për akuzat e bëra nga Prokuroria për lidhjet e tij me bandat dhe krimin e organizuar. Këtë model tani Edi Rama po e shndërron në ligj dhe me këtë model ai po zhbën shtyllën kryesore të Reformës në Drejtësi, që është mundësia që, prokurorët dhe gjyqtarët vendosin para përgjegjësisë këdo, duke përfshirë edhe politikanët e inkriminuar dhe të lidhur me bandat, apo të korruptuar”, tha Basha. Për të, me të gjitha këto akte që ka ndërmarrë deri më sot, dhe me aktin që propozon, nuk po bën gjë tjetër, veçse po zhbën Reformën në Drejtësi. “Po merr masa që asnjë ministër i korruptuar, asnjë ministër, bashkëpunëtor i krimit të organizuar, asnjë deputet i korruptuar apo i zhytur në krim, të mos dalë para drejtësisë, por të mbrohet përmes akteve politike të mazhorancës”, u shpreh Basha.
Sigal