Basha përuron rrugën ‘Pjetër Bogdani’: Kuptohet që s’bëhen për fushatë

54

Kryebashkiaku: “Bashkia e Tiranës po i përgjigjet çdo ditë nevojave të qytetit dhe të qytetarëve”

Me një investim prej 40.9 milion lekësh Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin tërësore të rrugës “Pjetër Bogdani”. Kjo rrugë, me gjatësi 541.5 m, gjerësi 6 m dhe trotuare në dy anët me gjerësi 2 m, ndonëse shtrihet në një prej zonave më të populluara të kryeqytetit atë të ish-bllokut prej vitesh ishte lënë në mjerim. Përgjatë kësaj rruge janë ndërtuar kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza, janë vendosur 29 shtylla të ndriçimit. Janë shtuar dhe 35 pemë të reja, është ndërtuar rrjeti i ujësjellësit si dhe janë kryer të gjitha punimet për linjat rezervë për fibra optike dhe shërbimet inxhinierike nëntokësore. Kryebashkiaku Lulzim Basha i pranishëm në përfundimin e këtyre punimeve tha se Bashkia e Tiranës po i përgjigjet çdo ditë nevojave të qytetit dhe të qytetarëve.  “Kjo rrugë, e rindërtuar tërësisht nga Bashkia e Tiranës, është evidentuar prej kohësh si një problem për banorët, në çdo parametër të munguar të saj, por që sot është rindërtuar në parametra të plota, në standarte të plota, që nga nëntoka e deri tek pemët dhe ndriçimi. Kush ka pasur meraqe se këto ishin punët elektorale e kupton fare mirë se këto në fakt janë punë qytetare që i përgjigjen nevojave të qytetit, nevojave të qytetarëve”, deklaroi kryebashkiaku.  Basha bëri të ditur se krahas përfundimit të një numri të madh investimesh që kanë nisur dhe janë drejt fundit, të tjera projekte nisin zbatimin në gjithë Tiranën për të bërë të mundur përmirësimin e jetës së qytetarëve kudo ku ata jetojnë.  “Në javët në vijim do të shikojmë përfundimin e një duzine rrugësh të tjera të nisura respektivisht me buxhetet e vitit 2012-2013. Ndërkohë që kemi në proces pune një numër shumë të madh rrugësh dhe blloqesh për t’i ardhur në ndihmë qytetarëve të Tiranës kudo që jetojnë në periferi apo në qendër dhe për të realizuar premtimin dhe angazhimin madhor të Bashkisë së Tiranës, cilësi, përmirësuar jetën kudo që ndodhen qytetarët e Tiranës”, u shpreh Basha.