Sigal

Konferenca E Plotë Për Shtyp E Kryetarit Të Pd, Lulzim Basha

Ju përshëndes,

Ju falënderoj për ardhjen në këtë bashkëbisedim me median!

Kam disa mesazhe që desha t’i ndaj përmes jush me qytetarët dhe pastaj jam i hapur për pyetjet dhe interesin tuaj.

Së pari, më lejoni ta nis me një solidaritet me banorët e Vlorës dhe Durrësit, të cilët po përballen vetëm pak orë pas nisjes së reshjeve, me një situatë të përsëritur të përmbytjeve.

Përmbytje në Shqipëri ka patur gjithmonë, por përmbytja në vetëm disa orë shi është treguesi i degradimit total të pushtetit vendor dhe të qeverisë, braktisjes totale në veçanti në ato zona që kanë një predispozitë të përmbytjes, të mungesës së investimeve, të mungesës së vëmendjes dhe në tërësi të largimit total të vëmendjes qeveritare, të qeverisjes nga njerëzit nga qytetarët.

Dhe ky është padyshim produkt i asaj që në fakt është sot e gjithë ditën bashkëqeverisja me krimin.

Bashkëqeverisja me krimin ka sjellë, prodhuar pushimin e qeverisjes, nuk ka më qeveri që punon, që bën detyrat para njerëzve, ka sjellë degradimin total të pushtetit vendor i cili është faktuar thjesht dhe vetëm si një vegël elektorale e partisë në pushtet dhe pasojat i vuajnë qytetarët.

Sipas informacioneve të para që më kanë mbërritur nga përfaqësuesit tanë në Durrës dhe në Vlorë, bëhet fjalë për dëme të mëdha në banesa dhe në njësitë tregtare, por edhe për situata që mund të përshkallëzohen drejt rrezikut për zonat të cilat mund të përballen edhe me përmbytje që mund të kërcënojnë jetën e njerëzve.

Thirrja ime ndaj qytetarëve është të marrin të gjitha masat për të shpëtuar dhe siguruar familjet e tyre. Dhe ndaj atyre hallkave të institucioneve që e kanë për detyre dhe paguhen për këtë punë të mos presin shfaqjen e radhës nga Edi Rama apo kryebashkiakët e dështuar, të korruptuar, e të inkriminuar, por të veprojnë për t’u ardhur sado pak në ndihmë njerëzve në këtë gjendje kritike,  e cila ka precipituar shumë shpejt dhe ka gjasa të rëndohet jo vetëm në këto dy bashki por edhe bashki të tjera të vendit.

Dua ta kthej vëmendjen tuaj edhe një herë tek çështja kryesore, të cilën kemi diskutuar në ditët e fundit, në javët e fundit në dritën e provave dhe fakteve zyrtare dhe ligjore të dala edhe nga çështjet në Prokurori atë të bashkëpunimit të Edi Ramës me krimin.

Çështja e  parë dhe kryesore që u evidentua tashmë është fakti se bashkëpunimi me krimin e Edi Ramës ka qenë një strategji e qëllimtë.

Ngjarjet e muajve të fundit dëshmojnë një të vërtetë të thjeshtë: Nuk është rastësore dhe as e pjesshme, as në nivele të ulëta, por është e shtrirë në të gjithë vendin dhe ka kapur kupolën e organizatës kriminale fenomeni i bashkëpunimit strategjik me krimin e organizuar për rekrutimin dhe bashkëpunimin me elementë kriminale për të manipuluar zgjedhjet, për të marrë dhe për të mbajtur pushtetin.

Me fjalë të tjera, Edi Rama ka nënkontraktuar fushatën elektorale dhe gjithë përpjekjen elektorale te krimi, proces i cili ka nisur para zgjedhjeve të vitit 2017.

Në vend të shtabeve elektorale, ku zakonisht bëjnë pjesë drejtues të partisë dhe drejtuesit lokalë, organizata kriminale e rilindjes ka krijuar shtabe kriminale me qëllim sigurimin e votave përmes blerjes, kërcënimit dhe manipulimit.

Këto shtabe kriminale të  organizatës kriminale të rilindjes kanë patur objektiva të qarta, të vendosura nga hierarkia e kësaj organizate kriminale që përbëhet nga drejtuesit më të lartë aktualë socialistë.

Bashkëpunimi me krimin si një strategji e qëllimshme e Edi Ramës ka vërtetuar se sot kundërshtari ynë politik, Partia Socialiste është një parti e kapur nga krimi.

Nuk ka pothuajse asnjë drejtues të Partisë Socialiste që të mos ketë bashkëpunuar me krimin apo që të mos jetë eksponent i krimit.

Edhe po të lëmë mënjanë Roshin, Ndokën, Prengën dhe kriminelë të tjerë që i ka sjellë në vend, të gjithë drejtuesit e ardhur nga karriera politike janë faktuar si njerëz të kriminalizuar; nga Taulant Balla, tek Damian Gjiknuri, tek Vangjush Dako, tek Qazim Sejdini, tek Ulsi Manja e me radhë.

Pra, organizata e rilindjes si një organizatë kriminale e ka kthyer Partinë Socialiste po kështu në një parti nën sundimin e krimit, në një narko-parti.

Domethënia praktike e kësaj gjendje të Partisë Socialiste është që qeverisja ka mbaruar. Edi Rama ka pushuar, ka ndalur së qeverisuri vendin dhe pushtetin që ka marrë me ndihmën e kriminelëve, nuk e përdor më për të qeverisur, por për të mbrojtur pushtetin dhe lidhjet e tij me krimin.

Pjesë e kësaj përpjekje janë edhe veprat e rënda kriminale për të shpëtuar veten dhe bashkëpunëtorët e tij politikë nga drejtësia.

Ka pushuar pra, qoftë edhe çdo lloj përpjekje për fasadë apo politika publike, çdo gjë tani bëhet për të mbrojtur veten e tij, për të mbrojtur Vangjush Dakon, për të mbrojtur Saimir Tahirin, për të mbrojtur Gjiknurin dhe për të mbrojtur të tjerët nga drejtësia.

Në këtë kuptim qeveria e Edi Ramës përbën thjesht dhe vetëm një kosto për shqiptarët dhe një rrezik, një burim rreziku nga i cili do të burojnë vetëm të këqija për vendin dhe për shqiptarët.

Detyra kryesore e opozitës, e PD, detyra kryesore e medias së lirë e qytetarëve të angazhuar është të vazhdojmë përpjekjet tona kundër krimit dhe inkriminimit të politikës.

Në planin konkret do të thotë se Fatmir Xhafaj nuk mund dhe nuk duhet të shpëtojë pse dha dorëheqjen, ai duhet të hetohet për veprën e rëndë kriminale të fabrikimit dhe manipulimit të dëshmitarit të rremë, duke përfshirë në hetim edhe policinë dhe prokurorinë.

Së bashku me të duhet të hetohet Ardi Veliu, drejtuesit e policisë së Fierit dhe gjithë përfaqësuesit e Policisë dhe Prokurorisë, të përfshirë në manipulim.

Natyrisht edhe kudogjenduri Taulant Balla që ka qenë garanti politik i këtij operacioni sipas pretendimit të vetë dëshmitari të rremë, por po kështu dhe në mënyrë më domethënëse edhe sipas tabulateve të përgjimit nga Prokuroria.

Por po kështu, në një mënyrë më domethënëse edhe sipas tabulateve të përgjimit nga Prokuroria, e cila në mënyrë paradoksale në përpjekjen për të futur në kuth denoncuesit, gazetarët dhe opozitën, i kanë mbetur në çark drejtori i përgjithshëm i Policisë, kryetari i grupit parlamentar, një nga prokurorët e çështjes, dhe natyrisht njerëzit që kanë patur direkt dijeni, kanë mbështetur direkt këtë veprimtari, Fatmir Xhafaj dhe Edi Rama.

Vangjush Dako duhet të arrestohet. Arrestimi i Vangjush Dakos sipas propozimit të grupit hetimor, së bashku me Elvis Rroshin, Gent Dajën, dhe prokurorin Arben Ndojin, është, një hap i paevitueshëm pa të cilin kolapsi total i Prokurorisë dhe kapja e saj totale nga krimi tashmë jo thjesht nga politika, faktohet  para gjithë shqiptarëve, duke delegjitimuar atë si organ të ndjekjes penale, duke e kthyer atë në një shtojcë të organizatës kriminale të “Rilindjes”.

As Vangjush Dako, as Elvis Rroshi, as Gent Daja, as eksponentët e tjerë të “dosjes 339”nuk mund të hetohen në akuza të përgjithshme e aq më pak në liri.

Prokuroria ka prova, shumë prova, të qarta dhe flagrante, për bashkëpunimin e Vangjush Dakos me krimin, sikundër edhe të personave të tjerë që përmenda.

Dhe përgjimet e bëra publike janë vetëm maja e ajsbergut. Janë bërë publike vetëm, aq me qëllim për të mbajtur nën kontroll apo mundësisht për të zbehur rolin dhe përfshirjen e Vangjush Dakos në transaksionet kriminale me bandat e krimit të organizuar, me Avdylajt dhe jo vetëm në shkëmbim të mbështetjes elektorale.

Pra në këtë kuptim, Vangjush Dako është një kriminel i mirëfilltë që ka bashkëpunuar direkt me krimin për pushtet  dhe para.

Ndërkohë që burgjet dhe institucioni i paraburgimit në Shqipëri vazhdon të procedojë me dhjetëra qytetarë për vepra të ndryshme penale nga më të lehtat te më të rëndat. Është e papranueshme që një kriminel i mirëfilltë, që ka bashkëpunuar me krimin e organizuar, me trafikantë dhe vrasës për pushtet dhe para të vazhdojë të bredhë i lirë.

Taulant Balla duhet të merret urgjentisht i pandehur dhe të hetohet për të gjitha çështjet, nga bashkëpunimi me kriminelin e dënuar Edmond Bego, që ka çuar në thyerjen e një sërë ligjesh, më e dukshmja ajo e prokurorimit publik, tek çështja e parave të “Toyota Yaris”, tek ndërhyrja kriminale në çështjen Xhisiela, tek bashkëpunimi kriminal me bandat e Elbasanit dhe presioni ndaj policisë dhe Prokurorisë për t’i liruar ato edhe kur janë kapur në flagrancë në proces kërcënimi, shantazhimi dhe prishje të procesit zgjedhor.

Janë të gjitha akuza të bazuara në fakte, prova dhe përgjime dhe duhet të hetohen deri në një.

Saimir Tahiri duhet hetuar në thellësi dhe duhet ta heqin nga mendja dhe të heqin dorë nga skenari  se duhet të akuzohet për krime të lehta dhe jo për trafikun e drogës. Saimir Tahiri ka qenë eksponent direkt i krimit dhe i trafikut të drogës dhe këtë nuk e mbulon dot askush e nuk e fsheh dot askush.

Këto janë prioritete absolute dhe padyshim në këtë rrafsh PD-ja, opozita dhe unë do të vazhdojmë betejën tonë me krimin politik dhe me regjimin e inkriminuar të Edi Ramës, deri në largimin e tij.

Këtë kemi bërë dhe këtë po bëjmë. Pa dekriminalizimin e zgjedhjeve dhe pa ndarjen e politikës nga krimi në Shqipëri nuk do të ketë asnjë sekondë, asnjë ditë, dhe asnjë hapësirë institucionale për proces normal  politik. Procesi normal politik ka marrë fund kur Edi Rama vendosi të bashkëpunojë me krimin për të ardhur në pushtet dhe sot gjendet në pushtet për shkak të krimit.

Këto janë parashtrimet kryesore me të cilat dua ta nis bashkëbisedimin me ju sot.

Pyetje: Zoti Basha, në mbledhjen e grupit ju keni paralajmëruar se do të dalin skandale të tjera të kësaj qeverie. A mund të na thoni edhe ne cilat janë këto skandale?

Basha: Po të parën ju e keni patur pak minuta më parë. Skandalin e paralajmëruar 5 javë më parë nga Partia Demokratike për aferën korruptive të Olsi Ramës dhe me gjasa të një shtetaseje të huaj që deri para pak kohësh ka shërbyer me detyra të larta në Shqipëri, si rezultat i të cilës një kompani kroate, në dhunim të rregullave minimale të konkurrencës, siç e kemi paralajmëruar, ka fituar një tender prej afro 14 apo 15 milionë eurosh, në procesin e menazhimit fiskal të vendit.

Prej më shumë se dy vitesh kemi paralajmëruar, në bazë denoncimesh konkrete, se kjo është një dhuratë e kryeministrit për vëllain e tij. Mekanizmi që është gjetur në këtë rast, fasada e një kompanie kroate, siç e denoncuam 5 javë më parë, vetëm fakton vërtetësinë e akuzave e denoncimeve që ne kemi bërë publike.

Shikoni vetëm një aspekt dhe jo thjesht që opozita i vuri gishtin dhe denoncoi se kjo do të ndodhë, kjo kompani do ta marrë, por edhe çmimi me të cilin e ka fituar, në limitet e fondit limit.

Për të gjitha organizatat ndërkombëtare dhe institucionet që i kushtojnë veprimtarinë e tyre luftës kundër korrupsionit, flamuri i kuq, drita e kuqe, indikatori, treguesi kryesor se një prokurim, një tender është i korruptuar, është kur ai fitohet në kufijtë e çmimit limit. Dhe kjo ka ndodhur dhe padyshim ky përbën një skandal të jashtëzakonshëm.

Tregon edhe shkallën e lartë të sofistikimit të korrupsionit të qeverisë Rama, ku arrin të përfshijë, me ndihmën edhe të faktorëve të tjerë të korruptuar jashtë vendit, kompani të huaja.

Denoncimi është bërë pak minuta më parë nga deputetët e Partisë Demokratike, nga nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë dhe Financave, zonja Tabaku dhe kryetari i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit në Partinë Demokratike, deputeti i Elbasanit Endri Hasa.

Por nuk do të mjaftohemi vetëm me këtë denoncim. Një paralajmërim të qartë dua t’jua bëj sot fituesve të këtij tenderi, se do të jenë subjekt i menjëhershëm i dispozitave antimafia. Dhe i garantoj se nuk do të arrijnë të gëzojnë dot frytet e grabitjes, vjedhjes, në të cilën janë përfshirë si aksesorë të Edi Ramës dhe bashkëpunëtorëve apo familjarëve të tij.

Në rrafshin e skandaleve kriminale, mund t’ju them se Dosja 339, nga e cila keni parë vetëm majën e ajsbergut, në vetvete është pjesë e disa hetimeve, të nisura nga Prokuroria, disa prej tyre me kërkesën tonë, siç është dosja hetimore e Dibrës – numrin e hetimit do t’ua vëmë në dispozicion sapo ta kemi – ku janë interceptuar në mënyrë ligjore, pra janë krijuar prova dhe fakte ligjore, të përfshirjes së Saimir Tahirit, asokohe Ministër i Brendshëm, Damian Gjiknurit, asokohe dhe akoma ministër dhe, të paktën 4 deputetëve të tjerë të Partisë Socialiste, në transaksione të të njëjtës natyre si Dosja 339, me banda të krimit të organizuar, me figura të krimit të organizuar si Ymer Lala, dhe të tjerë eksponentë të krimit të organizuar, për të ushtruar presion, për të blerë vota dhe për të kërcënuar votuesit e Dibrës në masakrën zgjedhore të shtatorit 2016. Me siguri e mbani mend fare mirë që ishte prologu dhe prova gjenerale për skemën që u aplikua në gjithë vendin në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Në kuadër të këtyre të fundit, pra, të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2017, siç është dëshmuar, jo vetëm nga Emiliano Nuhu gjatë intervistës së tij me kolegun tuaj Basir Çollaku, por edhe nga burime të tjera, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Prokuroria e Elbasanit, kanë dhe disponojnë prova ligjore dhe faktike të përfshirjes në të njëjtat transaksione kriminale, të të paktën dy eksponentëve të Partisë Socialiste në Qarkun e Elbasanit, kryedeputetit të Partisë Socialiste për Qarkun e Elbasanit, Sekretarit të Përgjithshëm dhe Kryetarit të grupit Parlamentar, Taulant Ballës, dhe Qazim Sejdinit.

Megjithatë, mendoj se në kuptimin e jurisë së opinionit publik, të gjitha këto fakte dhe prova, sado të përpiqen t’i varrosin apo akoma më keq, t’i tjetërsojnë, plotësojnë mozaikun e shpalosur edhe nga vetë Dosja Hetimore 339 dhe vetëm sa e rëndojnë verdiktin, konkluzionin, përfundimin në të cilin ka arritur çdo shqiptar, i djathtë opozitar, apo i majtë, por, po kështu, opozitar me planin ogurzi të kriminalizimit të Partisë Socialiste – atë që ju thashë në fillim, kemi të bëjmë me një strategji të mirëfilltë të Edi Ramës, të vënë në jetë dhe të zbatuar të paktën një vit para zgjedhjeve, menjëherë pas zgjedhjeve të Dibrës, me qëllim që, përmes bashkëpunimit me bandat e krimit të organizuar dhe derdhjes së miliona eurove të pista, të drogës, të krimit, të trafiqeve të qenieve njerëzore dhe të korrupsionit qeveritar, të shkatërrojnë procesin elektoral.

Kjo ka sjellë një qeveri jo të zgjedhur nga populli, por të zgjedhur nga kriminelët, dhe që sot e kësaj dite punon për kriminelët dhe mbrojtjen e tyre dhe të politikanëve të ekspozuar, të provuar me lidhje kriminale.

Pyetje: Sot janë dëgjuar dy nga kandidaturat e propozuara nga Partia Socialiste për anëtarë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Janë dëgjuar në Komisionin e Ligjeve, ku opozita mungoi, por interesi që kemi ne është nëse Partia Demokratike do të çojë kandidatura për këtë institucion?

Basha: Vetë aprovimi i dy kandidaturave nga Partia Socialiste përbën një shkelje të ligjit. Partia Socialiste nuk ka të drejtë, në kuadrin aktual ligjor të propozojë dy kandidura, por ka uzurpuar një kandidaturë të opozitës, që është një shenjë e asaj që kemi thënë, degradimit total të pushtetit. Pra është kapje e paligjshme e KQZ-së dhe natyrisht që opozita nuk mund dhe nuk do të bëhet pjesë e kësaj.

Vetë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve me rëndësinë që ka për procesin zgjedhor, është vetëm një pjesë e problematikës që ka shkaktuar një qeverisje e dalë nga krimi, me mandate të falura nga krimi.

Sot nuk kemi Gjykatë Kushtetuese, efektivisht nuk kemi Gjykatë të Lartë, kemi një Prokurore të Përgjithshme dhe një Prokurore të Krimeve të Rënda kamikaze politike dhe shërbëtore të interesave kriminale dhe qeveritare, kemi një prokurori të tërë dhe sistemin gjyqësor nën terror për të shkatërruar, mbyllur, prishur hetimet për eksponentët politikë të Partisë Socialiste, më mirë të themi të organizatës kriminale të “Rilindjes” që ka uzurpuar Partinë Socialiste dhe radha e punëve për të zgjidhur këto probleme kalon detyrimisht nga ajo që përshkrova më sipër.

Beteja kryesore është beteja për ndarjen e politikës nga krimi dhe për vënien e të inkriminuarve para drejtësisë, nga Saimir Tahiri e Taulant Balla te Vangjush Dako, Fatmir Xhafa e Damian Gjiknuri me shokë.

Pyetje: Zoti Basha, ju thoni se ju ka uzurpuar PS-ja një kandidaturë për anëtar të KQZ-së, por ama vijon të qendrojë në krye të KQZ-së Klement Zguri si përfaqësues i opozitës dhe pjesë e marrëveshjes tuaj me kryeministrin Edi Rama. Pse s’e tërhiqni atëhere zotin Zguri nga kreu i KQZ-së?

Basha: E tërheqim apo s’e tërheqim nuk ndryshon asgjë nga qendrimi ynë politik.

Pyetje: Zoti Basha, dy pyetje të shkurtra. A ka një qendrim zyrtar Partia Demokratike për ngjarjen e Bularatit, pas vrasjes së një shtetasi nga policia shqiptare?

Basha: Qëndrimi është i qartë, kjo është një ngjarje kriminale dhe përpjekjet për ta kthyer atë në një ngjarje politike i shërbejnë vetëm atyre që duan të largojnë vëmendjen nga kriza e thellë politike ku ndodhet vendi, në këtë anë të kufirit dhe pa dyshim ka faktorë në anën tjetër të kufirit që duan ta shfrytëzojnë për axhendën e tyre politike.

Të dyja përpjekjet janë të dënueshme, në rastin e përpjekjes së Edi Ramës për të zhvendosur në mënyrë artificiale dhe për të pompuar me retorikë të papranueshme kundër opozitës kundra eksponentëve të opozitës, me ish-kryeministrit Berisha dhe të tjerëve, një ngjarje e cila është një ngjarje kriminale dhe duhet trajtuar si e tillë, është vetëm tregues i gjendjes ku ndodhet ai dhe qeverisja e tij.

Ka pushuar së qeverisuri dhe do të kapet pas gjithçkaje për të larguar vëmendjen nga fakti që sot ne nuk kemi qeveri, por kemi një bandë, një organizatë kriminale e cila preokupim kryesor ka, se si të shpëtojë veten e tij, Ramën, Xhafën, Tahirin, Dakon, Ballën, Gjiknurin nga fati që e pret në rastin e funksionimit të drejtësisë së vërtetë dhe nga përgjegjësia politike për bashkëqeverisjen me krimin, që është produkti i ardhjes në pushtet me krimin.

Në një këndvështrim perspektiv, tregon se kemi të bëjmë me një njeri të destabilizuar mendërisht dhe patologjikisht, dhe këtë nuk e them  thjesht dhe vetëm për çështje tashmë botërisht të njohura të patologjisë së tij, por një njeri të rrezikshëm për Shqipërinë, i cili nuk është në gjendje vetëm të përdorë ngjarje të tilla kriminale për të zhvendosur vëmendjen, por edhe të prodhojë ngjarje dhe fenomene që mund të çojnë drejt destabilizimin Shqipërinë dhe rajonin.

Streha e fundit e maskarallëkut është nacionalizmi i shtirur.

Gjeneza e diskutimit për ndryshimin e kufijve është një projekt anti-europian dhe anti-NATO, vjen pikërisht nga drejtues të inkriminuar, politikanë gangsterë, apo politikanë të lidhur me banda të krimit të organizuar që kanë humbur legjitimitetin dhe besueshmërinë brenda vendit, dhe përdorin flamujt e tyre kombëtarë si rrecka për t’u shtirur si patriotë ndërkohë që nuk ka në historinë e Europës kryeministër më antikombëtar, më kundër interesave kombëtare se ky që e ka dorëzuar qeverisjen “toptan”, krimit të organizuar, që e ka dorëzuar kontrollin e territorit bandave të krimit të organizuar, që i ka dorëzuar ekonominë e vendit krimit të organizuar, dhe kapet si i mbyturi pas fijes së barit për të krijuar ngjarje dhe për t’i dhënë konotacione politike apo radikale ngjarjeve që janë në një sfond të thjeshtë kriminal.

Pyetje: Zoti Basha ju deklaruat se nuk ka dhe nuk do të ketë proces normal institucional me këtë qeverisje dhe po ashtu pak më parë në mbledhjen e Grupit Parlamentar i keni vendosur deputetët para faktit se përballja me qeverinë do të jetë më shpejt se sa mendohet, a mund të dimë pak më shumë, se kush janë rrugët e përballjes me qeverinë? Po përgatiten protesta?

Basha: Nuk ka asnjë mister se përballja po zhvillohet dhe do të zhvillohet jo pa sukses. Ky është rasti i vetëm kur kemi një kryeministër i cili vazhdon të qëndrojë në detyrë, ndonëse janë larguar dy ministra të brendshëm njëri pas tjetrit, për shkak të aferave kriminale. Dhe ky është rezultat dhe meritë e qëndresës dhe përballjes sonë.

Po mos të ishte për përballjen e opozitës, në momente të veçanta edhe krejt e vetme, sot Sajmir Tahiri do të ishte një Ministër “i nderuar” i Brendshëm, apo jo? Siç i rrihte shpatullat pa fund Edi Rama.

Sot Vangjush Dako do të ishte një shembull i

Gazetari: I akullores…

Basha: I akullores, supermen-it, menaxhimit të Durrësit.

Sot Fatmir Xhafa do të ishte njeriu që “i dha Shqipërisë Reformën në Drejtësi”. Por në fakt sot Sajmir Tahiri nuk është as Ministër, as deputet, është në hetim dhe hetimi do të vazhdojë, pavarësisht broçkullave që qarkullojnë lart e poshtë e do të thellohet, mos sot nesër. Nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë që në krye të Ministrisë së Brendshme e ktheu në një organizatë kriminale që bashkëpunonte me kriminelët për trafikun e drogës.

Fatmir Xhafa është larguar, por nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë penale, për atë që s’ka ndodhur në 28 vite: përdorimin e policisë dhe prokurorisë për të fabrikuar prova dhe dëshmitarë të rremë kundër denoncuesve, gazetarëve dhe kundërshtarëve politikë.

Vangjush Dako do të arrestohet. Do të përfundojë atje ku e ka vendin, sëbashku me Elvis Rroshin e Gent Dajën. Nuk ka asnjë mundësi që as Taulant Balla, as Damian Gjiknuri, as Arben Ahmetaj, asnjë nga kupola socialiste që është përfshirë në këtë mega proçes mafioz të shitblerjes së votës, ti shpëtojë përgjegjësisë penale.

Të gjitha këto janë objektivat e opozitës. Vijmë me një bilanc me të paktën 350 zyrtarë dhe politikanë të larguar për shkak të ligjit të dekriminalizimit, me dy ministra të brendshëm të larguar për shkak të luftës opozitare dhe të luftojmë ta thellojmë këtë bilanc duke larguar nga politika, politikanët e inkriminuar dhe duke i çuar ata para drejtësisë. Ky në vetvete është edhe elementi kryesor i dekriminalizimit të zgjedhjeve.

Sa kohë që këta njerëz vazhdojnë të administrojnë pushtet politik, çdo reformë në letër do të mbetët në letër. Por ama kur këta të humbasin postet politike dhe të vendosën para një drejtësie të vërtetë e të pavarur, ky do të shërbejë si shembull dhe paralajmërim për këdo që mendon të përsërisë apo të përfshihet në bashkëpunim kriminal për të tjetërsuar votën e shqiptarëve. Pa zgjidhur këtë problem, asnjë problem nuk zgjidhet në Shqipëri.

Sa kohë që qeveria e dalë nga kriminelët, me mandate të dhuruara nga krimi, ka preokupim pikërisht mbrojtjen dhe fshehjen e këtyre lidhjeve, padyshim që do të vazhdojë kjo situatë ku jemi.

Nuk mund të ketë qeverisje, nuk mund të ketë zgjidhje apo adresim të problemeve të qytetarëve, por do të kemi një qeveri që ka pushuar së qeverisuri, sepse është uzurpuar nga një organizatë kriminale siç është kthyer sot Rilindja e Edi Ramës.

Pyetje: Zoti Basha, për ta bërë këtë PD duhet të vijë në pushtet. A është gati PD për të ardhur në pushtet e për të qeverisur shqiptarët?

Basha: Padyshim që Partia Demokratike disponon të gjithë potencialin politik dhe njerëzor, vizionin dhe programin për të ju ofruar shqiptarëve, një qeveri të pastër nga krimi dhe lidhjet kriminale, të pastër nga konflikti i interest nga oligarkët që kanë zaptuar ekonominë dhe me një vizion të qartë për të kthyer jo vetëm thjeshtë konkurencën politike, por konkurencën e lirë në ekonomi që do të ofrojë një jetë më të mirë dhe mundësi për të gjithë shqiptarët.

Por, kjo kalon përmes këtij procesi. Ne duhet ta kuptojmë se Edi Rama dhe kjo e keqe, janë produkt i bashkëveprimit kriminal me krimin e organizuar. Ka ardhur me vota të vjedhura, ka ardhur me vota të manipuluara e të vjedhura nga krimi.

Gjëja e parë që shqiptarët duhet të kuptojnë është se vota është shumë e rëndësishme.

Nëqoftëse vota shitet, vjen në pushtet krimi dhe kur krimi vjen në pushtet nuk ka më vëmendje për ty, nuk ka më vëmendje për njerëzit e thjeshtë. Prandaj, për të larguar këtë të keqe dhe jo vetëm dhe jo thjesht Edi Ramën, do ta largojmë pa diskutim, detyra e opozitës është e pazëvendësueshme dhe ne po bëjmë çdo gjë që të arrijmë këtë gjë, këtë detyrë.

Mirë është që edhe media të bëjë pjesën e vet : hetimin, denoncimin, debatin, diskreditimin e këtij regjimi të uzurpuar nga një organizatë kriminale dhe të ndihmojnë vetëdijesimin e njerëzve për rëndësinë që ka vota. Ndërsa garantimi i kësaj vote, përmes dekriminalizimit të zgjedhjeve, shërbehet nga beteja jonë e përditshme, nga largimi i Xhafës, siç u shërbye nga largimi i Tahirit. Po shërbehet kështu duke vazhduar betejën tonë për arrestimin e Vangjush Dakos dhe Dakove të tjerë, për vënien para drejtësisë dhe dënimin e krimeve elektorale të Edi Ramës.

Nuk do të ketë as drejtësi, as luftë kundër krimit dhe as zhvillim ekonomik dhe shpresë për Shqipërinë, pa dënuar krimin e krimeve që është krimi elektoral.

Kjo është rruga në të cilën kemi vepruar me vendosmëri, shpeshherë të izoluar e të braktisur, sulmuar, të censuruar.

Gjykoj se sot, shumë më shumë shqiptarë i janë bashkuar kësaj beteje, që është betejë për të gjithë vendin, nuk është betejë vetëm për një parti politike, dhe shumë më shumë të tjerë po vetë ndërgjegjësohen dhe t’i bashkohen betejës për të çliruar politikën nga krimi dhe zgjedhjet nga kriminelët që është beteja për të rikthyer pushtetin tek njerëzit. Është beteja që qeveria e dalë nga vota e njerëzve, të ketë preokupim kryesor jetët e njerëzve.

Partia Demokratike siç ka qëndruar fort, do të vazhdojë të qëndrojë fort në këtë betejë me disa rezultate domethënëse deri më sot dhe të jeni të bindur se rezultatet do të vazhdojnë.

Faleminderit!