Basha: “Përgjegjësi e madhe, që të mos tradhtohen parimet e shenjta të lirisë dhe demokracisë”

84

Tirana përkujtoi dje  69-vjetorin e çlirimit. Një sërë aktivitetesh janë organizuar nga Bashkia e  Tiranës, për të përkujtuar këtë moment historik. Kryebashkiaku Lulzim Basha është përulur me nderim dhe respekt përpara veprës dhe kontributit të gjithë atyre që dhanë jetën për çlirimin e Tiranës. Zoti Basha, ndërsa bëri homazhe në varrezat e dëshmorëve, ka theksuar se është përgjegjësi e madhe për të gjithë ne, që të mos i tradhtojmë më parimet e shenjta të lirisë dhe demokracisë. “17 nëntori përkujton gjithmonë një ditë të veçantë për kryeqytetin, ditën e çlirimit të tij dhe është një ditë gëzimi, por është një ditë që nis gjithmonë me nderimin për ata që flijuan gjithçka, edhe jetën e tyre, për një kauzë kaq të lartë e të pavdekshme, siç është liria, liria e atdheut, liria kombëtare, liria e qytetarëve.  Sot, përkulemi si çdo vit, me respektin më të thellë dhe mirënjohjen më të madhe ndaj atyre që mbetën të rinj përgjithmonë dhe që prehen në altarin e “Dëshmorëve të Atdheut”, këtu në Tiranë apo kudo tjetër, duke nderuar kontributin dhe sakrificën e tyre sublime”,– deklaroi z. Basha.

Të majtët mungojnë nga përkujtimi i 17 Nëntorit

Kryeministri Rama, por edhe të gjithë ministrat, si edhe të  gjithë deputetët e së Majtës, munguan nga përkujtimorja e ditës së cclirimit të Tiranës. Kjo mungesë tregon shpërfilljen e maxhorancës së  Majtë, ndaj vetë Luftës NacionalÇirimtare, e cila kështu  injoron një pjesë të historisë së ekzistencës së saj, por  edhe vetë historinë e lavdishme, dëshmorët dhe heronjtë e kësaj lufte, si edhe veteranët, të cilët tradicionalisht janë edhe elektorati më besnikë i së Majtës në Shqipëri.