Basha përballë sfidës të reformimit të së Djathtës

440
Sigal

Në shtator nis ristrukturimi nga baza i Partisë Demokratike, me parimin “1 anëtar, 1 votë”

Procesi i zgjedhjes së Kryetarit të  ri të PD-së, pas dorëheqjes së Sali Berishës nga ky post, pas njohjes së rezultatit të 23 Qershorit, ishte vetëm fillimi i një procedure që do të sjellë edhe ristrukturimin e partisë në të gjithë piramidën ndërtuese të PD-së. Me zgjedhjen e kryetarit të ri Lulzim Basha sipas parimit një anëtar një votë të anëtarësisë demokrate, pritet që me fillimin e muajit shtator të ndizen motorët e strukturimit të selisë blu, por kjo duke filluar nga struktura më e vogël që është seksioni i partisë në çdo zyrë të ngritur në të gjithë vendin, e më pas në degët e në strukturat më të larta vendimmarrëse. Me rifreskimin e drejtuesve të partisë në të gjitha strukturat këto ndryshime do të reflektohen edhe në organet më të larta të partisë nga Kryesia deri te Këshilli Kombëtar. Ashtu siç ka paralajmëruar edhe Kryetari Basha, me ristrukturimin e të gjithë hallkave drejtuese të partisë pritet që të bëhen edhe ndryshimet përkatëse në statusin e partisë, ndërsa i gjithë ky proces pritet të përfundojë brenda muajit dhjetor, kur do të mblidhet Këshilli Kombëtar. Në këto kushte, pritet shumë prej emrave historikë të kësaj force politike nga Këshilli Kombëtar e deri te Kryesia të mbeten jashtë dhe shume emra të rinj tashmë të jenë në bazën drejtuese të Partisë Demokratike. Kështu, nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi, ka deklaruar që do të jetë thjesht një anëtar i thjeshtë i PD-së dhe deputet, pa asnjë funksion tjetër partiak. Por edhe  shumë anëtarë të  tjerë të Këshillit Drejtues të PD-së, që nuk kanë bërë asnjë reagim publik, por që kanë qenë në piramidën më të lartë të qeverisjes 8 vjeçare të PD-së, sipas burimeve të informacionit që kemi nga selia e PD-së, nuk do të jenë më të zgjedhur në organet drejtuese të PD-së, duke marrë, kësisoj, një pjesë të përgjegjësisë për humbjen e thellë të 23 Qershorit. Ekipi, i cili do të drejtohet nga Lulzim Basha, ka si synim organizmin sa më solid të strukturave të partisë, pas humbjes në zgjedhjeve të 23 Qershorit, në mënyrë që PD të vijë në pushtet në betejën e radhës elektorale. Me finalizimin e procesit ristrukturues të partisë pritet që të bëhet edhe analiza e plotë e humbjes së demokratëve në zgjedhjet parlamentare të 23 Qershorit.

Gjithashtu, detyra më imediate e Lulzim Bashës është që të përcaktojë se cili do të jetë edhe kryetari i grupit parlamentar të PD-së. Informimet brenda selisë blu, bëjnë të ditur, se kryetari i ri i PD-së, Lulzim Basha e ka përcaktuar se cili do të jetë edhe kryetari i ri i grupit parlamentar të PD-së, por, ky emër do të zyrtarizohet vetëm, pasi deputetët të betohen në Kuvendin e ri. Gjithashtu, Lulzim Basha do të caktojë edhe cili do të jetë nënkryetari i Kuvendit nga PD-ja, edhe pse ky rol do të jetë më tepër formal. Gjithashtu, do të përcaktohen edhe deputetët që do të marrin pjesë në grupet parlamentare, si edhe cilët do të jenë edhe kryetarët e komisioneve parlamentare, që do të ketë opozita. Përcaktimi e emrave të deputetëve të PD-së, në këto poste, do të japë edhe idenë, se cilat do të jenë raportet që do të ndërtojë Lulzim Basha me kandidatin që konkurroi për Kryetarin e PD-së, Sokol Olldashi. Burimet nga selia blu, bëjnë të ditur, se vetë Sokol Olldashi nuk do të ketë asnjë post kryesor në Kuvend, por nuk mund të përjashtohet që disa deputetë, që kishin dalë hapur “pro” kandidaturës së tij, të luajnë rol kryesor në grupin parlamentar të PD-së. Kjo, do të shikohet edhe si  një urë afrimi e bashkëpunimi që Kryetari i PD-së Lulzim Basha do të kërkojnë të ndërtojë me Sokol Olldashin. Përsa i përket Sali Berishës, burimet pranë PD-së, bëjnë me dije, se Berisha nuk do të ketë de juro asnjë detyrë në grupin parlamentar, por de facto do të jetë drejtuesi i opozitës në Kuvend dhe jo vetëm.