Basha: PD, gardiane e moskapjes politike të drejtësisë

484
Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka dalë sot pasdite në një konferencë për shtyp, për të sqaruar qëndrimin e PD-së, pas deklaratave të sotme të kryeeministrit Rama lidhur me negociatat për reformën në drejtësi. Basha tha se Rama ka pranuar pjesërisht kërkesën e PD-së për “vendet e rezervuara”, propozuar nga Komisioni i Venecias si pikë për gjetjen e kompromisit politik.
“Kemi një lajm të mirë, Edi Rama pranoi sot parimin e konsakruar në rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias për atë që njihet si vende të rezervuara. Rama pranoi parimin, por nuk pranon ta aplikojë në katër institucionet, por vetën në dy prej tyre. Unë pranoj gjithçka që rekomandon Komisioni i Venecias. Dikush tjetër ka vendosur ta bëjë fytyrën shoshë. Edi Rama duhet të ndajë mendjen”, tha Basha. Më tej ai sqaroi se tashmë qëndrimet e palëve ndahen vetëm në një pikë, në atë të mënyrës së përzgjedhjes së institucioneve të reja vendimmarrëse dhe kontrolluese.
“PD nuk ka asnjë interes tjetër përveç asaj për të cilën jam zotuar para qytetarëve shqiptarë demokratë dhe socialiste si kryetar i opozitës. Mos kapja politike nuk është thjeshtë kusht, por vetë reforma. Me kapjen politike nuk ka reformë. Armiku më i madh i drejtësisë është kapja politike, kapja nga qeveria qoftë Rama sot apo Basha nesër”, u shpreh Basha. Por pas deklaratave të Bashës ka reaguar në Facebook kryeministri Rama, i cili thotë se nuk do ta pranojë kurrë kompromisin partiak për skanimin e gjykatësve dhe prokurorëve. “E perseris:Formule zgjidhje me opoziten po, kompromis partiak per skanimin e gjykatesve e prokuroreve kurre! Partite larg duart nga skanimi! Dikush duhet t’i thote Lulezimit qe s’kam thene asgje te re sot nga ç’thashe pas takimit me te dhe s’kam pranuar as sot vendet e rezervuara!”, shkruan Kryeministri.
Më herët gjatë një konference për shtyp Rama i tregoi opozitës vijën e kuqe të cilën ai nuk e kapërcen. “Sa i përket Komisionit të Posaçëm të Kualifikimit dhe atij Etiko-Profesional që do të filtorojë gjyqtarë dhe prokurorë ne nuk lëvizim nga shumica e cilësuar dhe këtë nuk e negociojmë. Këto të dyja janë matanë vijës së kuqe dhe nuk e kapërcejmë shumicën e cilësuar. Nuk ka asnjë mundësi për kompromis në këtë punë. Nëse kjo gjë preket, atëherë kurrë mos u bëftë kjo reformë. Për dy të tjerat Këshillin e Gjyqësorit dhe Prokurorisë janë mundësitë që të gjendet kompromis, Jemi gati të lëvizin edhe nga 2/3, nëse PD lëviz nga vendet e rezervuara”, tha Rama.
Sigal