Basha pas takimit me Ramën dhe Metën: Zgjidhje bazuar në propozimin hibrid

435
Ka përfunduar takimi mes Kryetarit të LSI-së Ilir Meta, Kreut të PD-së Lulzim Basha dhe Kryeministrit Edi Rama, zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit.
Kreu i opozitës, në një prononcim për mediat pas përfundimit të takimit është shprehur se tre palët politike kanë përcaktuar nga një negociator, të cilët do të vijojnë diskutimet bazuar në propozimin hibrid të paraqitur nga Zv.Sekretarja Amerikane Victoria Nuland. Basha tha se përfaqësuesi i PD-së, i cili do të ketë plotfuqinë për negociatat në vijim, do të jetë Oerd Bylykbashi.

“Së pari dua të falenderoj Kryetarin e Kuvendit, për mundësinë për një konsultë me të tre faktorët kryesorë politikë në vend. Si kryetar i Partisë Demokratike dhe kryetar i opozitës e vlerësoj këtë si një takim konstruktiv. Në fund të takimit të tre kryetarët e forcave politike kanë angazhuar secili nga një përfaqësues të tyrin për të kërkuar zgjidhje bazuar mbi propozimin hibrid dhe rekomandimet finale të Komisionit të Venecias.  Për ne, kjo është një mundësi për të përmbyllur me sukses maratonën e reformës në drejtësi, për të përmbyllur në veçanti draftin kushtetues, natyrisht pas kësaj janë dhe shtatë ligjet.
Negociatori ynë, z.Oerd Bylykbashi ka plotfuqinë për të negociuar një zgjidhje, bazuar mbi propozimin hibrid dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias. Ne kemi paraqitur një zgjidhje dhe kontributi ynë për ta sjellë propozimin hibrid, tërësisht brenda parametrave të Venecias është dëshmia më e qartë e seriozitetit, e përkushtimit dhe e sinqeritetit të Partisë Demokratike, që e ka parë dhe e sheh reformën në drejtësi si një interes madhor të qytetarëve shqiptarë dhe jo si një kalkulim politik apo një betejë paraelektorale. Kështu e kemi nisur dhe kështu po e vazhdojmë këtë proces. Uroj që negociatorët që sapo janë mandatuar do të bëjnë një punë të mirë dhe do ta çojnë në konkluzion pozitiv këtë proces për ti dhënë shqiptarëve dhe aleatëve tanë lajmin e mire”.
Sigal