Basha: Parlamenti të zbatojë menjëherë vendimin e Gjykatës Kushtetuese

466
Parlamenti ka kryer një krim kushtetues. Ose do të plotësojë detyrimet kushtetuese ose vendi zhytet në anormalitet edhe më të thellë. E para që duhet të ndodhë është ndalimi i këtij krimi kushtetues. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet zbatuar pa asnjë vonesë të mëtejshme.
· Themeli është Kushtetuta. Në këtë aspekt jemi të hapur për tu angazhuar që të gjejmë instrumentat e duhura për të shmangur në të ardhmen përsëritjen e këtij krimi kushtetues dhe parandalimin e krizave kushtetuese.
· Mbështes çdo hap që do të ndihmojë në parandalimin e kësaj gjendje në të ardhmen dhe ndërtimin e instrumentave të duhur kushtetues që mos të kemi më asnjë qeveri që e sheh veten mbi ligjin dhe Kushtetutën dhe në këtë mënyrë dhunon të drejtat e qytetarëve, dhunon garancitë që qytetarët kanë përmes ligjit, dhunon pronën e qytetarëve, dhunon punën e qytetarëve, dhunon shëndetin e qytetarëve, dhunon liritë e qytetarëve. 
Protesta do të vazhdojë, qëndresa do të vazhdojë, përballja qytetare do të vazhdojë. Mbrojtja e ligjit dhe e Kushtetutës do të vazhdojë. Mbrojtja e mushkërive të qytetit, mbrojta e qytetit do të vazhdojë dhe për këtë ne jemi më të vendosur se kurrë.
Prononcimi i Kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha për mediat:
Këta janë djemtë heronj që përfaqësojnë vullnetin e çdo qytetari të Tiranës për një qytet ku hapësira urbane, fizike dhe jo fizike e parkut, këndet e lojërave për fëmijë, kopshtet, çerdhet, aktiviteti kulturor të mos jenë pre e një qeverisje arbitrare, arrogante dhe të paligjshme apo e lakmisë së oligarkëve, por të jenë subjekt i vendimmarrjes së qytetarëve.
Këta janë heronjtë të cilët i dhanë fytyrë, emër, zë dhe shpresë aspiratës të të gjithë banorëve të Tiranës po edhe gjithë qytetarëve shqiptarë për një qeverisje llogaridhënëse dhe jo të pabesë, që respekton dhe nuk dhunon pasurinë e përbashkët dhe ata që ngrihen në mbrojtje të pasurisë së përbashkët.
Këta janë ligji, këta janë Kushtetuta në betejë me antiligjin i cili vazhdon të derdhë betonin e korrupsionit dhe të babëzisë në zemër të Parkut të Liqenit. Këta janë prova se edhe kur qeveria degjeneron në një oligarki të lidhur me krimin, se edhe kur policia apo prokuroria nuk e bëjnë punën e tyre shqiptarët e kanë forcën për të mbetur europianë dhe për të kërkuar demokraci të standardit europian, shtet ligjor të standardit europian, e për ta fituar atë, sepse kjo është e vetmja e ardhme për vendin tonë.
Kjo është e ardhmja e vendit tonë dhe jo banditët e veshur me uniformë që i dhunuan dhe të cilët do të përgjigjen herët a vonë para ligjit, për këtë i garantoj. I drejtohem çdo kujt nga forcat e rendit të heqin dorë nga zbatimi i urdhrave të paligjshëm sepse asnjë alibi nuk do të kenë, do të përgjigjen me emër e mbiemër.
Protesta do të vazhdojë, qëndresa do të vazhdojë, përballja qytetare do të vazhdojë. Mbrojtja e ligjit dhe e Kushtetutës do të vazhdojë. Mbrojtja e mushkërive të qytetit, mbrojta e qytetit do të vazhdojë dhe për këtë ne jemi më të vendosur se kurrë. I bëjmë thirrje çdo qytetari, çdo qytetarje, çdo të riu, çdo të reja të në bashkohet sepse kjo është beteja për të nesërmen. Ata që kemi përballë nuk janë e sotmja, janë e djeshmja e Shqipërisë. E djeshmja satrape orientale përballë të nesërmes europiane, invididëve të lirë, qytetarëve të lirë të cilët pavarësisht prej bindjeve politike duan një qytet të pakafshuar nga korrupsioni dhe janë gati të luftojnë për këtë.
Pyetje: Zoti Basha jeni gati të uleni në tryezën e dialogut politik për reformën në drejtësi ashtu siç ju pyetën në fund të letrës së tij, z.Rama drejtuar ju sot?
Basha: Së pari, dua t’ju them që duhet ta lexoj këtë letër sepse zakoni i keq i letrave publike para se ti shkojnë atij që i adresohen vazhdon në Shqipëri. Sigurisht kur ka letër publike edhe përgjigjja do të jetë publike por do të më lejoni në radhë të parë ta lexoj letrën.
Pyetje: Kishte një thirrje dje?
Basha: Ne këtu jemi 50 metra larg ndërtesës së Parlamentit ku Parlamenti ka kryer një krim kushtetues. Parlamenti sot vazhdon të jetë siç ka qenë gjatë këtyre javëve në shkelje të Rendit Kushtetues të Shqipërisë.
Një hajdut që vjedh një bukë merret dhe rraset brenda, një qytetar që lyen pa leje merret dhe rraset brenda. Parlamenti shkel Kushtetutën e dalin e krekosen, e zgërdhihen para kamerave. Parlamenti është në këto momente një kriminel kushtetues me urdhër të Edi Ramës. Pra, ne jemi në një udhëkryq kushtetues dhe në këtë udhëkryq kushtetues një orë e më parë duhet të përfundojë kjo gjendje.
Ka dy rrugë, ose Parlamenti të rikthehet në pozitat që i ka caktuar sovrani me Kushtetutë dhe i ka thënë nuk je ti mbi Gjykatën Kushtetuese është Gjykata Kushtetuese mbi ty; Parlamenti është vendosur në pozita antikushtetuese për të mbrojtur 2 raste flagrante korrupsioni. Duhet të marrë fund kjo situatë ose përndryshe beteja jonë do të vazhdojë dhe do të shtrihet dhe dimensionohet edhe me aspektin publik.
Pyetje: Sot është hedhur nga hap nga zonja Leskaj…
Basha: Nuk ka asnjë mundësi zonja Leskaj të hedhë hapa. Hapin duhet ta hedhë Parlamenti i cili është i detyruar dhe çdo minutë më shumë që vazhdon të mbajë diçka që nuk i takon me Kushtetutë e damkos veten si një hajdut të ndërgjegjshëm të së drejtës kushtetuese, të Gjykatës Kushtetuese, të së drejtës që sovranët i ka dhënë Gjykatës Kushtetuese. Dhe sovranët janë qytetarët dhe nuk është as Leskaj, as Suli, as Kokëdhima.
Pyetje: Por një tërheqje duhet ta shikoni besoj tek ky hap? Një tërheqje të maxhorancës…
Basha: Nuk ka dyshim sepse nuk ka mundësi maxhoranca të mos plotësojë detyrimin e vetë kushtetues e të vazhdojë vendi si normalisht. Dy gjëra ka këtu. O do të plotësojë detyrimet kushtetuese ose vendi zhytet në anormalitet edhe më të thellë.
Sot jemi në krizë kushtetuese dhe kjo krizë kushtetuese është e përsëritur. Sepse para dy vitesh ne gjendeshim në të njëjtën krizë kushtetuese kur këta refuzonin të zbatonin vendimet për komisionet hetimore.
Fakti që ndodhemi në një krizë kushtetuese të përsëritur do të thotë që nuk mjafton vetëm dhënia fund e kësaj situate por duhet që vendit ti hapet perspektiva e një instrumenti që krizat kushtetuese të mos përsëriten më.
Duket qartë dhe besoj se nuk është vetëm mendimi im dhe as vetëm mendimi i demokratëve që institucionet e republikës shqiptare po dështojnë herë pas here në përmbushjen e detyrave të tyre kushtetuese. Dhe kur dështon parlamenti, themeli i republikës tonë, imagjinoni se çfarë efekti ka kjo në institucionet e tjera të vendit.
Ndaj në këtë kuptim, sigurisht që letrën do ta lexoj dhe do i përgjigjem me shkrim. Por gjëja e parë që duhet të ndodhë është ndalimi i kësaj situate paligjshmërie, antikushtetutshmërie dhe së dyti, padyshim mbështes çdo hap që do të ndihmojë në parandalimin e kësaj gjendje në të ardhmen dhe ndërtimin e instrumentave të duhur kushtetues që mos të kemi më asnjë qeveri që e sheh veten mbi ligjin dhe Kushtetutën dhe në këtë mënyrë dhunon të drejtat e qytetarëve, dhunon garancitë që qytetarët kanë përmes ligjit, dhunon pronën e qytetarëve, dhunon punën e qytetarëve, dhunon shëndetin e qytetarëve, dhunon liritë e qytetarëve.
Themeli është Kushtetuta. Padyshim në këtë aspekt jemi të hapur për tu angazhuar që të gjejmë instrumentat e duhura për të shmangur në të ardhmen përsëritjen e këtij fenomeni të shëmtuar, të këtij krimi kushtetues dhe parandalimin e krizave kushtetuese.
Kjo republikë është në krizë kushtetuese dhe gjatë kësaj maxhorance dy herë tashmë. Koha ka ardhur të rishqyrtojmë edhe njëherë themelet e kësaj republike në mënyrë që të shmangim përsëritjen e këtyre krizave në të ardhmen.
Sigurisht që kjo kërkon vullnet politik, por të mos harrojmë që ishte vullneti politik i mbrapshtë që na solli këtu. Kërkon vullnet politik, kërkon dialog për të cilin Partia Demokratike dhe unë kemi qenë jo thjeshtë të hapur por kemi qënë ftues për këto dy vite dhe kemi marrë nënqeshjen, fyerjen dhe gjuhën vulgare edhe të letërdërguesit të sotëm.
Por unë jam njeri me një masë durimi dhe largpamësie të thellësisë shqiptare dhe cilësisë europiane, kështu që në këtë pikëpamje nuk ia mbyll kurrë derën dialogut dhe i jap gjithmonë një shans konsensusit. Sigurisht nuk mund të jetë siç ishte para dy vitesh ku u firmos, u ra dakord, nuk zbatohet dhe sot përqeshet.
Pyetje: Pra do ti propozoni një format z Rama? Keni kushte për të vënë për tryezën e dialogut?
Basha: Për kaq sa më thatë, këto po u them. Kini durim të lexoj letrën e ti kthej përgjigje.
Sigal