Basha: Paratë e drogës pastrohen në lavatriçen e Erion Veliajt

655
Kryetari i PD, Lulzim Basha, deklaroi se paratë e drogës tashmë po investohen në sektorin e ndërtimit, ndërsa akuzoi qeverinë “Rama” për këtë skemë të pastrimit të parave. “Prej gjashtë muajsh kam paralajmëruar se Shqipëria me Edi Ramën po kalon nga kanabisi, tek heroina dhe kokaina. Dhe ja ku u vërtetua. Ngarkesa e djeshme, që është lajm evropian dhe botëror, 613 kg heroinë, vërteton që atë që opozita dhe unë kemi thënë vazhdimisht. Kanabisi ishte vetëm fillimi! Tani heroina dhe kokaina janë dy aktivitete kryesore, kriminale, të krimit të organizuar shqiptar. Po ashtu, kemi paralajmëruar se krimi, politika dhe biznesi janë bërë një. Dhe kjo vërtetohet, jo vetëm nga biznesmeni që bënte tregtinë e kokainës me Kolumbinë, por edhe nga fakti i pranuar nga të gjithë, se një sasi e tillë kokaine nuk mund të kalonte në Shqipëri pa garanci politike, pa mbështetje politike të nivelit më të lartë”, u shpreh Basha. Sipas tij, paratë e përfituara nga trafiku kriminal i drogës, janë një kërcënim i jashtëzakonshëm për stabilitetin politik dhe ekonomik të vendit. “Vlera e kësaj sasie droge është 180 mln euro. Ku do të pastrohen këto para? Së pari në lavatriçen e madhe të pastrimit të parave të pista, në Bashkinë e Tiranës, e cila ka dyfishuar numrin e lejeve të ndërtimit, ka më shumë se dyfishuar sipërfaqen e ndërtimit, pas bumit të drogës së vitit 2016. Prandaj hetimi dhe vëmendja ligjore e prokurorisë, vëmendja politike dhe e çdokujt që shqetësohet për fatin e vendit, nuk mund të jetë thjeshtë dhe vetëm tek parcelat e kanabisit apo vetëm tek kontejnerët e heroinës dhe kokainës, por duhet të kthehen, aty ku po pastrohen paratë e krimit, në Bashkinë e Tiranës që është lavatriçja kryesore e pastrimit të parave të pista, parave të drogës dhe në të gjithë sektorët e tjerë, ku po pastrohen miliona Euro, të cilat faktikisht po shkatërrojnë ekonominë, sepse në këtë vend nuk prodhohet më asgjë dhe nuk eksportohet më asgjë përveçse drogës”, nënvizoi Basha. Sipas tij, problemi do të zgjidhet vetëm duke larguar atë që shkaktoi problemin, që është Edi Rama.
Sigal