Basha-Palmer: dekriminalizimi, droga, zgjedhjet e lira e të ndershme, sfidat e Shqipërisë

468
Sigal

Kryetari i Partisë Demokratike pret në
takim Drejtorin për Europën Jug-Qendrore në Departamentin Amerikan të Shtetit,
z.Mathew Palmer

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim
Basha priti sot Drejtorin për Ceshtjet e Europës Jug-Qendrore në Departamentin
Amerikan të Shtetit, z.Mathew Palmer, me të cilin ndau vlerësimin për
mbështetjen e vazhdueshme që Shtetet e Bashkuara i japin Shqiperise, e po ashtu
ndau edhe shqetësimet për situaten aktuale në Shqipëri.

Z.Basha shprehu shqetësimin për sfidat e
mëdha që po has Shqipëria, mbi të gjitha me cështjet që kanë të bëjnë me
krimin, korrupsionin, me drogën, me zgjedhjet e lira e të ndershme dhe me
dekriminalizimin.

Kryetari Basha tha se Partia Demokratike
ka dhëne dhe jep mbështetje totale për integrimin europian të Shqipërisë dhe
është e vendosur të vazhdojë kontributin e saj maksimal për të ardhmen
europiane të vendit. Ai shprehu mbështetjen e opozitës dhe Partisë Demokratike
për Reformën në Drejtësi që në hapat e parë, si një projekt thelbësor për të
ardhmen afatmesme dhe afatgjate të Shqipërisë dhe si një instrument për të
luftuar disa nga problemet madhore që Shqiperia ka. Basha theksoi faktin se ajo
që Shqipëria ka nevojë është një drejtësi të pavarur, dhe jo e kapur nga
qeveria apo kryeministri; sepse një sistem gjyqësor i kapur është një sistem
gjyqësor i korruptuar, në shërbim të krimit dhe politikanëve të korruptuar.

Moszbatimi i ligjit të dekriminalizimit si
provë e mungesës së vullnetit për t’u ndarë me krimin dhe për të respektuar
sundimin e ligjit është një problem i madh për demokracinë dhe shtetin ligjor,
u shpreh z. Basha, duke shtuar se individë me rekorde te rënda kriminale, të
denoncuar nominalisht, me emër me pozicione dhe me fakte, edhe nga ambasadori
Lu, jane sot në krye të bashkive të vendit, në Parlamentin shqiptar dhe në
strukturat drejtuese të Partisë Socialiste.

Futja e personave me precedente kriminale
në politike, administratë publike dhe vendimmarrje, ka ndikuar gjithashtu që
droga të kthehet në aktivitetin më të madh prodhues në vend, duke sjellë
investimin e krimit të organizuar në një infrastrukturë të tërë të prodhimit
dhe trafikimit të drogës, dhe mosveprimi i shtetit ndaj trafikantëve nga ana
tjetër, janë indikacione të qarta të rolit nxitës dhe mbrojtës për këtë
aktivitet nga segmentet më të larta shtetërore, theksoi kreu i opozitës.

Sfida më e madhe sot është garantimi i
zgjedhjeve të lira në kushtet kur procesi zgjedhor kërcënohet nga droga dhe
kriminelet me mbeshtetje qeveritare, u shpreh z. Basha.

Nga ana e tij, z.Palmer, e falenderoi
z.Basha për bashkëpunimin e deritanishem dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara të
Amerikës i ndjekin me shume kujdes zhvillimet në Shqiperi dhe se ata kanë
gjithmonë nën vemendje dhe monitorim proceset zgjedhore dhe garantimin e
zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.