Basha: Opozita e bashkuar, për herë të parë në 27 vjet

85
Kryetari i Partisë Demokratike vijon fushatën në veri të vendit dhe shpalos programin e tij ekonomik
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në takimin e tij elektoral në Shkodër ka folur për Republikën e Re dhe ka përmendur gjendjen jo të mirë ekonomike në vend. Ai ka thënë se Rama nuk do t’ia dijë për shkodranët dhe shqiptarët, por vetëm për tepsinë e timonin e vet. “Mora lajmin se u shkarkua drejtori i hipotekes së Shkodrës dhe kështu do të shkarkohet çdo zyrtar që do të përdorë ofiqin e vet për fushatë. Ndaj të themi një shprehje të vjetër që e kemi thënë dhe më parë ‘ky është vetëm fillimi’. Kështu që ju demokratët e Republikës së Re, gardianë të fatit tuaj, mos kini frikë të denonconi çdo shkelje që bëhet”, tha Basha. Sipas tij, opozita shkon drejt zgjedhjeve parlamentare të 25 qershorit më e bashkuar se kurrë. “Për herë të parë në 27 vite e gjithë opozita është e bashkuar në një kauzë, të Republikës së Re me numrin 6. Ndërsa ata janë të përçarë në një tepsi, në një timon apo dy timona asnjëherë nuk e kanë pasur mendjen për shqiptarët por për pushtetin. Ata vijnë në këtë fushatë pa kauzë, pa bilanc. Ata vijnë të përçarë”, nënvizoi kreu demokrat.

Në të njëjtën kohë, Basha premtoi se në rast të zgjedhjes si kryeministër do të marrë vendime që do të çlirojnë ekonominë. “Kjo fushatë nuk bëhet as për barsoleta, as karikatura, as qyfyre, por për të marrë këtë qytet me votë. Këtu duhet të vihet me bilanc. Rama nuk ka ardhur me bilanc, por vjen vërdallë për të zhvendosur me çdo kusht vëmendjen tuaj. Si është ekonomia, taksat, pensioni etj. Ai e nisi me elefantin, zebra e truke të tjera. Ai është i gatshëm të veshë çdo gjë vetëm t’ju heq vëmendjen. Madje edhe në Vlorë e kam thënë që ai mund të veshë edhe çitjane vetëm e vetëm që të tërheqë vëmendjen”, ka thënë Basha.

Ndërkohë, Lulzim Basha dhe ekipi i tij hapën fushatën edhe në Vaun e Dejës. Basha tha se Republika e Re do të jetë e njerëzve të thjeshtë dhe jo e një grushti oligarkësh. “Çfarë është Republika e Re?! E nesërmja e sigurt do të thotë pension minimal prej 250 mijë lekësh për çdo pensionist shqiptar, do të thotë ndihmë ekonomike për të gjitha familjet që kanë nevojë për ndihmë ekonomike dhe jo kjo lëmoshë mjerane që jepet sot. Pagesë të energjisë elektrike deri në 300 kilovat për çdo familje, pagesë e faturave të ujit për të gjitha familjet në ndihmë ekonomike”, premtoi Basha. Ai shtoi se e nesërmja e sigurt do të thotë shkolla me drekë falas për fëmijët shqiptarë. “Republika e Re do të garantojë brenda 4 viteve të para drekën falas për të gjithë fëmijët shqiptarë në sistem arsimor publik dhe pas drekës aktivitete passhkollore deri në orën 16.00. Ju garantoj se në krye të 4 viteve duke anuluar qindra milionë euro të Ilir Beqës dhe Vilma Nushit me shokë, ne do të kemi më shumë shtretër në spitale, më shumë mjekë, mjekë më cilësorë, aparatura, ilaçet e nevojshme në farmacitë e spitaleve për të mos shkuar jashtë tyre”, tha Basha. Ai u shpreh se ekonomia është rritur vetëm për miqtë e Edi Ramës, ndërsa për shqiptarët e thjeshtë është rënduar siç e tregoi edhe falsifikimi i shifrave të rritjes ekonomike.

“Rritja ekonomike u falsifikua”
Kreu i opozitës, Lulzim Basha, tha se Instituti i Statistikave, i kontrolluar nga i emëruari i Ramës, tha se rritja ekonomike në këto vite është më e ulët se ajo që kishim shpallur. “U detyrua të pranonte se rritja ekonomike që kishin shpallur ishte falsifikuar për qëllime politike. Këtë e thotë INSTAT-i por s’ka nevojë ta thotë. Pyesni xhepat tuaj. Ju e dini më mirë se çdo institut, se çdo institucion kombëtar apo ndërkombëtar, se në çfarë gjendje është ekonomia juaj personale, ekonomia juaj familjare. Por fakti se Edi Rama thotë se ekonomia është rritur dhe ju nuk e kuptoni është tregues se sa jashtë realitetit është njeriu që kërkon të jetë prapë kryeministër për 4 vitet e ardhshme”, tha Basha.