Basha: Oligarkët futën në xhep 550 milionë euro

443
Kryetari demokrat i kthehet fushatës elektorale, pas vizitës në SHBA dhe takimit me Donald Trump
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i është rikthyer fushatës elektorale, pas një vizite dyditore në Shtetet e Bashkuara, ku u takua edhe me presidentin amerikan, Donald Trump. Nga Durrësi, ku ka qenë për një takim elektoral, Lulzim Basha ka pranuar edhe njëherë se nuk do të bëjë koalicion, as me PS as me LSI. Në fjalën e tij lideri demokrat tha se Meta dhe Rama zihen se kush do të vjedh më shumë. “Ne duhet t’i çojmë kriminelët prapa hekurave. Sepse këta çfarë bëjnë? I nxjerrin dhe i sjellin në mes të Durrësit. Këta të dy, deri para 2 javësh putheshin sepse kishin bërë në plan të bënin zgjedhje pa opozitën, e tani zihen. Po pse zihen? Zihen sepse duan pasurinë e vendit. 550 milionë euro i kanë futur në xhepa 48 veta, me kryehajdutin Ilir Beqaj dhe shefin e tij Edi Rama. Gjysma e parave nuk shkojnë për shëndetësinë, por vidhen. Para 4 vitesh tha 300 mijë vende pune, po në Durrës sa vende pune janë hapur? Asnjë”, u shpreh Basha, duke kritikuar atë që e ka cilësuar vazhdimisht në takimet e tij si sistemi i oligarkëve. Sipas tij, në 4 vite, Edi Rama dhe Ilir Meta kanë qenë në garë se kush vjedh më shumë. “Edhe sot janë në garë, sepse nuk janë në garë për ju, por se kush të vjedhë më shumë. Këto 2 javë të fushatës u kujtuan të thonë të zezat e njëri-tjetrit. Ky është mashtrimi i fundit i tyre. Edi Rama me dy patericat e tij, Ilir Metën dhe Shpëtim Idrizin. Këta e shkatërruan ekonominë, këta e mbushën shtetin me kriminelë. Këta duhet të ndëshkohen me votë, i pari Edi Rama dhe të tjerët pas tij. Partia e parë fituese e këtyre zgjedhjeve do të jetë PD dhe opozita e bashkuar”, nënvizoi Basha.

Kreu demokrat tha se PD nuk do të bëjë pazar, “as me shpk-të, as me tezgat”. “Po vjen ora e ndëshkimit. Rama flet për timonin, por vetëm timoni i ka ngelë Shqipërisë, shtet. Motorin e shkatërroi me gjithçka tjetër. Cili është motori i një vendi? Ekonomia. Ai e shkatërroi. Ka harxhuar miliarda euro për palma, zyra, makina luksi. 600 milionë euro i ka falë CEZ-it dhe për të mbushur gropën u rriti çmimin juve”, tha Basha nga takimi i tij në Durrës.

Gjithashtu, Basha foli edhe për vizitën e tij në SHBA. “Kemi si asnjëherë sytë e gjithë botës, mbështetjen e gjithë botës nga SHBA, në Gjermani, të cilët duan një Shqipëri me një qeveri të përgjegjshme që ka vullnetin, përvojën, dëshirën dhe vendosmërinë të punojë për shqiptarët”, tha Basha. Sipas tij, programi ekonomik i PD parashikon ulje taksash dhe mbështetje ndaj biznesit, masa që po diskutohen në SHBA. “E përmendi disa herë presidenti, ulja e taksave, investimi për stazh dhe për rininë. Investimi për të mundësuar që të gjtihë fëmijët amerikanë të vazhdojnë shkollën e lartë. Mbështetja për biznesin e vogël. Krijimi i një klime për investitorët amerikanë dhe të huaj, mbështetja e fermerëve amerikanë. Ky është edhe programi im. Do thoni ju e kopjova unë Trumpin, apo Trumpi më kopjoi Lul Bashën. As njëra as tjetera, ky është plani si funksionon ekonomia”, u shpreh kryetari demokrat. 
Sigal