Basha nuk tërhiqet: Rama nuk do dialog, por monolog

460
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u shpreh dje se kryeministri Rama nuk dëshiron dialog, por monolog. Basha nënvizoi se prej dy ditësh negociatori i Partisë Demokratike është në pritje të nisjes së bisedimeve për gjetjen e një zgjidhjeje. “Nuk ka shqiptar dhe shqiptare që nuk e di zezonën e drogës dhe krimit, që është gjëma më e madhe që qeveria e Edi Ramës i shkaktoi Shqipërisë dhe shqiptarëve. As kriminelët nuk erdhën vetë në institucione dhe as droga nuk mbiu nga shiu e nuk u rrit nga dielli. Kriminelët në institucione i solli Edi Rama për të mbajtur pushtetin e tij politik, dhe me kriminelët shkatërroi totalisht institucionet shqiptare, ekonominë shqiptare, liritë dhe të drejtat e shqiptarëve dhe e mbushi Shqipërinë me drogë”, tha Basha, duke folur nga çadra e ngritur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ai tha se sot Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës në raportet e tyre më serioze për drogën dhe krimin e kanë konstatuar të zezë mbi të bardhë gjendjen dramatike të vendit.

“Droga dhe krimi, janë dy arsyet e jashtëzakonshme për kërkesën tonë për zgjidhje të jashtëzakonshme, ndaj kërcënimit të jashtëzakonshëm për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kërkesa jonë, vendimi jonë nuk ndryshon; vetëm qeveri teknike”, tha Basha. Ai shtoi se ka miq dhe dashamirës të Shqipërisë që për një arsye apo një arsye tjetër nuk kanë informacionin e plotë, me ta kemi e duhet të kemi durim, me ta kemi e duhet të kemi të hapur rrugën e dialogut për t’i informuar mbi këto të zeza që i janë shkaktuar Shqipërisë nga droga me lidhje qeveritare.

“Ndaj rruga e vetme është largimi sot, një orë e më pare, i Edi Ramës nga karrigia kryeministrore dhe hapja e rrugës për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Për fat të mirë të Shqipërisë dhe shqiptarëve, nuk kanë munguar e nuk mungojnë miqtë e vërtetë të Shqipërisë, të cilët i kanë dhënë mbështetje totale të kauzës së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, kauzës së dekriminalizimit, luftës pa kompromis kundër drogës dhe korrupsionit qeveritar, që synon të shkatërrojë zgjedhjet e shqiptarëve”, tha Basha. Sipas tij, kryeministri do monolog, monologë shterpë për t’i hedhur hi syve shqiptarëve dhe për t’iu shitur dokrra ndërkombëtarëve, më gjasë sikur është i angazhuar për zgjidhje. “Do ketë vetëm dialog për zgjidhje, për zgjidhjen e krizës politike përmes formimit të një qeverie teknike me mbështetje politike që të realizojë zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit, luftën efikase kundër drogës dhe krijimin e kushteve për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha.
Sigal