Basha: Nuk tërhiqemi pa largimin e Ramës pavarësisht nga ata që flasin nga maja e thanës

463
Kryedemokrati Lulzim Basha ka theksuar sërish sot se opozita nuk tërhiqet deri në largimin e kryeministrit Edi Rama nga karrigia kryeministrore. Thirrja e tij ka qenë edhe për kritikët dhe kundërshtarët shqiptarë apo ndërkombëtarë qofshin.
“S’kemi kërkuar ta përmbysim me revolucion, kemi vetëm kërkuar të largohet si shenja minimale e përgjegjësisë për ku i ka sjellë shqiptarët dhe vendin. Ta harrojë çdokush pavarësisht se nga maja e cilës thanë flet se ne do të tërhiqemi pa largimin e Edi Ramës nga karrigia kryeministrore, ky është kushti për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, deklaroi Basha në çadrën e protestës.

Ai hodhi akuza ndaj qeverisë për lidhje me drogën dhe tha se për 2.5 tonë lëndë narkotike policia nuk ka mbajtur protokoll pasi nuk i ka asgjësuar por i ka trafikuar.

“Ku janë protokollet për shkatërrimin e 2.5 tonëve të lëndëve narkotike. Nuk janë sepse droga nuk është asgjësuar por është nëpër tunele nëpër magazina nga mafia shqiptare. Shqipëria është e mbushur me drogën e Ramës për të shmangur vettingun politik, zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Me lekët e saj do të asgjësojë votën e lirë të shqiptarëve, ky është projekti politik. Të pranojmë të shkojmë në zgjedhje me kryeministrin, komandantin e hambarëve të drogës, me njeriun që i futi kriminelët në institucione dhe pengon zbatimin e ligjit, kurrë nuk do pranojmë”, theksoi kreu i PD-së.
Sigal