Basha: Nuk kandidoj për Bashkinë e Tiranës, do të drejtoj opozitën

445
TIRANË – Lulzim Basha, zyrtarisht nuk do të kandidojë për Bashkinë e Tiranës në zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Ndërsa inaguroi ndërtimin e një kopshti në kryeqytet, Basha pranoi se do të drejtojë opozitën për të rrëzuar qeverinë, që e cilësoi si qeverinë e lakut në fyt.
Basha ka deklaruar se me këtë vendim i qëndron bindjes së tij dhe asaj që ka thënë katër vite me parë, kur vendosi t’i përkushtohej Tiranës, që bashkisë i duhet një kryetar më kohë dhe përkushtim të plotë, ndërkohë që misioni i tij tashmë është në krye të opozitës, për largimin e qeverisë. 
“Katër vjet më parë kur unë u përballa me Edi Ramën për Bashkinë e Tiranës kam shprehur një bindje se kryetari i opozitës nuk duhet të ri kandidojë për kryebashkiak. E kam thënë, i qëndroj kësaj bindje, është fjala ime dhe nuk i dal fjalës sime, i kam patur për kundërshtarin dhe i kam edhe sot për vete. Nuk ka asnjë kundërthënie me ato çfarë unë kam thënë e kam bërë. Sot ndodhem unë në të njëjtën pozitë, u zgjodha në mes të mandatit të kryebashkiakut si krytar i PD, ndaj ndodhem si kundërshtari im para katër viteve. Kam vendosur të mos kandidoj për kryebashkiak për të drejtoj opozitën. Misioni im tani është të drejtoj opozitën në largimin e qeverisë së lakut në fyt. E kam munduru për garën e Bashkisë, do ta mundim në garën për gjithë bashkitë dhe për qeverinë”, deklaroi Basha. 
Basha ka theksuar më tej se “në nderim të banorëve të Tiranës, dua që kandidati i PD t’i përkushtohet me kohë të plotë drejtimit të bashkisë së Tiranës, PD ka plot personalitete, kandidati i ri fitues për Tiranën ka avantazhin që do të punojë në një qytet që ka kushtetutën e vet urbane, planin e vet, masterplanin në zbatim të Tiranës moderne me projekte të mëdha, që po hedhin shtat pavarësisht për përpjekjet për t’i vonuar nga një kryeministër xheloz”. 
Sigal