Basha: Nuk ka asnjë dilemë, do të ketë dhe Reformë në Drejtësi

455
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka marrë mbështetjen e kongresmenëve amerikanë për sfidën që ka sot përpara jo vetëm Partia Demokratike por çdo qytetar shqiptar, pastrimi i politikës nga të inkriminuarit, zgjedhjet e lira dhe të ndershme si dhe reforma në drejtësi. 
Në ditën e dytë të qëndrimit në SHBA, lideri i opozitës u takua me kongresmenët Dana Rohrabacher, kryetar i Komitetit për Europën në Kongresin Amerikan Robert Aderholt dhe David Jolly, me drejtorin për Ballkanin në Departamentin Amerikan të Shtetit Thomas Yazdgerdi, si dhe u prit në një takim të veçantë në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë. SHBA-të kanë pritshmëri se po punojnë me partner të besuar dhe këtë duhet ta tregojë qeveria shqiptare, theksoi kongresmeni amerikan Jolly.
“Jam i lumtur të mbështes qëndrimin tuaj për implementimin e ligjit të dekriminalizimit, gjithashtu iniciativën tuaj për realizimin e reformës në drejtësi pasi të nisë zbatimi i ligjit për dekriminalizimin si dhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Së pari sepse besoj në rritjen e sigurisë në Shqipëri, besoj në miqësinë mes Shqipërisë dhe SHBA-ve. Gjithashtu edhe sepse SHBA-të kanë pritshmëri të punojnë me partner të besuar dhe një qeveri ku mund të mbështetet. Siguria juaj është siguria jonë por kjo vjen bashkë me përgjegjësitë dhe një qeverisje etike. Prandaj ne do t’ju inkurajojmë dhe mbështesim në zbatimin e ligjit të dekriminalizimit si dhe në zbatimin e reformës në drejtësi sapo ajo të miratohet. Sigurisht edhe për zgjedhje të lira dhe të ndershme, një prej pritshmërive që SHBA-të gjithmonë kanë. Në të njëjtën kohë në këtë kontekst ne do t’ju mbështesim si vend me statusin kandidat në BE dhe pjesë e NATO-s dhe jam shumë i lumtur që të punojmë me ju në të ardhmen”, tha Jolly.
Për kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha nuk ka asnjë dilemë mes reformës në drejtësi dhe zgjedhjeve pasi sipas tij do të ketë reformë në drejtësi dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Në takimet e zhvilluara në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë është vlerësuar roli i Partisë Demokratike në qeverisje ashtu dhe në opozitë përsa i përket sfidave të sigurisë globale. Sfida e sotme, sipas zotit Basha, është garantimi i një sigurie funksionale në Shqipëri.
“Në takimet me anëtarë të Kongresit Amerikan, me përfaqësues të lartë të administratës amerikane është diskutuar mbi shqetësimet për zhvillimet në Shqipëri e në veçanti sa i përket çështjes së dekriminalizimit. Implementimit të ligjit të dekriminalizimit dhe nxjerrjes jashtë nga politika të njerëzve me rekorde të tmerrshme kriminale që u sollën aty nga Edi Rama. Si dhe për sfidën e Shqipërisë për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe aprovimin e reformës në drejtësi sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias duke i hapur rrugë dialogut politik, kompromisit dhe konsensusit politik, por gjithmonë bazuar mbi rekomandimet e Komisionit të Venecias. Po kështu në këto takime e në veçanti në takimet në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shtëpinë e Bardhë u shpreh mirënjohje për rolin e Partisë Demokratike, si dje në qeverisje ashtu edhe sot në opozitë sa i përket sfidave të sigurisë globale për të cilat Shqipëria ka dhënë dhe duhet të vazhdojë të japë kontributin e saj. Pa dyshim kontributi më kryesor që Shqipëria mund të japë dhe duhet të japë është siguria e saj duke garantuar një siguri funksionale, duke garantuar shtetin e të drejtës, duke garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, duke implementuar ligjin për dekriminalizimin dhe reformën në drejtësi.
Dhe kjo nuk është një çështje zgjedhjesh: O reformën në drejtësi ? O zgjedhje të lira e të ndershme? Edhe reformën në drejtësi edhe zgjedhje të lira dhe të ndershme. Reformën në drejtësi për të vënë para përgjegjësisë, para ligjit zyrtarët e korruptuar. Për të vënë para ligjit kriminelët me lidhje me pushtetin, të cilët bashkërisht shkelin ligjin duke i imponuar qytetarëve një tirani dhe duke qëndruar për vete me privilegjet e tyre, me korrupsionin e tyre mbi ligjin dhe jashtë ligjit sot e gjithë ditën.
Dhe nga ana tjetër zgjedhje të lira dhe të ndershme për të vënë para përgjegjësisë keqqeverisjen e këtyre tre viteve. Pra, dilema nuk është reformë në drejtësi apo zgjedhje të parakohshme. Edhe reformë në drejtësi edhe zgjedhje të lira e të ndershme. Ky është mesazhi që dua të ndaj sot nga Uashingtoni dhe për të cilën kam marrë mbështetjen e plotë dhe të gjithanshme të partnerëve tanë dhe të përfaqësuesve të tyre në Kongresin Amerikan”, theksoi zoti Basha.
Drejtori për Ballkanin në Departamentin Amerikan të Shtetit në takimin me zotin Basha ka mbështetur iniciativën e Partisë Demokratike për dialog dhe konsensus politik mes qeverisë dhe opozitës për të miratuar reformën në drejtësi bazuar në rekomandimet e Komisionit të Venecias.
“Kam takuar drejtorin për Ballkanin në Departamentin e Shtetit z. Yazgerdi, i cili është shprehur i qartë dhe i vendosur sa i përket mbështetjes që administrata amerikane i jep Shqipërisë; për procesin e dekriminalizimit, për papranueshmërinë e personave me rekorde kriminale në politikë, për mbështetjen që Departamenti i Shtetit i jep Shqipërisë për reformën në drejtësi sipas rekomandimeve të Venecias dhe kërkesës se kahershme për dialog të vërtetë politik, dialog të sinqertë politik mes qeverisë dhe opozitës për t’i kthyer këto rekomandime në akte kushtetuese dhe ligjore.
Dhe së treti, sa i përket zgjedhjeve të lira e të ndershme që janë një domosdoshmëri për funksionimin e demokracisë në Shqipëri. Këto tre çështje janë të lidhura së bashku. Opozita, Partia Demokratike i sheh të lidhura së bashku dhe kushdo që mendon ndryshe gabohet rëndë”, theksoi lideri i opozitës Lulzim Basha. 
Për kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha, testi i parë për Edi Ramën për të treguar nëse vërtet e do reformën në drejtësi është miratimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, miratimi i akteve kushtetuese dhe ligjore që i hap rrugë kësaj vegle që lufton korrupsionin në nivele të larta.
“Qëndrimi ynë për Byronë Kombëtare të Hetimi ka qenë i prerë dhe i qartë që prej fillimit. Po Byrosë Kombëtare të Hetimit nën Prokurorinë, ashtu siç ka sanksionuar Komisioni i Venecias.
Ky është edhe testi i sinqeritetit për maxhorancën: E do me të vërtetë reformën në drejtësi apo ishte e interesuar vetëm kur kjo t’i mundësonte kapjen e drejtësisë?! Sot që Komisioni i Venecias është shprehur qartë prova, barra e provës është në anën e Edi Ramës. Nëse është gati për reformën në drejtësi, testi i parë është Byroja Kombëtare e Hetimit. Është së pari miratimi i akteve kushtetuese dhe ligjore për t’i hapur rrugë kësaj vegle që lufton korrupsionin në nivele të larta. Dhe së dyti, implementimi i luftës kundër korrupsionit në nivele të larta përmes kësaj Byroje dhe monitorimi i këtij implementimi nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian” u shpreh kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.
Sigal