Basha nga Çadra: Presidenti nga populli, të ndryshojmë Kushtetutën

451
Ndërkohë që dy raundet e parë për zgjedhjen e Presidentit të ri u dogjën për shkak të mungesës së një kandidature, kreu i opozitës Lulzim Basha, i cili bashkë me partinë që drejton dhe aleatët e djathtë ndodhen në protestë prej dy muajsh, vjen me propozim i ri.

“Të ndryshojmë Kushtetutën. Presidentin ta zgjedhë populli”, është kjo deklarata e bërë prej tij gjatë ditës së djeshme nga çadra e protestës. Ai tha se opozita është ftuar këtë javë për zgjedhjen e Presidentit duke i kërkuar konsensus, por edhe duke kujtuar se votat i kanë. “Ne i kemi paret, po hajde ta blejmë bashkë. Do blejmë ndonjë viç në treg? I kujt është Presidenti? Është i Ilir Metës, i Lul Bashës? I kujt është? Atëherë oferta ime është kjo, të zgjedhim President nga populli”, u shpreh Lulzim Basha. Sipas tij, meqë çështja e Presidentit po shtrohet në tavolinë dhe me që kërkohet kontributi i opozitës, opozita tha ai jep “një dhe vetëm një ofertë për çështjen e Presidentit të Republikës: të ndryshojmë Kushtetutën, ta zgjedhë populli shqiptar”. Zgjedhja e kreut të shtetit sipas Kushtetutës mund të bëhet me pesë raunde, ku në tre raundet e para duhet një shumicë me 3/5 e votave ose 84 të tilla, ndërsa dy raundet e tjera me shumicë të thjeshtë prej 71 votash. Në rast se Presidenti nuk zgjidhet në asnjërën nga raundet, bëhet shpërndarja e Parlamentit dhe shkohet në zgjedhje brenda 45 ditësh. Në vijim ai u ndal në zgjedhjet e 18 qershorit, për të cilat tha se nuk do të mbahen. “Zgjedhje pa opozitën nuk ka dhe nuk ka për të pasur. Çdo përpjekje për dialog duhet të ketë parasysh standardet. Nuk ka asnjë tërheqje. Rruga për një pakt kombëtar për një Shqipëri evropiane mbetet e hapur edhe për partitë e Republikës së vjetër”, deklaroi Basha. Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shprehur edhe njëherë vendosmërinë lidhur me qeverinë teknike. “Beteja jonë për zgjedhje të lira, për demokraci të vërtetë dhe për një Shqipëri të lirë nga droga dhe krimi, nuk është vetëm për fatin e shqiptarëve dhe të ardhmen e Shqipërisë. Kjo është betejë edhe për Evropën, edhe për Amerikën, sepse është betejë për vlerat e përbashkëta dhe për sigurinë e përbashkët”, shprehet Basha. Më tej ai shton se një Shqipëri e sigurt, kontribuon për një Evropë të sigurt. Një Shqipëri demokratike dhe e fortë kontribuon në partneritetin strategjik dhe sigurinë euroatlantike. “Një Shqipëri që ka humbur kontrollin e territorit dhe të kufijve, me një qeverisje të kapur nga krimi sjell pasiguri për Evropën dhe kthehet në konsumator të partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Liria, demokracia dhe mirëqeverisja janë të vetmet garanci për stabilitetin, sigurinë dhe mirëqenien, për sot dhe për nesër”, përfundon Basha.
Sigal