Basha nga Brukseli: Mes vendeve anëtare të BE, ka stepje për hapjen e negociatave

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ndodhet në Bruksel, në punimet e Asamblesë Politike të Partisë Popullore Evropiane, ka bërë një deklaratë në vijim të takimeve që ka pasur me kolegë, drejtues të partive simotra dhe përfaqësues të qeverive evropiane. Duke folur nga Brukseli, Basha analizoi krimin, korrupsionin dhe përdorimin e parave të drogës në ekonomi dhe politikë si arsyet përse qeveria sipas tij, e ka vendosur Shqipërinë në një pozicion të pafavorshëm për hapjen e negociatave të anëtarësimit.

Kreu i PD paraqiti “qeverinë antimafia” si zgjidhjen politike të opozitës, në kushtet kur ndërgjegjësimi i shumicës së vendeve anëtare për problemet e Shqipërisë për shkak të lidhjeve të qeverisë me krimin, tha ai, mund të çojë në situatën e papëlqyeshme për opozitën, atë të pengimit të rrugës evropiane të vendit. “Për fat të keq, ajo që vërej është një stepje e madhe e përfaqësuesve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian sa i përket Shqipërisë. Në veçanti, shqetësime të mëdha në drejtim të shtetit ligjor, luftës kundër krimit, luftës kundër korrupsionit. Padyshim që episodi Tahiri dhe mbrojtja e tij politike me imunitet parlamentar, si dhe largimi në drejtim të paditur i 3 oficerëve madhorë, pasi ata u vunë nën akuzë dhe u kërkua arrestimi në lidhje me trafikun e drogës, kanë lënë një shije shumë të hidhur”, u shpreh Basha. Ai tha se avantazhi i të qenit në këtë takim është se vendet anëtare po ngrenë probleme që opozita ka katër vjet që i denoncon, kriminalizimin e politikës, mbulimin e Shqipërisë me drogë, qindra milionë euro të drogës, që po qarkullohen nga grupe kriminale edhe përmes kanaleve të ekonomisë informale, duke i dhënë krimit fuqi ekonomike dhe politike, siç u faktua në zgjedhjet e 25 qershorit. Sipas tij, disavantazhi është që shumica dërrmuese e vendeve anëtare janë bërë shumë të ndërgjegjshme për këto problem dhe se kjo mund të pengojë rrugën evropiane të Shqipërisë duke ndëshkuar qytetarët shqiptarë, shumica dërrmuese e të cilëve nuk kanë lidhje as me kultivimin e drogës, as me trafikun e drogës.

Por kryedemokrati tha se janë ata që ndiejnë efektet e para negative, siç janë shtrëngesat e lëvizjes së lirë apo edhe kërcënimet në disa raste për kthimin e vizave për shqiptarët, siç sipas Bashës, është edhe skepticizmi i madh me të cilin po përballen vendet anëtare sa i përket procesit të hapjes së negociatave me Shqipërinë.

“Kjo është një gjendje jashtëzakonisht e papëlqyeshme për ne si opozitë. Natyrisht, interesi ynë është interesi kombëtar, interesi i qytetarëve shqiptarë, të cilët nuk e meritojnë të ndëshkohen, të njollosen, të damkosen për diçka që në fakt ka qenë një projekt i një grupi të ngushtë pushtetarësh dhe kriminelësh me qëllim pushtetin dhe pasurimin e tyre”, tha kreu i opozitës.

Ai shtoi se zgjidhjet politike që opozita ka parashtruar janë, edhe rruga që do të bënte të mundur avancimin e interesave evropiane të Shqipërisë.

Basha tha se kjo është zgjidhja e një qeverie antimafia, që do të shkëpusë lidhjet e krimit me politikën dhe që do të përgatisë një reformë të vërtetë zgjedhore dhe do ta çojë vendin me sukses drejt një qeverie legjitime përmes zgjedhjeve të lira e të ndershme.