Basha: Nesër deputetët aksion në sallën e parlamentit, qytetarët jashtë

576
Grupi parlamentar i Partisë Demokratike është mbledhur nën drejtimin e liderit Lulzim Basha, një ditë para seancën plenare ku sërish do të diskutohet buxheti dhe para protestës së paralajmëruar për rrëzimin e qeverisë. Nga kjo mbledhje, kreu i PD-së, Basha tha se ky është buxheti i katastrofës dhe i zhvatjes së qytetarëve që paguajnë taksa më të larta. Ai theksoi se nesër, deputetët e PD-së do të kundërshtojnë në seancë buxhetin, ndërsa qytetarët do të protestojnë para parlamentit. “Ky është projektbuxheti i fundit i kësaj qeverie dhe akti i fundit. Ne qëndrojmë dhe do të qëndrojmë fort në zgjidhjen për largimin e kësaj qeverie dhe krijimin e një qeverie teknike që do të përgatisë zgjedhje të reja. Bashkë me socialistët e zhgënjyer dhe kokulur me këtë qeveri. Edhe nesër këtë do të bëjmë, këtë zgjidhje do të shërbejmë, përmes aksionit të koordinuar përmes deputetëve në sallën e parlamentit dhe qytetarëve jashtë. Deputetët tanë do të argumentojnë në foltore pse ky është buxheti i recesionit. Përveç amatorizmit, filli që përshkon këtë buxhet dhe paketën fiskale është paniku. Bandat oligarke janë në panik. Qytetarët para parlamentit do të vijojnë protestat dhe aktet demokratike paqësore”, tha Basha.

Për kreun e PD-së, kjo është një qeveri e rrezikut kombëtar. “Nuk ka dhe nuk do të ketë lajme të mira prej saj. Ka dhe do të ketë vetëm lajme të këqija. Mekanizmi mund të ndalohet vetëm duke e shkatërruar si të tillë. Interesi ynë dhe interesi im është stabiliteti, përparimi, mirëqenia e qytetarëve. PD nuk ia ka lejuar kurrë vetes të manipulojë shpresat e shqiptarëve duke manipuluar të vërtetat. Ekonomia ka vuajtur dhe po vuan. Nuk jemi fallxhorë, me njerëzit tanë jemi përpjekur të parashikojmë saktë për perspektivën e katastrofës. Kjo nuk është më një prognozë, por një realitet që do të thellohet sa më gjatë ta lejojmë”, theksoi ai. Basha u ka bërë thirrje qytetarëve të ngrihen në protestë pa dallime politike për të çuar vendin në zgjedhje të parakohshme. “Qytetarë ngrihuni pa dallime politike, mblidhuni masivisht para parlamentit për të rrëzuar qeverinë. Të diktojmë ngritjen e një qeverie teknike dhe zgjedhje të reja. Buxheti, nuk ka rritje pagash por ulje të tyre për shkak të uljes së fuqisë blerëse. Nuk rritet pagesa e papunësisë, ndonëse papunësia ka pllakosur vendin”, tha Basha.

Lideri i opozitës akuzoi kryeministrin Rama se po vjedh paratë e shqiptarëve. Sipas tij, “Rama dhe Meta po mundohen të ngrenë shtetin e të padrejtës, duke vjedhur zgjedhjet taksat dhe duke inkriminuar politikën”. “Qeveria Rama vazhdon ta ulë nivelin e të ardhurave edhe në buxhetin e ri. Edi Rama ka marrë borxh brenda dy viteve sa ¼ e borxheve që kanë marrë të gjitha qeveritë e marra së bashku. Ku shkojnë paratë e taksave të larta, ku shkojnë paratë e borxhit të rritur? Këtë pyetje shqiptarët nuk kanë pse ta shtrojnë më si pyetje. Duhet ta shtrojnë dhe po e shtrojnë si akuzë, si vendim. Paratë shpërdorohen dhe vidhen në tendera dhe koncesione, shpenzime luksi për shokët, ortakët miqtë. Këtë kanë parashikuar edhe me buxhetin e ri. Këtë duan ta bëjnë përsëri, ndaj duhen larguar, duhen shporrur. Ne jemi demokratë, shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit janë të shenjta për ne. Këto vlera na kanë ngritur në këmbë ne dhe mbarë Shqipërinë.”- theksoi Basha.
Sigal