Basha në Vlorë: Sundimtarët Rama-Meta shkaktarët e eksodit, thelluan varfërinë

513
VLORE – Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbërritur në qytetin bregdetar të Vlorës për t’i prezantuar elektoratit kandidatin e PD për bashkinë e këtij qyteti Genci Deromemaj. Kreu i selisë blu tha se për Vlorën PD i ka besuar djalin vlonjat i cili do të dijë të administrojë punët dhe që do të marrë Vlorën nga duart e oligarkëve.
“Sot kam në krahun tim njërin prej këtyre të rinjve, njërin prej këtyre djemve të Vlorës që nuk pranon që bashkëqytetarët e tij, që populli i Vlorës pasi është mashtruar, pasi është nëpërkëmbur, pasi është shtyrë në dëshpërim dhe eksod nga kjo politikë e zezë e mjerimit dhe varfërisë për qytetarët, e kamjes dhe e luksit për qeveritarët dhe ai të poshtërohet me caktimin e kandidatëve për komitetin ekzekutiv nga Byroja e Koços dhe miqve të tij. Ky djalë, ky burrë, ky vlonjat nuk vjen para jush, thjesht dhe vetëm si kandidat i një partie politike, thjesht dhe vetëm si kandidat i opozitës por vjen si qytetari, si djali, si burri, si vlonjati për vlonjatët që kërkon besën tuaj, punën tuaj, djersën tuaj, mundin tuaj, për t’ia marrë Vlorën tuaj oligarkëve për t’ia kthyer njerëzve që e kanë me tapi, dem bama dem, vlonjatëve”, tha Basha.
Gjatë prezantimit nuk munguan edhe shigjetimet për kandidaturën e së majtës për këtë bashki.
“E kanë vendosur dhe këtu se kë do të sjellin për kryetar të komitetit ekzekutiv. Do të sjellin dikë që do të zbatojë urdhrat e shefit e shefi kësaj radhe është Koço Kokëdhima. Nuk i mjaftojnë sarajet e Qeparoit, do t’i ngrejë sarajet edhe këtu, në mes të Vlorë, t’ua përplasë në fytyrë vlonjatëve. E kanë zgjedhur kandidatin që do të marrë urdhrat nga Koçua, do të punojë për Koçon, do të japë hesap te Koço. Vlonjatët, çfarë janë këta? Kush pyet për vlonjatët? Vlonjatët, merru taksën, merru votën, bleju votën, ulja kokën, mbyllja gojën! Prandaj edhe nuk guxojnë të dalin në dritë të diellit, janë mbyllur në një zyrë të errët aty 5 vetë, Koçua thotë, ja kryetari i komitetit ekzekutiv, ky do të jetë”, tha Basha.
Zoti Basha tha se ka ardhur koha që t’i jepet fund arrogancës dhe paligjshmërisë së pushtetit e kjo duhet reflektuar me votën e 21 qershorit.
Ndërkaq kandidati Deromemaj u zotua për angazhim maksimal për të ndjekur politikat e Partisë Demokratike që është në funksion të qytetarëve.
“Ndjehem shumë i vlerësuar dhe i privilegjuar në këto momente që Partia Demokratike dhe kryetari i saj z.Lulzim Basha midis shumë kandidaturave të tjera dinjitoze më besoi këtë garë, këtë garë për Vlorën. Kjo garë nuk është e imja personale, është e jona, e përbashkët, e popullit të Vlorës. Në këtë garë ne do të tregojmë se Vlorës duhet t’i kthejmë besimin, një gjë të shumë munguar, shumë të merituar, do t’i kthejmë vlerën që Vlora përfaqëson. Si përfaqësues politik dhe individ, krenar dhe me vlerat që na karakterizojnë moshën dhe integritetin tone, ju premtoj se do të jem një administrator i juaji, i popullit tonë, i Vlorës. Do të jem i denjë dhe më besoni që do t’ia arrijmë, do t’ia arrijmë të gjithë bashkë. Politikat tona nuk janë politika ekstreme, janë politika për popullin, me popullin, janë në shërbim të njerëzve, qytetarëve të Vlorës, janë në shërbimin tone. Kam besimin se Vlora dhe vlonjatët janë fisnikë, i karakterizon një mençuri e rrallë, kësaj radhe do të jenë të aftë dhe të zgjuar të vendosin për veten e tyre, t’ia kthejnë Vlorën vlonjatëve, t’ia kthejnë Vlorën dhe pjesa më e munguar e saj, t’ia kthejnë Vlorën neve qytetarëve, të gjithëve bashkë, të mirës tonë. Të gjithë bashkë do t’ia arrijmë! Vlora jonë, theksoi Deromemaj.
Gjatë prezantimit të kandidatit të PD për Vlorën u vu re prania e deputetit të PDIU-së Dashamir Tahiri, ndonëse kryetari i partisë çame Shpëtim Idiriz ka firmosur marrëveshje koalicioni për bashkëqeverisje me PS.
Po sot demokratët zyrtarizuan edhe kandidaturën e koalicionit të djathtë në Bashkinë Memaliaj, Sadik Xhelili. – See more at: http://shqiptarja.com/Politike/2732/basha-prezanton-deromemajn-n–vlor–edhe-dashamir-tahiri-i-pdiu-287159.html#sthash.k5l08YGX.dpuf
Sigal