Basha në Vlorë: Ndryshimi po vjen. Më 18 shkurt bashkimi më i madh i shqiptarëve në këto 27 vite

539
Vlorë/Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë dhe qytetarët për vendimin e madh të 18 shkurtit
Kreu i demokratëve Lulzim Basha pasditen e së hënës ndaloi në Vlorë ku zhvilloi një bashkëbisedim me të rinjtë e qytetit. Zoti Basha mori ide dhe sugjerime lidhur me protestën e 18 shkurtit e cila sipas tij është vetëm fillimi i një lëvizje mbarëpopullore, lëvizje që do të sjellë një ndryshim të madh në vend. Pasi dëgjoi edhe shqetësimet e të rinjve lidhur kryesisht me papunësinë, kryedemokrati Basha i ftoi vlonjatët të ngrenë njëzëri problemet e tyre përpara Kryeministrisë më 18 shkurt, ku do të nisë edhe lëvizja mbarëpopullore e cila do të shtrihet në gjithë Shqipërinë.
“Sapo kam mbaruar një takim të jashtëzakonshëm me rininë vlonjate e cila është e angazhuar si asnjëherë më parë për t’i prirë bashkimit mbarëpopullor të 18 Shkurtit, që do të jetë bashkimi më i madh i shqiptarëve në 27 vite pluralizëm.
Përfitoj nga rasti ti ftoj të gjithë të rinjtë dhe qytetarët e Vlorës të bëhen pjesë e këtij bashkimi. Ata që pritën më kot 300 mijë vende pune, ata që shpresuan shëndetësi falas, ata që donin të dërgonin djemtë dhe vajzat e tyre në universitete më cilësore me tarifa të përballueshme, e dinë fare mirë pas katër vitesh se vende të reja pune nuk ka, se shëndetësia është në ditën e saj më të zezë, dhe se të çosh fëmijët në universitet është më e shtrenjtë. Taksat janë rritur, faturat e energjisë janë më të larta, të ardhurat kanë rënë, po kështu edhe fuqia blerëse”, tha Basha.
Kreu i Partisë Demokratike u shpreh se Vlora e 2017-ës është më keq, për shkak të keqqeverisjes dhe korrupsionit i cili gëlon, për shkak të lidhjes së qeverisë me bandat.
“Sot vetëm një grusht njerëzish gëzojnë frytet e “Rilindjes”. Pushtetarët dhe kriminelët e lidhur me ta, janë pasuruar në këto katër vite, kanë vënë pasuri miliona euroshe mbi taksat, mbi gjakun, mbi djersën e njerëzve të thjeshtë.
Populli i Vlorës është i braktisur nga kryedeputeti i saj. Populli i Vlorës është më i braktisuri, më i harruari në mjerimin ekonomik, në probleme dhe në brengën e madhe, hallet e mëdha, mungesës së ndihmës ekonomike, pensioneve të pamjaftueshme, faturave të larta, mungesës së shpresës dhe mundësisë për nesër”, theksoi Basha.
Për ti dhënë fund braktisjes nga qeveria, kryedemokrati i kërkoi çdo vlonjati të mos ketë frikë të kërkojë atë çfarë i takon. Ndryshimi vjen përmes njerëzve, përmes guximit dhe lirisë dhe sipas Lulzim Bashës, rinia është motorri i çdo lëvizje madhështore.
“Kjo braktisje mund dhe do të marrë fund vetëm kur ne të bashkohemi për të siguruar një të drejtë elementare që është e drejta të zgjedhim dhe të shkarkojmë më votë qeveritë, pushtetin e qeveritarëve. Ndryshimi po vjen, ndryshimi nuk do të ndalet. Ndaj ftoj të gjithë qytetarët vlonjatë të bëhen pjesë e një bashkimi të madh qytetar, e një bashkimi mbarëpopullor me 18 Shkurt në Tiranë, për ti thënë ndal arrogancës së pushtetit, për ti thënë jo pushtetit të lidhur me krimin”.
“Nuk do të ketë votime por do të ketë zgjedhje. Vlora do të zgjedhë, Vlora do të votojë me votë të lirë e të ndershme, Vlora do të flasë me zë të lartë . Vlora e braktisur nuk do të jetë më e braktisur dhe e harruar por do ti kthehet vlonjatëve, do ti kthehet qytetarëve me votë të lirë dhe të ndershme. Dhe që ta sigurojmë këtë, me 18 Shkurt i ftoj të gjithë vlonjatët të jenë pjesë e bashkimit më të madh, e bashkimit më të madh të shqiptarëve në 27 vjet”.
Kreu i opozites Lulzim Basha u ndal në Vlorë për t’u takuar dhe biseduar me qytetarë të thjeshtë për problemet që hasin dhe ndau me ta thirrjen për manifestimin e tyre më 18 shkurt në Tiranë.
Sigal