Basha në Vlorë: Mosmarrja e statusit, fajtor Edi Rama

464
Sigal

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha është ndalur dje në Vlorë në kremtimin e 23- vjetorit të krijimit të degës së PD-së në qytet… Para demokrateve të Vlorës, Basha u ndal dhe tek humba e shansit për statusin e vendit kandidat. Pavarësisht arsyeve që kryeministri mundohet t’u servir shqiptarëve, sipas kreut të opozitës Basha, Brukseli e bëri të ditur qartësisht arsyen e refuzimit të tij dhe kjo lidhet me qëndrimin që zoti Rama ka ndaj opozitës së vendit. “Dje nga Brukseli ka marrë sërish një shpjegim të qartë dhe pa ekuivokë për arsyet e refuzimit të statusit të vendit kandidat. Nuk janë ekstremistët europianë dhe alibi të tjera që i ka përdorur për t’u justifikuar para shqiptarëve por është ajo që ne si opozitë e kemi thënë që në fillim, që kur nisi me shkelmimin e konsensusit për ligjin e “Nëpunësit civil”, me gjuetinë e tij të shtrigave në Policinë e Shtetit, me gjuetinë e shtrigave kundër kundërshtarit politik dhe me sjelljen e tij arrogante antidemokratike në Kuvend, me gjuhën e tij deri në urrejtje ndaj opozitës së vendit… Serbia ka problemin me Kosovën, Maqedonia ka problemin me Greqinë për shkak të emrit, Shqipëria ka problemin e tensionit të qeverisë me opozitën. Ramës nuk i falet dhe nuk mund t’ia falim që ka krijuar me opozitën e vendit të tij, në sytë e BE një problem të krahasueshëm të gjykimit për vendin dhe për integrimin me atë që ka Serbia me Kosovën. Me këtë konfliktualitet, me këtë agresivitet, me këtë negativitetet që padyshim buron nga pasiguria dhe paaftësia e tij për t’u siguruar shqiptarëve atë që premtoi me 23 Qershor, Edi Rama po mbetet ditë për ditë, madje, orë për orë mbrapa, mbrapa shqiptarëve, mbrapa Shqipërisë, mbrapa botës, mbrapa Europës”,- tha Basha. Më pas Basha foli për aksionet politike të PD në vazhdim.