Basha në Tropojë: T’i japim kuptim lirisë dhe demokracisë duke fuqizuar qytetarin

61

Me demokratët e Tropojës, Lulzim Basha vuri në dukje se Partia Demokratike është sërish në mision historik për të sjellë valën e fundit të demokratizimit të vendit, të modernizimit të politikës, të kthimit të pushtetit tek qytetarët.

Në njoftimin e PD thuhet se Basha i ka thënë banorëve të Tropojë se liria dhe demokracia kanë humbur kuptimin,  që këto koncepte të marrin fuqi, duhet fuqizuar qytetari, duke ia kthyer atij kontrollin e qeverisjes me instrumentat që i takojnë.

Basha: “Vendi është robëruar nga një kastë, nga një klikë të korruptuarish dhe kriminelësh të cilët kanë vetëm një interes, të përfitojnë e të pasurohen në kurriz të shqiptarëve. Koha ka ardhur që Partia Demokratike t’i japë Shqipërisë dhe shqiptarëve fazën e fundit të modernizimit të një vendi, drejt lirisë dhe demokracisë. Ashtu si demokracia dhe liria erdhën për shkak të nevojës, domosdoshmërisë për të shporrur diktaturën, atëherë kur s’kishte më ku të shkonte, nuk kishim më nga t’ia mbanim, edhe sot kjo vjen si një domosdoshmëri t’i kthejmë qytetarëve qeverisjen, të fuqizojmë qytetarin, duke i dhënë instrumentat kushtetuese dhe ligjore që ai të përcaktojë të gjitha vendimmarrjet dhe vendimmarrësit lirisht dhe jo i kërcënuar dhe as i shitblerë”

Basha u kërkoi anëtarëve të Partisë Demokratike të qëndrojnë pranë njerëzve, të prekin realitetin e tyre dhe të evidentojnë hallet e qytetarët në nevojë.

Basha: “Halle konkrete, emra konkretë, fate konkrete njerëzish i njohim, i dimë, i takojmë ditë për ditë në komunitetet, por ne duhet të kemi një evidencë të plotë. Kjo është një parti politike që përgatitet nesër të marrë përgjegjësi konkrete të qeverisjes, jo demagogji, jo premtime koti. Dhe po ju them se detyra jonë kryesore, misioni ynë më i shenjtë që prej ditës së parë në qeverisje, pa asnjë alibi është të bëjmë gjithçka për njerëzit në nevojë”

Kryetari i Partisë Demokratike shpjegoi se si do të përdoret buxheti i qeverisjes së tij.

Basha:  “Buxheti i shqiptarëve do të shpenzohet për shqiptarët. Objektivi ynë, qëllimi ynë është që asnjë familje të mos mbetet pa bukë, pa ujë, pa drita, kjo nënkupton një sërë masash të menjëhershme; siç është pagesa për çdo familje në nevojë ekonomike e 200 kilovatëve të parë të energjisë elektrike drejtpërdrejtë nga buxheti i shtetit; dhe e njëjta gjë edhe për faturat e ujit, e për nevojat jetike. Po kështu rritja e ndihmës ekonomike për të bërë të mundur që ata të cilët nuk kanë asnjë mundësi tjetër për të ushqyer veten e tyre dhe fëmijët të marrin mjaftueshëm ndihmë ekonomike për të mbajtur veten gjallë, jo thjesht t’i marrin me një dorë dhe t’i paguajnë me dorën tjetër”.